Primo Shllaku
I TRETI
Në dhomën tande të sekreteve
unë isha rafti ballëgjanë,
që nën za ankohet me korin e molave
e kambët i zhyten në pluhnin e vet.
Në odën tande të sekreteve
unë isha tavani, tavani e ajri
ku engjëj faqeçjerrë sillen si të marrë,
përplasen, rrëzohen
e mbi dysheme bien si të lehuna qensh.
Në çastin tand të sekreteve
unë isha gropa e jastëkut,
vendi i zhbiruem i çarçafit të djegun,
nji vath i shkulun, humbun ndër flokë.
Dritën mos e fik.
Errësinë do të bahem
e ma afër do të më kesh.
Mbi frymën tande do të digjem…