Rrugë në lagjen Kastro të Janinës, ku qe i përqendruar komuniteti hebre i qytetit
Pjesa dërrmuese e hebrenjve të Shqipërisë janë me origjinë nga Janina. Në të parin prej tre reportazheve mbi ta zbulohet ky komunitet, dikur qendër e rëndësishme dhe e veçantë dhe për vetë botën hebreje.
Nga Altin Raxhimi
Rrezik po të kishte qenë kjo sallë plot, pjesës më të madhe të njerëzve do u duhej të rrinin ndenjur përballë njëri-tjetrit dhe jo me fytyrë nga koridori që krijohet në mes, i cili është qendra e aktiviteteve. Kjo sepse çdo dy stola ndajnë të njëjtën mbështetëse. “Është jotipike për një sinagogë,” më thotë Allegra Matsa, nga më aktivet e komunitetit hebre të Janinës. “Tjetërkund stolat rreshtohen si në teatër.”
Në podium, apo bimà, është pesëdhjetëvjeçari Markos Batinos, fytyrës dhe zërit të të cilit ja heq kollaj njëzet vite. Gjatë javës, më thonë se s’u pat dukur në bakalikó-në, dyqanin e çikërrimave, e tij në rrugën “Josef Elija” që të përgatitej për të kënduar tekstet e Rosh Hashanasë, vitit të ri hebre, këtë katër tetor. Më ngjan paksa i tensionuar përpara këtij grupi vizitorësh amerikanë në kërkim të rrënjëve hebreje janjiote dhe vendasish. Thonë se hazani i zakonshëm është nëntëdhjetë e kusur vjeç dhe s’ka më takat, kështu që detyra i bie Batinos, njërit prej muzikantëve më të njohur të zonës.
Çdo fund shtatori dhe fillim tetori për Festat e Mëdha hebraike—për vit të ri dhe sidomos në ditën e pendesës, në Jom Kipùr—këtu mblidhen nga e gjithë Greqia, nga Amerika, Izraeli dhe vende të tjera. Për Kipur, hazani, kënduesi i lutjeve, vjen posaçërisht nga Athina. Por kur kallaballëku largohet, në qytet hebrenj mbeten sa ç’kanë gishta tre palë duar. Në ditë të zakonshme, duhet të lidhesh përpara me shoqatën, me Komunitetin Hebraik të Janinës, që të ta hapin derën e sinagogës.
Hera e parë që unë vë kipa mbi kokë dhe kjo prej atllasi të bardhë. “Si të duash,” më thotë Solomon Jakoeli para se të hyjmë. “Zakoni e do, por për ty nuk është e detyrueshme.” Dhjetë vjet më parë, kur me një grup gazetarësh kaluam në Ramallah për të takuar kryetarin e parlamentit palestinez, grave u patën thënë, “E detyrueshme nuk është, por kush do, mund të vërë shamitë mbi kokë!” Të gjitha i vunë me qejf të madh.
S’do e lija pa e vënë kipan.
Ndër ata pak qindra hebrenj shqiptarë ka qenë doktor Auerbahu, që u bë dhëndër Dhërmiu, apo Shvarcët, tek të cilët parandjenja për Hitlerin e sapoardhur në pushtet takoi botën shqiptare. Kanë qenë dhe Arditët, e vetmja familje jona e dërrmuar nga Holokausti, të ardhur nga Selaniku për të hapur farmaci. Pas Luftës së Dytë Botërore mbetën dhe disa të tjerë, e një grusht erdhën nuse shkëmbimesh studentore nga Evropa Lindore. Por pjesa dërrmuese, trembëdhjetë mbiemra, (trembëdhjetë mbiemra!) zënë fill nga shtëpitë rrotull kësaj sinagoge dhe rrugicat që dilnin jashtë Kastros drejt pazarit me zgjerimin e komunitetit në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Në këtë pjesë të Ballkanit, “Janina ishte nënë e komuniteteve të Artës, Prevezës e Filatit,” qyteteve përqark saj në veri të Greqisë së sotme, më thotë Zanet Batinu, drejtoresha e muzeut hebraik të Athinës dhe motër e Markos. “Për atë punë, Janina ishte nënë e komunitetit hebre të Shqipërisë!”
Sinagoga e Janinës, me çati tjegullash si gati çdo faltore joislame e Ballkanit osman, ndodhet brenda murit të kalasë në të majtë të hyrjes kryesore. Prej saj, nga mbrapa, majtas e djathtas, rrjedhin shtëpitë e vogla, një pjesë e mirë e të cilave ishin dikur të hebrenjve. Kalaja vetë, Kastroja, është ndërtim osman mbi mure bizantine që hyn si hundë në liqen, e mbushur me banesa në masë të madhe të suvatuara e të lyera pastër me plastiko, gjatë gushtit të përgjumura nga dielli i mesditës. Në një rrugicë, pashë një plakë të rrinte ulur në hije anash portës, si gjithë plakat andej e këndej kufirit—me shami e fund të zi, këmishë të zezë me pika të bardha, e me vrasëse mizash në dorë.
Brenda në sinagogë, në hapësirat ndërmjet dritareve, janë gdhendur në pllaka mermeri mbi njëmijë e shtatëqind emra anëtarësh të bashkësisë së këtushme. Mes të tjerësh, gati të gjithë mbiemrat hebrenj që gjeje në Shqipëri.
Ka mbiemër Batino, për shembull, si të Haimit, i cili për pashkët hebreje drejtonte lutjet në apartamentin e tij tek pallatet me tulla të bardha të Zogut të Zi në Tiranë. E gjithë lagjja e dinte por s’thoshte gjë, tregon i nipi, Viktori. Apo Jomtovë. Vrer u bë në fillim Menahem ‘Tovi’ Jomtovi, delvinjioti, kur e vendosën viteve pesëdhjetë në atë rrugicë të Vlorës me depo të kthyera në kolibe të cilës i thoshin ‘rrugica e çifutërve.’ “Na shajnë nga jashtë,” i thoshte nervoz nipit të tij, Andon Melos. Një herë Meloja qëlloi vetë aty dhe e dëgjoi. E shanin nga e bija.
“Ndër hebrenj, ata të Janinës dallojnë,” më thotë Annette Bakolas Fromm, një folkloriste amerikane e cila ka origjinën prej këtij komuniteti dhe e pati studiuar viteve tetëdhjetë. Mes një deti ashkenazëve të veriut të Evropës që ruanin prej getosh një dialekt gjermanishteje thuajse mesjetar dhe sefardish të dëbuar nga Iberia drejt Mesdheut Lindor në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, me të cilët merreshe vesh po të dije spanjisht a italisht, këta të Janinës ishin veç greqishtfolës.
Dialekti i tyre, jevanitiká-ja, dallonte nga greqishtja e të tjerëve si shqipja e një katoliku nga ajo e një myslimani në Shkodër: nga një a dy bashkëtingëllore, ca huazime dhe ndonjë term rituali. Ti kanis i tyre, më thotë Matsa, ishte më shumë ti kân’s, siç e këndonin. Një shprehje që përdornin hebrenjtë e Janinës, sipas librit të Eftiqi Nahmanit mbi ta, ishte “Ç’më kapardisesh si kaposh Berati!”
Prej shekullit të gjashtëmbëdhjetë, bota hebraike e lagur nga Egjeu sundohej në numër e zakone nga sefardinjtë dhe gjuha e tyre. Ata që përbënin komunitetin më të madh të Selanikut dhe kishin komunitete satelitë edhe në brendësi, në Kostur, Shkup a Sarajevë. Për ta, kush s’e dinte ladinon, gjuhën që flisnin, “s’quhet joni.” Greqishtja s’para u duhej. “Sefardinjtë përbënin masë kritike,” thotë Frommi. “Por duke qenë kaq shumë, ata mbetën të izoluar. Janjiotët ishin të ndarë si fe dhe në një farë mase dhe si shoqëri, por e quanin veten grekë.” Në fakt, kur Greqia u zgjerua me Thesalinë dhe Epirin gjatë luftërave ballkanike të fillimshekullit të njëzetë, selanikasit, të cilët në mishmashin osman gjendeshin rehat në botën e tyre, tani kërcënoheshin, kurse janjiotët u integruan më kollaj në shtetin e ri.
Megjithatë, edhe janjiotët përmbanin tensionet e një komuniteti të mbyllur. Në fillim të shekullit të njëzetë, në lagjen e re jashtë kalasë, Aleanca Izraelite Universale nga Franca hapi shkolla që t’u mësonte djemve dhe vajzave frëngjishten, hebraishten dhe gjuhët e vendit. Shkolla e pat ndarë në dysh komunitetin—kish ndarë ata që jetonin shtëpi-punë-sinagogë nga ata që kishin kryer Aleancën, modernët, thotë Alegra Matsa.
Nga këta të fundit ishte Josef Elija, mësuesi i frëngjishtes dhe poeti që u thoshte atyre tregëtarëve të vegjël se njerëzit ishin të lirë e të barabartë dhe s’kishte frikë, për shembull, të shihte domethënien metaforike të vrasjes së Krishtit, e cila hebrenjve iu bë tabú prej shekujsh persekutime. Atij ja bënë të pamundur jetën në qytet dhe e bënë të vdiste nga tifoja në Athinë pa mbushur tridhjetë vjeç në 1931-in.
Personi më me influencë ndër janjiotë në atë periudhë ishte një tregtar basmash i quajtur Sabetai Kabelís. Dhimitris Haxhisi, i cili shkroi librin më të mirë mbi Janinën mes dy luftërave, i vuri përballë në një tregim dhe në atë tregim Kabelisi fitoi. Asokohe, si në çdo komunitet tjetër, martesat jashtë fesë ishin thuajse të padëgjuara. Familja i pati përjashtuar një tezemadhe Frommit kur kjo pat ikur me një shqiptar nga Filati.
Paska Ganinj nëpër pllakat mes dritareve, si Mimíko që punonte në Kinostudion “Shqipëria e Re” me tim atë, djali i të cilit të përmend Tiranën e viteve 60-70, atë të blloqeve: Blloku 50-vjetori, Blloku Vasil Shanto, Pallatet e Aviacionit. Jakoelë si Feliçéta që merrej me art, i ati i së cilës ka shkruar historinë e parë të daktilografuar që kam parë të atij komuniteti në Shqipëri. “Përpjekjet shekullore të popujve për liri” më duket se kishte një fjali ai tekst, shkruar diku viteve tetëdhjetë. Kantozë si Pepja, ish-partizani që punonte në zyrën e kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që më del se e kam pasur përballë me shtëpi.
Zakonet u ndryshonin janjiotëve prej hebrenjve të tjerë. U ngjasonin liturgjitë me ato të komuniteteve të Italisë, por lutjet i kishin në greqisht dhe s’gatuanin oriz për Pesahun, pashkën hebreje, si sefardinjtë. Edhe himnet me muzikë të zonës i ngrinin. Po të lindnin shumë vajza, njërën do e quanin ashtu si grekët e tjerë Stamatula, Sose, për të prishur syrin e keq. Edhe emrat fëmijëve ua vinin si ortodoksët e Greqisë—djali i parë merrte emrin e gjyshit nga babai, i dyti të atij nga nëna. Vajzat trashëgonin emrat e gjysheve. Në fillim të shekullit të njëzetë, paskan pasur dhe një karnaval të tyrin,irtaman-in, shkruan Frommi.
Kofina ka këtu, si Solomoni që u bë xhind kur një gjirokastrit tjetër e ngacmoi në nëntor të 1995-ës: “Solomon, e kishe hapur shtëpinë ti?” “Për çfarë, mo?” “Për vrasjen e” kryeministrit të atëhershëm të Izraelit, Jitzhak “Rabinit, dëgjova që prisje!” U bë xhind. Patjetër që ka dhe Kohenë, si pasardhësit e Shemo delvinjiotit në Vlorë, mbiemër që qenka autorizim për të nxjerrë Toranë nga Arka e sinagogës para se të fillojnë lutjet. Levi, Levinj, si me thënë Ikonomët, sekretarët a shkruesit e sinagogës, të cilët nxirrnin Toranë kur s’kishte Kohenë. Kohenë dhe Levinj me bollëk, siç janë tek ne Priftët, Hoxhët, Popët e Dervishët. Në Shqipëri kishim Pepe Levin, i cili u pat zhvendosur në Kavajë, por kur kthehej për vizitë më thonë se gjente kohën t’i takonte të gjithë hebrenjtë e Vlorës me rradhë.
Xhepa bashkësish romanjiote a romeje—hebrenjsh Bizanti, sepse ky u bë etnonimi i hebrenjve me gjuhë amtare greqishten—ekzistonin në disa vende në Greqi. Përveç Janinës me satelitë, gjendeshin në Trikallë, në Kandi afër Athinës apo në Hania, ish-qytezën venedikase të Kretës. U rrinin përbri komuniteteve sefarade dhe italike të ishujve jonianë (Albert Coheni, shkrimtari i gjuhës frënge, dhe trubaduri George Moustaki paskan qenë romanjiotë Korfuzi). Edhe në Larisë e ndanin hapësirën hebraike me sefardinj. Por më shumë romanjiotët ishin përqëndruar këtu, me atë komunitet që ndonjëherë arrinte në mijëra frymë, kryesisht zanatçinj e tregtarë të vegjël mes ortodoksësh grekë, vllahë a shqiptarë, myslimanësh shqiptarë, ciganë e turq dhe osmanësh të tjerë.
