Dino Buzzati
Piktori i njohur Lucio Predonzani, dyzet e gjashtë vjeç, i cili ishte tërhequr prej kohësh në shtëpinë e tij në fshatin Vimerkato, u shtang një mëngjes kur, duke hapur gazetën e përditshme, pa në faqen e tretë, poshtë nga e djathta, titullin në katër kolona:
ARTI ITALIAN NË ZI
Piktori Predonzani vdiq
Dhe më poshtë një shënim të vogël me kursive: “Pas një sëmundjeje të shkurtër, ndaj së cilës mjekët nuk patën fuqi, piktori Lucio Predonzani u shua brenda dy ditëve. i ndjeri e la me gojë që njoftimi për vdekjen e tij të mos komunikohej pas varrimit!”
Vazhdontë një artikull nekrologjik, rreth një kolonë, i mbushur plot lëvdata dhe i nënshkruar nga kritiku i madh i artit, Stefani. Kishte gjithashtu një fotografi, që i përkiste 20 viteve të shkuara.
I trullosur, pa mundur t’u besonte syve, Predonzani e përpiu artikullin nekrologjik, duke kapur me bisht të syrit, me gjithë ngutjen, disa fraza të vogla ku shprehej një rezervë helmuese, shpërndarë me dinakëri të hollë, midis epiteteve që e miklonin.
-Matildë, Matildë! –thirri Predonzani, sapo arrit të mblidhte veten.
-Çfarë ke? – u përgjigj e shoqja nga dhoma tjetër.
-Eja shpejt, Matildë!
-Një minutë, kam hekurin e rrobave në dorë.
-Unë të them eja, pra!
Zëri i tij ishte aq sfilitës, sa Matilda ka hekurin dhe nxitoi.
-Ja…lexoje!- rënkoi piktori, duke i zgjatur gazetën.
Gruaja e mori, u zbeh dhe naivisht shpërtheu në dënesje nga dëshpërimi. “Oh, Lucio im, i shkreti Lucio im, thesari im…”, belbëzonte mes lotëve. Skena mbaro me pezmatimin e burrit:
-Po ti nuk je e marrë, Matildë! S’e sheh ku më ke?! Kaq gjë e kupton: ky është një gabim, një gabim i tmerrshëm!”
Matilda i ndali lotët menjëherë, dukë vështruar të shoqin, fytyrën e tij tashmë të qetësuar, befas, po aq shpejt sa ç’e kishte ndier veten vejushë një çast më parë, e prekur tani nga ana komike e situatës, atë e pushtoi një e qeshur me kukurizma.
-Oh, zot , sa e çuditshme! Oh,oh, çfarë historie! Më fal, Lucio, por ti e di…Një pikëllim për artin…dhe ti këtu shëndosh e mirë si molla!-pingërinte gruaja, duke u shkulur së qeshuri.
-Mjaft!- i hipën piktorit. –Ç’i zbardh dhëmbët si fyçkë?! Kjo që ka ndodhur është e tmerrshme, e tmerrshme! Por do të më shohë drejtori i gazetës! Shtrenjtë ka për t’i kushtuar shakaja!
Dhe Predonazi nuk e zgjati: vrapoi në qytet, drejt e në redaksi. Drejtori e priti gjithë dashamirësi.
-Ju lutem, mjeshtri im i dashur, uluni. Jo, jo aty, ky kolltuku tjetër është më i rehatshëm. Një cigare?…ç’djall çakmakësh, mëzalla se ndezin çak-fak! Urdhëroni, ja dhe taketukja. Dhe tash jam gati t’ju dëgjoj; ç’erë e mirë ju solli?
Shtirej apo s’e dinte vërtetë atë që kishte botuar gazeta e tij?
Predonzani mbeti i shastisur.
-Por…në gazetën e sotme…në faqen e tretë… Aty është lajmi i vdekjes sime.
-Vdekjes suaj?
Drejtori mori një gazetë të palosur në tavolinë, e hapi, e pa, kuptoi ( ose bëri gjasme) dhe lëshoi një kollitje, pas një hutimi tepër të shkurtër.
-Eh, me të vërtetë paska rrëshqitur një gabim i vogël… një mospërputhje e lehtë. – Ai foli si një baba, që sa për sy e faqe, e qorton të birin përpara një kalimtari të lënduar nga fëmija.
-Një mospërputhje, një gabim i vogël?!- bërtiti ai. – Po ju më keni vrarë, ja çfarë më keni bërë! Kjo është monstruoze!
-Po, po, – ia bëri drejtori pa prishur gjakun, -mundet… Hm, desha të them se konteksti i informacionit ka..hm, tejkalohen pak qëllimet tona. Veçse, shpresoj, do të keni ditur ta çmoni siç duhet vlerën e homazhit që gazeta ime i bën artit tuaj?
– i bukur homazh! Ju më keni marrë më qafë.
– Hm, nuk e mohoj që një gabim i lehtë të ketë rrëshqitur në…
-Si, të më bëni të vdekur, kur jam gjallë?!…Dhe këtë e quani një gabim? Po kjo është për t’u çmendur. Unë kërkoj korrigjim të plotë dhe po në vendin ku është botuar artikulli. Madje, rezervoj të gjitha të drejtat që t’ju padis për dëmet dhe interesat.
-Dëmet?! Por, zotëria im i mirë, – nga “mjeshtër” u kalua thjesht në “zotëri”, një shenjë e keqe, -që ju nuk keni kuptuar shansin e jashtëzakonshëm që ju erdhi në derë.
-Shansin?
-Po, pikërisht shansin. Dhe si? Kur vdes një artist, çmimi i tablove të tij shkon shumë përpjetë. E kështu padashje ne ju kemi bërë një shërbim të paçmuar.
Pjesë nga tregimi “ I vdekur gabimisht” shkëputur nga përmbledhja me tregime, Gruaja me flatra. Përktheu: Dritan Çela