“I, Daniel Blake” triumfon në Festivalin e Cannes

Ceremonia përmbyllëse e edicionit të 69-të të Festivalit të Filmit në Cannes u shoqërua me tronditje e shumë të papritura, madje edhe fjalë e kritika për jurinë.

Pak prej favoritëve të parashikuar dolën me çmime prej aty, përderisa triumfuan disa filma të përqeshur më herët dhe duket sikur u aplikua edhe rregulli një çmim për një film.

Ken Loach fitoi për herë të dytë “Palmën e artë” (Palme d’Or)- çmimin më të lartë të Festivalit – për filmin “I, Daniel Blake”, një dramë socio-realiste që flet për një zdrukthëtar me aftësi të kufizuara që lufton me burokracinë e sistemit të mirëqenies sociale, transmeton “Koha Ditore” The Guardian. Regjisori, i cili muajin tjetër mbush 80 vjeç, është rikthyer nga pensionimi për të realizuar këtë film dhe u ngjit në skenë në “Palais” për t’iu drejtuar audiencës në frëngjisht.

“Festivali është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e kinematografisë”, ka thënë ai, duke i udhëzuar të gjithë të pranishmit që të “qëndrojnë të fortë”.

Loach e ka vazhduar fjalimin, duke thënë se është “shumë e çuditshme” ta pranoj këtë çmim i rrethuar me kaq shumë glamur, duke marrë parasysh kushtet në të cilat jetojnë njerëzit që e kishin inspiruar ta realizonte filmin.

“Kur ka dëshpërim, përfitojnë njerëzit nga e djathta ekstreme”, ka thënë Loach. “Duhet të themi se një tjetër botë është e mundur dhe e domosdoshme”.

Loach ka audiencë besnike në Evropë: shumica e filmave të tij kishin pasur premierën në “Cannes” përderisa “The Wind that Shakes the Barley”, që flet për dy vëllezër që i ishin bashkuar IRA-së në fillim të viteve ’20, kishte marrë “Palmën e artë” më 2006. E megjithatë, shumë pak veta e kanë parashikuar fitoren e filmbërësit veteran në ceremoninë e së dielës.

Çmimi për regjinë më të mirë u nda mes dramës rumune “Graduation” të Cristian Mungiu dhe “Personal Shopper” – një film horror me protagonist Kristen Stewart. I pari ishte mirëpritur ngrohtësisht përderisa i dyti ishte fishkëllyer pas premierës për media, megjithëse jo aq shumë sa melodrama “It’s Only the End of the World” e Xavier Dolan që flet për një burrë të ri që rikthehet në familjen e tij për t’iu treguar se është duke vdekur. Ky film mori “Grand Prix” duke shënuar triumfin e dytë për Dolan, pas suksesit që kishte pasur më 2014 me filmin “Mommy”. Gjatë një fjalimi emocionues, 27-vjeçari francezo-kanadez, falënderoi producentin e tij që “kishte ndier emocionin e filmit”.

“Emocioni nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ndarë me të tjerët”, ka vazhduar ai. “Dhuna mund të tingëllojë si britmë. Të gjitha që i bëjmë në këtë botë, i bëjmë për të qenë të dashur. Sidomos unë. Të jem i pranuar. Sa më shumë që rritem, aq më vështirë e kam të kuptohem nga të tjerët. Tani e di se kush jam”.

Ndërkohë, filmbërësja britanike, Andrea Arnold, fitoi çmimin e tretë të jurisë “Jury Prize”, për filmin “American Honey”, që flet për një udhëtim nëpër Shtetet të Bashkuara të Amerikës.

“Kur jam e lumtur, kam dëshirë të vallëzoj”, ka thënë Arlond në fjalimin gjatë së cilit ka falënderuar ekipin e vet.

“The Salesman” i Aghar Fahardi – një triler që flet për një aktor që është munduar nga dëshira për hakmarrje pasi që gruaja e tij sulmohet në apartamentin e tyre, mori çmimin për skenarin më të mirë dhe çmimin për aktorin më të mirë që i takoi Shahab Hosseinit.

“Nuk e prisja një çmim të dytë për filmin”, ka thënë Fahardi në skenë. Jaclyn Jose ka fituar çmimin për aktoren më të mirë për rolin e një nëne që lufton kundër policisë së korruptuar në trilerin “Ma Rosa”.

“Jam kaq e befasuar”, ka thënë ajo derisa ka falënderuar festivalin dhe ia ka dedikuar çmimin e saj “filipinëve”. Juria e edicionit të sivjetmë është udhëhequr nga regjisori i “Mad Max”, George Miller. Kolegë të tij kanë qenë Laszlo Nemes, dhe aktorët Donald Sutherland, Kirsten Dunst dhe Vanessa Paradis. Duke folur në fillim të ceremonisë, Miller e ka përshkruar punën e vet “të lodhshme, por një nga eksperiencat më të mira në jetë”.

“Duhet të përgëzojmë festivalin për këtë festë të kinematografisë”, ka thënë ai. “Ne me shumë pasion kemi debatuar për filmat. Asgjë nuk është lënë pa u thënë”. Çmimi i nderit i ka takuar aktorit veteran francez Jean-Pierre Léaud, të njohur më së shumti për bashkëpunimet e tij me François Truffaut. Léaud, tashmë 71-vjeçar ka portretizuar personazhin Antoine Doinel në një seri filmash. Me gjithë fundin e papritur, verdikti në festivalin e sivjetmë të Cannes kaloi pa ndezje fishekzjarrësh për edicionet e mëparshme dhe me më pak filma debutues. Megjithatë triumfin ishte paqja jashtë “Palais”, me sigurinë e ngritur dhe 500 policë shtesë që rrinin të gatshëm për të reaguar në rast ndonjë kërcënimi terrorist.KOHA.NET

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *