Jorge Luis Borges: Mbi kultin e librave

Në mars 1984, Jorge Luis Borges nisi një seri dialogësh në radio me poetin dhe eseistin argjentinas Osvaldo Ferrari. Më poshtë kemi përzgjedhur pjesë të këtij bashkëbisedimi.

Osvaldo Ferrari: Një nga esetë tuaja titullohet “Mbi kultin e librave”. Ajo ese më solli ndërmend autorët dhe veprat që ju i përmendni vazhdimisht.

Jorge Luis Borges: Nuk e mbaj mend në fakt. Për çfarë flas në të? Për libra të shenjtë? Për faktin që çdo vend ka preferencat e veta për një libër në veçanti?

Ferrari: U referoheni njerëzve që kritikojnë librat në favor të gjuhës së folur. Për shembull, Platoni shkruante diku se leximi i tepërt çon në varësi ndaj simboleve.

Borges: Mendoj se Shopenhaueri ka thënë se të lexosh është si të mendosh me mendjen e dikujt tjetër. Është e njëjta ide apo jo? Në fakt jo tamam, por gjithsesi të dyja qëndrimet janë armiqësore ndaj librave.

Mbase kam folur mbi faktin që çdo vend zgjedh të përfaqësohet nga një libër dhe autor, edhe pse shpesh ai libër apo autor nuk është karakteristik për vendin përkatës. Për shembull, të gjithë i referohen Shekspirit si anglezi tipik, kur në fakt ai, me metaforat dhe simbolet e veta, nuk ishte aspak i tillë. Ose në rastin e Gëtës, që ishte e kundërta e një gjermani tipik; një njeri tolerant, një njeri që përshëndeti Napoleonin kur pushtoi Gjermaninë. Duket e zakonshme, apo jo?

Ferrari: Sidomos në rastin e klasikëve.

Borges: Sidomos në rastin e klasikëve, po. Spanja e Servantesit ishte Spanja e inkuizicionit, por Servantesi nuk kishte asnjë lidhje me të, Duket sikur çdo vend, me autorin që përzgjedh si përfaqësues, kërkon një formë antidoti… Përveç Francës, sigurisht; ka kaq shumë letërsi, kaq shumë autorë, sa nuk e kanë parë të arsyeshme të zgjedhin një në veçanti…/botimeshqip.com


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *