Nga: Fatmira Nikolli
Në pamje të parë të vijnë ndër mend imazhet e Salňs, por ka diçka teatrale e groteske në fotot e Idromenos që e ul pak temperaturën dramatike të imazheve e atëherë, nëse do i referoheshim sërish Pasolinit, nuk mund të mos mendosh për skenat e ferrit te ‘Dekameroni’, por edhe te ‘Tregimet e Kanterbury”.
Janë vitet 1892-1894 në Shkodër kur Kolë Idromeno në dritëshkronjën e tij “inskenon” ferrin. Mandej, ai do ta dokumentonte atë në fotografi që dalin për herë të parë pas 122 vitesh. Kola do t’i merrte personazhet nga rruga, do t’i fuste në studio ku ata do t’u nënshtroheshin pozave fotografike të kërkuara prej tij: dikush- do ishte djalli- a djajtë, e dikush- mëkatari. Dhunë, torturë, gërshërë, pinca, fytyra që rreken të imitojnë vetë Luciferin, sy të zgurdulluar- një ferr në tokë si ai i Pasolinit te “120 ditët e Sodomës”. Burra gjysmë të veshur(diku me veshje popullore), në dukje të papastër, të parruar, njerëz të zakonshëm që endeshin rrugëve të qytetit, “mëkatarë” të mjerë që i ‘dorëzohen’ djallit dhe mundimeve të ferrit, para fondaleve të Dritëshkronjës Idromeno. Të gjitha këto imazhe, patën shërbyer për pikturat e tij të ardhshme, që ose kanë humbur, ose janë diku të fshehura. “Një rezultat brilant, që unë do ta konsideroja superior karshi rezultatit piktorik. Një përzimje fantastike mes realitetit dhe teatralitetit”, thotë Adrian Paci, kurator i ekspozitës
“Dy rrugët” që çelet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” më 26 janar. Ekspozita vë përballë 12 fotot e Kolë Idromenos dhe pikturën “Dy rrugët” e njohur edhe si “Ferri e parajsa” e tij. Në një intervistë për “GAZETËN SHQIPTARE”, Adrian Paci thotë se “Idromeno nuk proteston me fotot e tij, ai nuk proteston as me pikturat e tija. Thjesht përshkruen, ilustron, tregon. Ka në tregimin e tij një marrje pozicioni, një identifikim të së keqes, por Idromeno nuk artikulon asnjëherë një britmë kundër saj”.
Duke vënë në dukje ngjashmërinë mes Idromenos e Pasolinit, Paci thekson se “jemi para dy personaliteteve krejt të ndryshëm, që operojnë në kontekste kohore, gjeografike, kulturore krejt të ndryshme”.
Ekspozita mund të vizitohet nga data 26 janar deri më 30 prill në Shkodër.
– Një grup prej 12 fotografish, të panjohura më herët të Kolë Idromenos, do të ekspozohen në Muzeun Kombëtar “Marubi” këtë muaj. Kur janë realizuar nga Idromeno dhe çfarë shfaqin këto fotografi?
Fotografitë që do ekspozohen në Muzeun Marubi nuk kanë datë të saktë. Ka gjasa që ato të jenë realizue diku në mes viteve 1892-1894 kur Idromeno punoi për një seri me piktura ku si subjekt asht marrdhania e së mirës me të keqen apo vuajtjet e mëkatit. Fotografitë nuk dokumentojnë momente të marra nga jeta, por janë inskenime pozash të cilat mandej Kola do i përdorte për të ndërtue kompozimet e veta piktorike. Në shumicën e rasteve kemi poza mundimesh e torturash që figura burrash, në shëmbëlltyrë të djallit, i bajnë viktimave të tyne që personifikojnë mëkatarin. Në ekspozitë kemi edhe një pikturë që paraqet dy djaj që i këpusin gjuhën një burri ndërsa ky digjet në flakët e ferrit dhe kjo pikturë ka lidhje direkte me njenën nga fotografitë. Kjo të ban me mendue se edhe fotot e tjera ose janë studime për piktura që nuk janë realizue ose kanë shërbye si model për piktura që kanë humbë apo kanë mbetë të mshehuna.
– Ju, i vini fotot përballë pikturës “Dy rrugët”, vepra e njohur ndryshe si “Ferri e parajsa” e Idromenos, për të cilën thuhet se është ndikuar nga ‘shthurja morale e kohës’. Sa ka ndikuar tek artisti ambienti ku jetonte, pra Shkodra e kohës për këto fotografi?
“Ballafaqimi” në mes fotove dhe pikturës “Dy Rrugët” asht ba ma tepër për ti vendosë në të njëjtin kontekst e për të nënvizue ngjashmënitë por edhe dallimet. Kolë Idromeno njihet ma shumë si piktor e ky “duel” mes pikturës e fotografisë në krijimtarinë e tij synon, veç të tjerash, edhe ripozicionimin e rolit të fotografisë ne trashëgiminë artistike që Idromeno na ka lanë. Duhet të kena parasysh se me Idromenon fillon tendenca realiste në pikturën shqiptare e kjo nuk asht thjesht çështje stili por mbi të gjitha mënyre pozicionimi para botës. Në këtë pozicionim praktika fotografike kishte një randesi të madhe mbasi kishte të bante me vrojtimin dhe paraqitjen e realitetit në gjithë vërtetsinë e vet. Fakti që Idromeno i merr personazhet nga rruga e i fut në studio për ti kthye në modele për veprat e tij tregon një marrdhanie direkte me realitetin. Nga ana tjetër modelet e Kolës i nënshtrohen pozave fotografike që ai sajon, duke krijue kështu një përzimje fantastike mes realitetit dhe teatralitetit, kodeve klasike dhe vërtetsisë së papritun që këto personazhe sjellin. Kemi në këtë menyrë një rezultat brilant që unë do ta konsideroja superior karshi rezultatit piktorik, gjithsesi të ndryshëm prej tij, ku Idromeno na shfaqet njëkohesisht si njohës elegant i simetrive dhe ritmeve klasike por edhe si një vrojtues dhe aktivizues entuziast i botës njerëzore që e rrethonte.
– Imazhet e publikuara deri tani, të sjellin ndërmend filmin e Pier Paolo Pasolinit, “Salo” ose “120 ditët e Sodomës” (1975), bazuar te vepra e markezit De Sad. Së pari, çfarë do të thotë kjo ngjashmëri, nëse kemi parasysh se Idromeno pati dekada që pati vdekur, kur Pasolini e realizoi?
Kjo ngjashmëni nuk i përket rendit të fakteve mbasi nuk kena asnjë arsye me mendue mbi një kontakt mes dy autorëve, por asht e mrekullueshme me pa, si në kontekste të ndryshme, në kohë e hapsina të ndryshme, format artistike na shfaqen me një ngjashmëni që mund të jetë vetëm e nëndheshme. Pasolini njihet si regjizor që i ndërtonte filmat e tij duke përdorë karaktere që nuk vinin ekskuzivisht nga bota e aktrimit. Kjo sepse ajo që kërkonte nuk ishte thjesht mjeshtria aktoriale por potencialiteti fizik i trupave dhe shprehjeve njerëzore të mbarsuna nga eksperienca e jetës ma shumë se nga filtrat e fiksionit artistik. Nga ana tjetër, Pasolini asht edhe njohës i traditës piktorike dhe nuk rresht se kërkuemi një pikë takimi midis memorieve piktorike klasike dhe realitetit njerëzor të periferive të kohës së vet. Ngjashmënia mes fotove të Idromenos dhe skenave të fundit nga Salň, munden me qenë edhe aksidentale, por qasja artistike që kërkon ura takimi mes kodeve të strukturuem dhe surprizave të paprituna që realiteti të rezervon, asht një qasje që duket se ka ushqye sa filmat e regjizorit të madh italian ashtu edhe fotografitë e mjeshtrit tonë.
– Ku qëndrojnë më së shumti këto foto, janë më afër “Dekameronit” të Pasolinit apo janë më afër “Republikës së Salos”?
Në pamje të parë të vijnë ndër mend imazhet e Salň-s, por ka diçka teatrale e groteske në fotot e Idromenos që e ul pak temperaturën dramatike të imazheve e atëhere, nëse do i referoheshim sërish Pasolini-t, nuk mund të mos mendosh për skenat e ferrit tek “Dekameroni” por edhe tek “Tregimet e Kanterbury”. Bahet fjalë gjithsesi për një botë njerezore ku e mira dhe e keqja, ku e tmerrshmja dhe e hareshmja, ku e vërteta dhe loja, bashkëjetojnë, në një tension organik e thellësisht njerëzor, mes tyne.
– Ndaj kujt protestojnë këto fotografi? Nëse Pasolini përmes filmit denonconte pushtetin dhe abuzimin me të, Idromeno, kujt i drejtohej?
E thashë edhe ma sipër se ngjashmënia mes Idromenos e Pasolini-t nuk duhet sforcue mbasi ajo nuk i përket rendit të fakteve, por një vëzhgimi interpretues. Jemi para dy personaliteteve krejt të ndryshëm, që operojnë në kontekste kohore, gjeografike, kulturore krejt të ndryshme. Idromeno nuk proteston me fotot e tij, ai nuk proteston as me pikturat e tija. Thjesht përshkruen, ilustron, tregon. Ka në tregimin e tij një marrje pozicioni, një identifikim të se keqes, por Idromeno nuk artikulon asnjëherë një britmë kundër saj.
– Pse kanë mbetur deri sot të panjohura këto imazhe?
Fakti se këto imazhe kanë mbetun të panjohuna deri tashti ka të bajnë me punën e madhe arkivuese që po bahet kohët e fundit në Muzeun ‘Marubi’ e që, siç duket, nuk ishte ba ma parë.
(GSH/BalkanWeb)