Në Janinë hebrenjve iu pat dëgjuar emri që në një dokument bizantin të shekullit të trembëdhjetë dhe arkeologët pretendojnë gjurmë të tyre në qytet disa shekuj përpara. Prej periudhës osmane dhe këtej, komuniteti lëvizte mes dy dhe pesëmijë vetëve, sipas Rae Dálvenit, e cila ka shkruar librin themelor mbi ta.
Ka me mbiemër Matathia në pllaka mes dritareve, si ata që në Vlorë kanë ndërtesën e vjetër më të mirëmbajtur jashtë atyre të lidhura me pavarësinë. Negrinë si Mojzja, i cili u interesua në degë të brendshme nëse mund të martohej një i persekutuar me një të papersekutuar, i ati i Nesim Kohen vlonjatit me të ëmën.
Janjiotët zanafillat i kanë objekt legjendash. Të thonë se paskëshin qenë të mbijetuarit e anijeve të nisura nga Palestina romake drejt Apenineve e të mbytyra afër Vlorës. Nëse ka lidhje mes tyre dhe hebrenjve të diasporës së Mesdheut, një pjesë e të cilëve çuan krishtërimin në Evropë, këtë s’di ta thotë njeri.
“Ka qenë komunitet me kontraste të mëdha, një pjesë e madhe zanatçinj dhe të paarsimuar, dhe një pjesë të vogël shumë të kultivuar,” tregon Marcia Haddad Ikonomopoulosi, e cila drejton muzeun janjiot në Nju Jork. Dalveni përmend ndarje me thikë mes parisë së pasur dhe shumicës dërrmuese tejet të varfër, zanatçinj e dyqanxhinj të pazarit të qytetit.
Hierarkia dëshmohet tek varrezat hebreje që gjenden në një faqe kodre në qytet. Levit, më zengjinët dhe të ngriturit—ata nxorën dhe deputet në parlamentin osman—kishin vendin më të epërm. Tek varrezat tani, nën qiparisa, shkurret kanë mbuluar një pjesë të varreve, por vendi është pastruar vitet e fundit dhe rrugica që kalon për mes ndriçohet natën për të mbajtur larg endacakët. Në gurët e atyre varreve për të cilat kujdesen, vënë guralecë për të kujtuar shpirtin e të vdekurit. Ndodhte që natën fshehtazi ndonjë i fiksuar gërmonte për të gjetur florinj të fshehur në qivurë, por dhe kjo u bë kohë që s’ka ndodhur.
Ka dhe Sareta në pllaka të sinagogës, si Rudolfi apo shkurt Dola, klas më vete në fizarmonikë në Estradën e Vlorës. Siç më tregon Jakov Solomoni nga Vlora, i cili tani jeton në Ber Sheba të Izraelit, tek Dola kthenin kokën dhe qeshnin me të madhe kur Kleopatra Skarço-Dokle këndonte “Dola, moj dola.” Vitulë, të vegjlit Vito, të vendosur në Tiranë pas Luftës së Dytë nga Gjirokastra.
Vetëm Solomonë s’paska, Solomonë si Jakovi që tregonte historinë më lart, Jakovi i Fabrikës së Llambave në Vlorë që iu përvesh, siç thotë, atij labit që e ngacmoi në punë: “Jam krenar që jam hebre, i kemi dhënë botës. Jo si fshati yt, që kishte tridhjetenëntë gomerë dhe me ty i bëri dyzet,” dhe s’e thirrën më në këshill teknik. Në Janinë shtëpi Solomonësh gjen sa del jashtë Kastros.
Mbiemra hebrenj—s’i ngatërron as dot. “Unë punoj shumë me hebrenjtë e Amerikës,” ashkenazët, më thotë në telefon Shemo Solomoni nga Vlora që jeton në Nju Jork. “Po këta kanë ca mbiemra kot, a derëbardhë. Ca mbiemra rusë, ca polakë. Tanët janë tamam mbiemra hebrenj.” Disa vërtet tipikë si Levi e Kohen, Matathia e Solomoni, të tjerë me origjinë sefardike si Batinot, Kofinat, Negrinët e Saretat, apo edhe italianë si Kantozët, sipas Rae Dalvenit. Jakoel do të thotë Zoti është Zot, thotë Ikonomopulosi. Jomtov është Ditmiri.
Shumë nga këta mbiemra s’i gjen në Shqipëri. Duzina të tëra, sipas asaj që tregojnë pllakat, janë Eskenazi a Askenazi, si Roza e famshme e rebetikove, megjithëse Roza (ah Roza, ca këngë së cilës ja regjistronte Ajdin Leskoviku, dhe që edhe në Shqipëri pati ardhur të këndonte…) ishte sefardie Stambolli. Ka mbiemër Dosti, si Isaku, amerikani, i cili në sinagogë hyn me kapele bejzbolli dhe të cilit ia zvarrisnin shtetësinë greke sepse i ati i pat lindur në Vlorë e jo në Greqi në 1903-in.
Ca mbiemra vijnë nga toponime. Vrahoritët, për shembull, duhet të kishin një këmbë në Agrinjio, qytezën në jug të Janinës që nën osmanë quhej Vrahor. Çdo i pesëdhjetë ndër emrat në pllakat e sinagogës mban mbiemrin Tepelenis (Tepelena apo Tepelenasi) të paktën që prej 1868-ës, dhe këta përfshijnë muratorin Jehuda me djemtë Isakun e Shabetain, kasapin Solomon dhe djemtë Moisi dhe Samuel dhe hamallin Nisim, sipas detajimit që i ka bërë listës sinagoga Kedosha Janina në Nju Jork. Reveka, Matildi, Rahil, Ester, Zafira Tepeleni.
Thuajse të zhdukur janë tashti në Janinë diminutivët e janjiotëve. Avrahami që bëhej Mimiko, Moisiu që si Moizino quhej Zino, Simoni Shemo. Sarës që të vogël i thërrisnin ose Sarika ose Sarina, dhe Rashela mund të bëhej Lilika. Jozefi ishte ose Pepe nga Giuseppe o Fito nga Josefito. Solomoni, të cilit si Solomaki i binin për shkurt Maki, por që Maki mund të mos ishte fare Solomon, por Avrahamaki dhe pastaj duhet ta nisje nga fillimi të gjeje si e kishte emrin tamam. Emërtha që në Shqipëri patën hyrë në regjistër civil.
Tani nga kjo praktikisht kanë mbetur vetëm gjurmë, ndonjë shtëpi a dyqan tek-tuk dhe një pallat me 24 apartamente i ndërtuar në vitet pesëdhjetë jashtë kalasë, aty ku rruga “Josef Elija” ndesh atë “Ana Komneni” për të strehuar hebrenjtë e mbetur. Në pallat, dy dritare në kat të dytë i kanë qepenat mbyllur. Njëra ka vdekur sivjet, thotë Zhaneta Jakoel, që rri në kat të parë me të shoqin, Solomonin. Një Koheni nga Nju Jorku nuk i është mbushur mendja ta shesë shtëpinë, e cila rri bosh, siç dëgjoj. Nga ana tjetër e godinës rri janjioti amerikan, Isak Dostis, me të shoqen Dianën, duke rrëmuar dhe mbledhur historinë e komunitetit. Një tetëdhjetëvjeçare, Zanet Cito, ka shifrat e Aushvicit në parakrah. Ngjitur me të rri e bija, e ëma e Marko Batinos, hazanit të kësaj Rosh Hashanaje në sinagogë. Bakalikó-në e kanë në kat përdhes, bri zyrave të Komunitetit. Tani që disa apartamente janë bosh, dy familje shqiptare kanë marrë hyrje. Vajzën dymbëdhjetë vjeçare të njërës prej tyre e shoh shpesh të luajë në oborr apo të ngjitet shkallëve. Në mur të oborrit të brendshëm është pikturuar dera e sinagogës së dytë, asaj jashtë Kastros, e cila u pat rrënuar gjatë Luftës së Dytë.
Fillimisht, komunitetin e gërreu emigracioni. I pari që pati ikur për Amerikë, në 1890-ën, Jomtov ishte dhe i kish rënë nga Vlora, thotë Ikonomopulosi. Një e katërta e gati katërmijë janjiotëve të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë vajti atje pak vite më pas, duke u hipur vaporëve në Igumenicë e Patra si qindra mijëra grekë të tjerë. Në 1906-ën, disa sekserë i nisnin për Amerikë për tre lira, sipas Dalvenit. Që atë kohë lëviznin dhe në vende të tjera; janjiotët kishin sinagogën më vete në Athinë që prej fillimit të shekullit dhe ndokush shkonte në Palestinën osmane për arësye religjioze. Kush mbeti mbas Luftës së Dytë iku sa në Amerikë, sa në Izrael e sa, si gjithë Epiri, drejt Athinës. Këtu ngelën a s’ngelën njëqind vetë. Frommi, e cila studimin e vet e pat quajtur “arkeologji shpëtimi,” pati parë numrin të binte tek shtatëdhjetëshi në 1984-ën, ndër ta tre çifte të reja. Aq sa bëheshin në Tiranë. Me vdekjen që ndodhi pranverën që shkoi, numri duhet të ketë rënë në tridhjetenjë.
“Po zhdukemi,” më thotë Dostis.
Asnjë demografi s’e dërrmoi atë komunitet sa Holokausti.
“Fakti që gjermanët arritën të kapnin 92 përqind të komunitetit, sepse ndenjën në Janinë me fjalë të Kabelisit, tregon pushtetin që kishte Kabelisi,” thotë Batinu, drejtoresha e Muzeut Hebraik të Athinës. Sabetai Kabelisi ishte tregtari i basmeve me autoritet të padiskutueshëm. U kishte mbushur mendjen të gjithëve se po të rrinin urtë dhe t’u paguanin ryshfetet gjermanëve, ata do i linin rehat. Madje, u çoi fjalë një duzine të rinjsh arratisur malit që të ktheheshin sepse s’u kanosej ndonjë rrezik, dhe ia doli t’i sillte.
Më 25 marsit 1944, burra, gra, fëmijë dhe pleq, u nxorën jashtë në pikë të mëngjesit. Ata që ishin brenda Kastros u grumbulluan në oborrin e Iç Kalesë, kalasë së brendshme në një kodër aty brenda, mes varrit të Ali Pashës, xhamisë dhe spitalit, kurse ata jashtë në sheshin në veri buzë liqenit, tani zënë nga bare dhe restorante. Kur e merr vesh këtë, të duket sikur nga sheshi dhe nga Micikeli, mali që i mbivendoset pejzashit nga bregu i liqenit përballë, të shfaqen hije.
Njëzet e nëntë Batino. Njëzet e pesë Ganí. Shtatë Jakoelë. Tridhjetenjë Jomtovë. Dyzet Kantozë. Njëqind e dyzetekatër Kohenë. Tridhjetedy Kofina. Levi a Levis, tetëdhjetë e shtatë. Matathia, njëzetenjë. Tetëdhjetë e pesë Negrinë. Pesë Vitulë. Nëntëmbëdhjetë Sareta.
Këta janë emrat nëpër pllaka të sinagogës së vjetër në Kastro: 1758 nga 1870 hebrenj Janine të mbledhur nga gjermanët, nga 1950 gjithsej hebrenj Janine. Nga pjesa tjetër, përveç disa kokrrave të arratisur në Shqipëri apo atyre që i kish çuar puna jashtë qyteti, dyzetetre kishin ikur në mal.
Prej aty në Larisë dhe prej Larise për Aushvic, Aushvic-Birkenau. Alekos Raptis, një publicist nga Janina i obsesionuar pas historisë së Luftës së Dytë Botërore, thotë se atë 25 mars, prej orës gjashtë e gjysëm kur kamionët lanë Janinën e deri në orën dhjetë kur shtëpitë e dyqanet u bastisën nga ushtarët, policët dhe popullësia e krishterë e qytetit, ç’ishte hebraike nga Janina—trembëdhjetë përqind e një qyteti të fjetur me gjithë katandi—u fshi. Sinagoga brenda kalasë shpëtoi si ngrehinë sepse kryetari i bashkisë u tha gjermanëve se i duhej si bibliotekë qyteti.
Njëqind e dymbëdhjetë janjiotë arritën të dilnin gjallë nga Aushvici në 1945-ën. Të parin që u kthye prej andej në Greqi, kur tregonte ç’kish parë e hequr, e patën quajtur “i rrëshqituri.” Allegra Matsa thotë se atë nofkë ja mbajtën derisa vdiq.
BIRN