Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka shprehur keqardhje që e ka cilësuar Barack Obamën “bir bushtre”, një deklaratë e cila bëri që udhëheqësi i SHBA-së të anulonte takimin me Duterten në samitin rajonal në Laos.
Ai është rrekur të zvogëlojë dëmin e bërë, duke u shprehur se deklarata e parë nuk i adresohej Obamës, por një gazetari dhe në deklaratën e re tregohet i gatshëm “të hajë të gjallë milicët islamikë”.
Përmes një deklarate të lexuar nga zëdhënësi i tij, Duterte tha se ‘vërejtja’ nuk ka pasur si qëllim të jetë një fyerje personale. “Ndërkohë arsyeja e deklaratave të mia ishin pyetje të caktuara që shtypi ka ngritur me shqetësim dhe ankth. Ne na vjen keq që ajo u pa si sulm personal ndaj presidentit të SHBA-së”, citohet të ketë thënë Ernesto Abella Duterte sipas “The Guardian” shkruan Pasqyre.al.
Ai ka shtuar se një takim me SHBA-në është “rënë dakord reciprokisht të zhvendoset në një datë të mëvonshme”.
Duterte i bëri komentet e tij fillestare në vijim të kritikave që SHBA bëri pas vrasjeve pa gjyq në një luftë të përgjakshme për drogën në Filipine. “Bir bushtre (prostitute), unë do të të mallkoj në atë forum”, u citua të ketë thënë Duterte në drejtim të Obamës, duke kërkuar që të mos bëhen pyetje mbi ato që po ndodhin në Filipine.
Në fillim Obama tha se ai po përpiqej të zhvillonte “disa biseda konstruktive e produktive” me Duterte, por më pas një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se takimi ishte anuluar./Pasqyre.al