Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lajmëron botimin për së afërmi të 6 librave filozofikë të filozofit, shkrimtarit e poetit Isuf Luzaj (1913-2000), një ndër personalitetet më të shquar të mendimit shqiptar.
I anatemuar gjatë diktaturës dhe i mërguar Luzaj qëndroi dhe shkruajti veprën e vet kryesisht në Argjentinë. Hartues i Dekalogut të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj ishte ndër intelektualët antikomunistë, që dëshironte të realizonte idealin kombëtar të Rilindasve për një Shqipëri të Bashkuar e Demokratike.
6 librat me ese filozofike e interpretative (metafizika dhe metalogjika) botohen për herë të parë dhe janë organizuar brenda 2 vëllimeve me mbi 400 faqe secili nën titullin “Kujdesjet e Bletës”. Këto janë fillimi i një publikimi në vazhdimësi i të gjithë trashëgimisë filozofike të Isuf Luzajt, të mbetur në dorëshkrime dhe që përbëjnë dhjetra vëllime. Instituti falenderon me këtë rast dhe Zyba Hysën për punën e madhe në përgatitjen e teksteve për botim, redaktimin dhe korrektimin. Më në fund Isuf Luzaj hyn në Shqipëri nga “dera ballore” e jo nga “dera e fshehtë”.