INTERVISTA/ Ambasadori rus Karpushin: Moska është gati të presë Edi Ramën! Ftesat e vazhdueshme për bashkëpunim, refuzohen nga pala shqiptare,

Ambasadori rus në Tiranë, Alexander Romanovich Karpushin, ka komentuar dinamikën e raporteve mes Shqipërisë dhe Rusisë, pengesat në bashkëpunim, indiferencën për Reformës në Drejtësi, deklaratat alarmuese për rritjen e influencës ruse në Ballkan, qëndrimin për Kosovën etj. Karpushin tha se nuk ka një dinamikë të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në disa pika, për shkak, sipas tij, të mungesës së vullnetit të autoriteteve shqiptare dhe ajo që humbet në këtë rast, shton ambasadori, është Shqipëria.

Si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve, ambasadori përmendi çështjen e sanksioneve dhe deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus” thote ai gjatë një interviste për Shqiptarja.com. Megjithatë, ambasadori Karpushin shtoi se, Moska është gati të presë kryeministrin Edi Rama në një vizitë zyrtare, ndërsa theksoi ftesat e vazhdueshme që refuzohen nga pala shqiptare, për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Ambasador, pavarësisht rotacioneve politike në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur në një pikë ngrirjeje. Elitat politike shqiptare kanë një lloj kompleksi të flasin për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë. Cili është shpjegimi juaj?

Nuk jam dakord me formulimin e pyetjes. Marrëdhëniet Rusi-Shqipëri, nëse i vlerësojmë ato në tërësi, natyrisht që nuk janë në një pikë ngrirjeje. Mund të bie dakord vetëm me një fakt që nuk ka dinamikë në zhvillimin e disa pikave të këtyre marrëdhënieve. I ulët është sidomos niveli i shkëmbimeve në fushën ekonomiko-tregtare. Është e vërtetë.

Sipas mendimit tim, është Shqipëria ajo që humbet në radhë të parë. Po të flasim për dimensionin humanitar të marrëdhënieve tona, për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës, përfshirë këtu letërsinë dhe muzikën, mendoj që ky dimension mund të vlerësohet pozitivisht. Përveç kësaj, po mbahen kontakte të vazhdueshme normale mes dikastereve të politikës së jashtme të dy vendeve për çështjet e axhendës ndërkombëtare.

Pak kohë më parë, pata një takim këtu në Tiranë me ambasadorin e Shqipërisë në Rusi z. Arben Gazioni. Diskutuam me hollësi për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe ramë dakord të koordinojmë përpjekjet tona për avancimin e tyre.

Për të marrë një përgjigje për pjesën e dytë të pyetjes tuaj, se përse elita politike e Shqipërisë, gjoja duke ndjerë një farë kompleksi, nuk bën përpjekje për zhvillimin e bashkëpunimit me Rusinë, mendoj se do të ishte më mirë t’u drejtoheni vetë përfaqësuesve të kësaj elite. Unë personalisht jam për një skenar pozitiv të marrëdhënieve ruso-shqiptare, në themel të të cilit duhet të vendoset një gjykim i shëndoshë dhe një interes reciprok.

Madje, që tani mund të konstatoj se në fushën e lidhjeve ekonomiko-tregtare janë bërë disa hapa pozitivë. Në veçanti, është aprovuar bashkëkryetari i Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri (z. Ervin Mete, Zëvendësministër i Financave të Shqipërisë), po bëhen përgatitje për sesionin e tij të radhës, ku po planifikojmë të zhvillojmë një forum biznesi ruso-shqiptar.

Dëshirojmë të ftojmë nga Rusia investitorë potencialë, përfshirë këtu edhe përfaqësues të biznesit të madh, për t’i dhënë atyre mundësi të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me kolegët shqiptarë dhe të diskutojnë me ta mbi planet e mëtejshme të bashkëpunimit.

Cilat janë pengesat e dukshme dhe të padukshme që pengojnë zhvillimin e raporteve mes dy vendeve? Pse ka kaq shumë mosbesim mes dy vendeve, dikur aleate, sot në pozicione antagoniste, nëse i referohemi orientimit gjeostrategjik?

Padyshim, ka disa faktorë, të cilët pengojnë zhvillimin normal të marrëdhënieve midis vendeve tona. Mund të përmendim të ashtuquajturën çështje të sanksioneve. Kam parasysh sanksionet antiruse, të miratuara në mënyrë të paligjshme në vitin 2014 nga SHBA-të, dhe nën ndikimin e amerikanëve edhe nga Bashkimi Europian. Siç dihet, këtyre sanksioneve iu bashkua edhe Shqipëria. Rusia ishte e detyruar të ndërmerrte kundërmasa dhe të ndalonte importin e prodhimeve bujqësore dhe ushqimeve nga vendet, të cilat i mbështetën sanksionet.

Dhe pikërisht këto produkte bënin pjesën kryesore të eksportit shqiptar drejt Rusisë. Tani volumi i këtij eksporti me të vërtetë po shkon drejt zeros. Por kjo ndodh jo për fajin tonë. Për sa i përket orientimit gjeostrategjik, në këtë pikë sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur disa përpjekje të vendeve perëndimore, veçanërisht atyre që bëjnë pjesë në NATO, për të ringjallur disa elementë të luftës së ftohtë.

Në këndvështrimin tim, deklaratat e disa përfaqësuesve të udhëheqjes shqiptare për të ashtuquajturin “kërcënim rus”, apo akuza për “agresivitet” të Rusisë janë të pamenduara dhe natyrisht nuk sjellin besueshmëri në marrëdhëniet tona bilaterale.

Megjithatë, mendoj se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme për zhvillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shqipërisë. Nga përvoja jonë në fushën e politikës së jashtme, i ashtuquajturi “orientim gjeostrategjik” nuk e pengon bashkëpunimin konstruktiv të vendeve të ndryshme me Rusinë.

Nëse flasim konkretisht për BE-në dhe NATO-n, drejt të cilëve është e orientuar Shqipëria, duhet përmendur shembulli i Sllovenisë, e cila është anëtare e të dyja organizatave dhe nga ana tjetër nuk është jashtë përfitimeve nga bashkëpunimi me Rusinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Serbinë, e cila po zhvillon bisedime për anëtarësim në BE, por njëkohësisht bashkëpunon edhe me Moskën. Sanksionet antiruse nuk i pengojnë për shembull parlamentarët francezë dhe deputetët e një sërë rajonesh italiane të vizitojnë Krimenë. Meqë përmendëm Italinë, gjithnjë e më shumë rajone të saj dalin kundër kufizimeve artificiale të lidhjeve tregtare me Rusinë.

Do doja të përmendja këtu që në sesionin e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov ka zhvilluar dhjetëra takime, përfshirë këtu edhe takime me ministrat e vendeve të Ballkanit, si Serbia, Maqedonia dhe Sllovenia. Nga ana ime mund t’ju siguroj, që Rusia nuk e konsideron angazhimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve. Vetëm duhet dalë jashtë kornizave të direktivave të politizuara dhe të veprohet në interes të vetë popullit.

Cilat janë fushat ku Shqipëria dhe Rusia mund të thellojnë bashkëpunimin? Për cilat prioritete ka interes Rusia?

Siç e theksova më sipër, lidhjet tona në fushën e kulturës dhe arsimit po ecin mirë. Çdo vit rreth 40 maturantë shqiptarë marrin falas bursa studimi për në universitet ruse. Më të kërkuarat nga shqiptarët janë ato degë që lidhen me mjekësinë dhe teknologjinë bashkëkohore. Nga sa jemi në dijeni, të diplomuarit në shkollat ruse këtu janë mjaft të kërkuar.

Nga ana tjetër, edhe studentët rusë çdo vit frekuentojnë kurset verore të gjuhës shqipe për të huajt, të organizuara nga Universiteti i Tiranës. Kultura dhe arti rus tradicionalisht kanë ngjallur interes të madh tek publiku shqiptar, i cili me të njëjtin entuziazëm i pret koncertet, ekspozitat, filmat dhe shfaqjet teatrale nga Rusia dhe për Rusinë. Do të dëshiroja që edhe në vendin tonë të krijoheshin më shumë mundësi për njohjen me Shqipërinë e mrekullueshme, me traditat dhe trashëgiminë e saj kulturore, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme.

Një potencial të madh kanë edhe lidhjet midis rajoneve të dy vendeve. Rrethet e Permit dhe Rostovit, Republika e Tataristanit dhe qytetet e mëdha si Moska dhe Shën Petërburgu vazhdimisht kanë treguar gatishmërinë e tyre për zhvillimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, kryesisht në fushën e tregtisë dhe turizmit. Me kënaqësi mund të konstatoj interesin reciprok të palës shqiptare, dhe pikërisht të bashkive të Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Po punojmë që këtë bashkëpunim ta çojmë drejt realizimit praktik. Shpresat e mëdha kemi tek takimi i ardhshëm i Komisionit Ndërqeveritar. Për fat të keq, ky instrument i fuqishëm i përparimit të bashkëpunimit dypalësh ka 7 vite që nuk funksionon.
Dua të theksoj që Rusia është e hapur për bashkëpunim me Shqipërinë për një spektër të gjerë çështjesh. Ne po i ftojmë vazhdimisht partnerët tanë shqiptarë për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare në Rusi: në samite, panaire, seminare e konferenca. Përfitoj këtu nga rasti dhe dua të ftoj të gjitha strukturat e interesuara shqiptare për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petërburgut në 2017.

Këtë aktivitet e vizitojnë çdo vit më shumë se 10 mijë pjesëmarrës nga Rusia dhe vendet jashtë saj. Do doja të shpresoja që Shqipëria do të ndjekë shembullin e Italisë, Francës, Greqisë, Hungarisë, Sllovenisë dhe shumë vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat po zhvillojnë në mënyrë aktive lidhjet humanitare dhe tregtare me Rusinë dhe po ndërtojnë bashkëpunim me përfitim reciprok, duke mos krijuar pengesa artificiale.

Kemi një kryeministër që thyen akuj dhe tabu. Ka çuar në një stad të ri marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa nuk kanë munguar as vizitat e shpeshta në Kinë. Pyetje është, a është e gatshme Moska të presë kryeministrin shqiptar në një vizitë zyrtare?

Mos doni të thoni, që marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë dhe vizitat në Kinë janë konsideruar si “tabu”? Nuk besoj që vetë z. Rama i percepton këto çështje si të tilla. Për sa i përket një vizite të mundshme të Kryeministrit shqiptar në Rusi, mund t’ju siguroj që jemi gjithmonë të hapur për iniciativa të tilla dhe do ta prisnim me gëzim udhëheqësin shqiptar, veçanërisht nëse kjo vizitë do të shoqërohej me një axhendë substantive.

Për më tepër, në Moskë janë të gatshëm të presin jo vetëm Kryeministrin, por edhe delegatë të tjerë zyrtarë, si në rang ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh. Ambasada rregullisht i dërgon palës shqiptare ftesa të shumta zyrtare për aktivitete të ndryshme ndërkombëtare dhe forume, të cilat zhvillohen në Rusi. Mendoj se do të habiteni, nëse ju them që pjesa më e madhe e këtyre ftesave thjesht mbeten pa asnjë lloj përgjigjeje.

Përjashtim këtë vit bënë vetëm Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, z. Gjiknuri, që mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petërburgut, dhe kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, i cili u bë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Urban në Moskë. Domethënë, çështja këtu nuk qëndron tek gatishmëria e Moskës, por tek gatishmëria dhe vullneti i palës shqiptare.

Rusia kërkon njohjen e Krimesë, sepse sipas jush në vitin 1954 Krimeja është ndarë me vendim të Byrosë Politike. Po Kosova që është ndarë nga Konferenca e Londrës, nuk ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë? Pse nuk e njihni Kosovën, si shenjë e parë të vullnetit të mirë dhe të sinqertë?

Rusia po kërkon jo “njohjen e Krimesë”, por njohjen e legjitimitetit të ribashkimit të saj me Rusinë, ribashkim ky që u realizua në vitin 2014 si rezultat i një referendumi absolutisht transparent. Rezultatet e tij flasin vetë: nga një pjesëmarrje prej 83%, më shumë se 95% e votuesve të Krimesë u shprehën për rikthimin e gadishullit në përbërje të Rusisë. Të heqësh paralele me Kosovën nuk është shumë e drejtë. Krimeja historikisht ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse, pra ka qenë pjesë e pandarë e shtetit rus.

Pas vitit 1954, pavarësisht kalimit të saj si pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, Krimeja mbeti në përbërje të vendit tonë të bashkuar, dhe të flasësh për “ndarjen e saj me vendim të Byrosë Politike” nuk është korrekte. Vetëm në 1991, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Krimeja u bë një nga rajonet e Ukrainës së pavarur. Fatkeqësisht, siç doli, Ukraina nuk mundi të siguronte respektimin e të drejtave legjitime të banorëve të Krimesë, në veçanti të drejtën për të folur gjuhën amtare. Pikërisht për këtë arsye, pas grushtit të shtetit në Kiev në shkurt 2014 populli i Krimesë votoi pothuajse njëzëri në referendum për ribashkimin me Rusinë.

Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës mbetet i pandryshuar: ne nisemi nga dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999, e cila konfirmoi angazhimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme. Dhe Rusia këtu nuk është e vetme, pasi qëndrimin tonë e mbështesin dhjetëra shtete të tjera. Meqë ra fjala, nuk duhet harruar që vetëvendosja e Kosovës, ndryshe nga Krimeja, u realizua pa mbajtjen e ndonjë referendumi.

Ka një Platformë për Shqipërinë Natyrale. Jeni njohur me këtë platformë? Cili është mendimi juaj?

Jo, nuk jemi në dijeni të ndonjë platforme të tillë.

Ka një shqetësim të vazhdueshëm për rritjen dhe konsolidimin e influencës ruse në Ballkan. Çfarë fshihet pas blerjeve masive të pronave nga shtetasit rusë, sidomos në Bullgari, Maqedoni, Greqi dhe Shqipëri? Cili është plani i Rusisë për Ballkanin? Çfarë mendoni për aspiratën e vendeve ballkanike për t’u integruar në NATO dhe BE?

Mendoni seriozisht që një qytetar rus, i cili ka vendosur të blejë një pronë diku në bregdetin e Bullgarisë apo Malit të Zi, e bënë këtë nën ndikimin e autoriteteve të Rusisë dhe mendon njëkohësisht për “konsilidimin e influencës ruse në Ballkan”? Është për të qeshur me gjykime të tilla, që në opinionin tim, janë pasojë e drejtpërdrejtë e fushatës antiruse të mediave perëndimore, të cilës i bashkohen edhe disa analistë shqiptarë.

Planet e Rusisë në Ballkan nuk dallohen për origjinalitet: ne jemi të interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve të barabarta, me interes dhe respekt reciprok me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu dhe Shqipërinë. Ne duam që këto marrëdhënie të diktohen jo nga konjuktura politike, por nga qëllimi pragmatik për të zgjeruar lidhjet humanitare dhe ekonomiko-tregtare. Ballkani, si më parë, ka një potencial të lartë konfliktual. Këtu janë ende të gjalla kujtimet e ngjarjeve të përgjakshme, që ndodhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Prandaj, në interesat tona të përbashkëta është të përqendrohemi jo në kërkimin e kërcënimeve imagjinare, por në përpjekjet për të forcuar paqen dhe sigurinë në rajon. Vendi ynë asnjëherë nuk ka penguar integrimin e ndonjë shteti në BE, dhe Ballkani këtu nuk bën përjashtim. Ashtu sikurse zgjerimi i NATO-s me të vërtetë ngjall pak dyshim.

Është një bllok politiko-ushtarak, i cili prej kohësh u është afruar shumë kufijve të Rusisë dhe tani po vazhdon të rrisë prezencën e tij në vendet Baltike, Poloni dhe shtete të tjera. Dhe e gjitha kjo po ndodh nën pretekstin e të ashtuquajturit “kërcënim rus”. Një linjë e tillë konfrontuese e aleancës në fakt është e shpjegueshme: pas shpërbërjes së Organizatës së Traktatit të Varshavës aleanca e humbi kuptimin e ekzistencës së saj, dhe vitet e fundit po përpiqet fort ta gjejë atë, duke përdorur si justifikim për zgjerimin e aktiviteti të saj ushtarak mitin për rrezikun e “agresionit rus”. Një retorikë e tillë antiruse po inkurajohet me çdo mënyrë edhe këtu në Ballkan.

Për Perëndimin, “forcimi i influencës së Moskës” është një argument më shumë në dobi të përshpejtimit të integrimit euroatlantik të rajonit, të cilit gjoja i kanoset rreziku dhe që duhet mbrojtur urgjent nga ndikimi “destruktiv” i jashtëm. Sigurisht, veprime të tilla të SHBA-ve dhe aleatëve të tyre nuk na shkojnë për shtat. Rusia është kundër ngritjes së barrierave artificiale në Evropë dhe përshkallëzimit të qëllimshëm të tensioneve. Ne kemi theksuar në mënyrë të përsëritur synimin tonë për të krijuar në rajonin euroatlantik një hapësirë të një sigurie të vetme e të pandashme. Megjithatë, nga ana e partnerëve tanë perëndimorë ne kurrë nuk kemi gjetur mirëkuptim dhe mbështetje.

Para pak kohe prokuroria holandeze paraqiti rezultatet e hetimit për rrezmin e avionit malajzian në territorin e Ukrainës. Si mund t’i komentoni?

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Hetimit, që hetoi rrëzimin e avionit malajzian në Ukrainë, shkaktoi në Rusi një zhgënjim të thellë. Në radhë të parë, sepse në kundërshtim me të gjitha të dhënat e paraqitura nga Rusia, me rezultatet e eksperimenteve dhe informacionetë tjera objektive, prokuroria holandeze në provat e saj vazhdon të bazohet në fotografitë dhe materialet filmike të mbledhura nga rrjetet sociale, si edhe në informacionet e institucioneve përkatëse të Ukrainës, të cilat, padyshim, janë pala e interesuar. Cilësia e provave të demonstruara gjatë prezantimit të raportit të bën të dyshosh në objektivitetin, vërtetësinë dhe paanshmërinë e punës së grupit hetimor.

Supozimi për transportimin e kompleksit kundërajror “Buk” në njëfarë trajleri të posaçëm i shkel të gjitha ligjet e logjikës dhe konfirmon që përfundimet e prokurorisë holandeze janë të motivuara politikisht. Megjithatë, pavarësisht se provat e pakontestueshme të palës ruse vazhdojnë të injorohen, dhe ekspertët rusë nuk lejohen të marrin pjesë në hetim, Moska, si më parë, shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe shpreson që rezultatet përfundimtare të hetimit do të jenë të paanshme dhe do të nxjerrin fajtorët realë të kësaj katastrofe të tmerrshme.

Disa muaj më parë Rusia dhe Turqia ishin në prag të një konflikti, për shkak të rrëzimit të avionit, por befas në kulmin e tensionit lindi një aleancë e re. Çfarë ndodhi mes dy vendeve?

Me të vërtetë, pas ngjarjeve të datës 24 nëntor 2015 kur bombarduesi rus SU-24 u rrëzua nga forcat ajrore turke, marrëdhëniet midis dy vendeve faktikisht u ngrinë. Siç dihet, pikëpamjet e Rusisë dhe Turqisë lidhur me këtë ngjarje ndryshonin rrënjësisht. Moska, e cila nuk ka marrë një vlerësim objektiv të incidentit dhe një reagim të pranueshëm nga autoritetet turke, si kundërpërgjigje vendosi t’i ndërpriste marrëdhëniet me Ankaranë. Pra, Rusia i kufizoi marrëdhëniet tregtare me Turqinë, urdhëroi ndërprerjen e shitjeve të paketave turistike për në resortet turke, ndaloi transportin ajror me charter dhe ndërmori një sërë masash të tjera ekonomike.

Në korrik të këtij viti, Ankaraja i kërkoi falje zyrtarisht Rusisë dhe familjes së pilotit të vrarë. Para pak kohësh, më 1 tetor, presidenti turk deklaroi synimin e tij për t’i çuar marrëdhëniet me Rusinë në një stad më lartë se para krizës. Rusia i vlerësoi pozitivisht hapat e ndërmarrë nga pala turke për normalizimin e marrëdhënieve dhe mori vendim t’i mbështeste. Në fakt, në vendin tonë populli turk vazhdon të konsiderohet popull mik si më parë. Për më tepër, jemi të vetëdijshëm që Turqia është një nga faktorët kyç në Lindjen e Mesme dhe pa bashkëpunimin me këtë shtet nuk është e mundur të normalizohet situata në rajon.

Kështu ka filluar procesi i ripërtëritjes së marrëdhënieve në nivelin e mëparshëm. Bëhet fjalë pikërisht për ripërtëritje marrëdhëniesh dhe jo krijim të një “aleance të re”. Presidentët Putin dhe Erdogan kanë zhvilluar deri tani tre takime, ku është diskutuar, ndër të tjera, për projekte me perspektivë të përbashkët, në veçanti për gazsjellësin “Rrjedha Turke”, ndërtimin në Turqi të një centrali bërthamor dhe bashkëpunimin në fushat e turizmit dhe bujqësisë. Tani për tani të gjitha këto marrëveshje gradualisht po kalojnë drejt zbatimit. Në Rusi, megjithatë, nuk pritet që kthimi në stadin e mëparshëm të bashkëpunimit të ndodhë shumë shpejt: ka ende shumë punë për të bërë.

Angazhimi ushtarak i Rusisë në Siri, mendoni se ka afruar apo larguar paqen?

Më 30 shtator 2016 mbushi një vit që nga fillimi i angazhimit ushtarak rus në Siri. Para së gjithash është e rëndësishme të theksohet, që veprimet e Rusisë në këtë vend, që nga fillimi, ishin absolutisht të ligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë në këtë konflikt, ne gjendemi në Siri me kërkesë zyrtare të autoriteteve legjitime të saj. Midis të tjerash, Rusia vepron në mënyrë absolutisht të hapur, është e gatshme për bashkëpunim operativ me kolegët perëndimorë dhe po zhvillon bisedime për paqe me grupe kundërshtare në kushte të rënda të luftës civile.

Çfarë ka arritur Rusia për këtë vit në Siri? Së pari, si rezultat i veprimeve të aviacionit rus u ndërpre, dhe në disa zona u shkatërrua fare, sistemi i furnizimit të terroristëve me resurse. Me ndihmën tonë, për një vit u çliruan më shumë se 600 qendra banimi dhe më shumë se 12 mijë kilometra katrorë të territorit sirian. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Studimeve të Luftës (ISË), Damasku me ndihmën ajrore të Rusisë arriti të rivendoste kontroll mbi territoret në veri të provincës Latakia, t’i merrte islamistëve Palmirën, të zgjeronte zonën e kontrollit në afërsi të Alepos, dhe tani edhe brenda në këtë qytet.

Po krahasojmë: para mbërritjes sonë në Siri koalicioni amerikan për më shumë se një vit gjoja po luftonte me terroristët në rajon. Rezultati i kësaj lufte nuk ishte pozitiv: islamistët pushtuan një pjesë të konsiderueshme të Irakut dhe pothuajse gjithë territorin e Sirisë. Pra, në tokat që kaluan nën kontrollin e terroristëve u gjendën më shumë se 10 milionë njerëz. Sa i përket arritjes së paqes në Siri, po ju citoj mendimin e përfaqësuesit të Institutit të Uashingtonit për Politikën në Lindjen e Mesme Xhef Uajt: “Përfundimi i plotë i konfliktit është ende larg, megjithatë Rusia me hapa gjithnjë e më të shpejtë po synon t’i japë fund atij”.

Pse Ambasada Ruse, ndryshe nga ambasadat e vendeve të tjera, ka qëndruar larg procesit të reformës në drejtësi në Shqipëri? Çfarë mendoni për këtë reformë?

Ambasada jonë ka qëndruar larg kësaj reforme për një arsye të thjeshtë. Parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Lidhur me këtë, ne e quajmë të palejueshme përfshirjen në proceset e politikës së brendshme të Shqipërisë. Shqipëria është një vend sovran dhe ne nuk e vëmë në dyshim aftësinë e drejtuesve të saj për të zgjidhur në mënyrë të pavarur çdo detyrë që i del përpara.

Çfarë fshihet pas misionit të ushtarakëve rusë, të cilët disa ditë më parë kryen një inspektim armëkontrolli në territorin e Shqipërisë?

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë znj. Kodheli tashmë ka bërë një koment shumë të qartë lidhur me këtë çështje. S’më mbetet të shtoj gjë tjetër. Mund të përsëris vetëm që ishte një inspektim rutinë në përputhje me dokumentin e Vjenës të OSBE-së të vitit 2011 “Për masat e forcimit të besimit dhe sigurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *