Nga Jehuda Amihai
Ç’do të thotë të jesh grua?
Si ndihesh vallë me
boshllëkun mes kofshëve,
syrin kureshtar nën fustan – kur behari fryn –
e të pacipë ndër vithe?
Burri s’ka ç’i bën traut të çuditshëm
që ka mes këmbëve. “Nga cila anë
dëshironi ta mbani?” më pyeste rrobaqepësi hijerëndë
teksa maste pantallonat e mia.
Si ta shpreh diçka tërësore që s’copëzohet?
Si mund të vishesh e zhvishesh
mes rrëshqitjesh të mefshta dhe ledhatimesh
si të mbathësh vaj ulliri,
t’i derdhësh trupit petka puplash,
prej mëndafshi, mërmërime dhe një hiçi trëndafili a kaltërimi?
Burri vishet me vrazhdësinë e
e grisjes mbytur në tharti,
të thepisur dhe kockore, që shkelmon ajrin.
Era i korkolepset mes qerpikësh.
Si ndihesh kur je grua,
kur vetë turpi yt të ëndërron.
Gjurmë gruaje mbi trupin tim mashkullor
dhe mbresa burrnore mbi tëndin femëror –
janë kasnecët e skëterrës
që po vlon për ne
e për vdekjen tonë të ndërsjellë.
Shqipërimi – edon qesari
Foto – pasqyrim i aktores suedeze Harriet Anderson në filmin “Sommaren med Monika” (I.Bergman, 1953)