I përndjekuri i dashurisë…

Nga Dritëro Agolli

Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë,
Po çudi as qelia s’më mbyt.
Dhe s’më mbyt as dritarja e zezë.
Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua.
I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë,
Erotim i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë.
Ky burgim sa do zgjasë s’e di,
I përjetshëm do kisha dëshirë.
Veç ti eja më shih në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë.
Do të jete mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.
Ahere ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
Ti çele herët, moj bajame!”
Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…
E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
Ti çele herët, moj bajame!

DRITËRO AGOLLI

Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *