HUMBUR NË QIELL, NGA T’IA MBAJ?
(Заблудился я в небе — что делать?)
Nëpër qiell kam humbur, nga t’ja mbaj?
Qiellin kush njeh, të më përgjigjet!
Rreth i nëntë dantesk qe më kollaj,
Si gjimnastikë qe, si zbavitje.
Mua dhe jetën nuk na ndani dot:
Më vret, pastaj vjen e do të puthet,
Që nga vesh e sy me gjith’ kokërdhok’
Malli për Firencen të më zhduket.
Kurora mos më vini mbi krye
Dafina jo, as dolli me gota,
Më mirë këtë zemër e shqyej
Dhe në qiell e hedh copa-copa…
Dhe kur të shtrihem për gjumin e madh,
Në gjallje miq e shokë kam patur,
Që do ta shpjenë më thellë, më lart,
Thirrjen e qiellit në gjoksin akull.
© shqipëroi Maksim Rakipaj
Kalendari Poetik: Osip Emiljeviç Mandelshtam, poeti martir
Poet, shkrimtar eseist rus. U lind më 15 janar 1891 në Varshavë (atë kohë pjesë e perandorisë ruse). Me prejardhje çifute, i ati tregëtar lëkurësh, e ëma pianiste dhe mësuese muzike. Në vitin 1907 shkroi poezinë e parë. Më 1908 vendosi të studionte letërsi dhe filosofi në Sorbonë, por pas një viti vazhdoi universitetin në Hajdelberg për ta përfunduar në vitin 1911 në Sankt Pjetërburg. Vendosja e regjimit komunist në Rusi ia vështirësoi jetën poetit që, në vitet e para pas revolucionit të Tetorit, pati përkrahur me naivitet bolshevizmin. Fati i tij u vendos përfundimisht kur shkroi në nëntor 1933 poezinë e tij të famshme kundër Stalinit, ku e quan “Fshatari i Kremlinit”, pas gjashtë muajsh e arrestuan, i ndaluan të banonte në qytetet e mëdha dhe e dërguan me banim të detyruar në Voronezh. Por nuk zgjati shumë dhe në vitin 1938 e arrestuan dhe e dërguan në Siberi. Akuza: veprimtari kunderrevolucionare. Vdiq në gulagun Vtoraja Rjeçka, një pikë ndërmjetëse para se ta dërgonin në Vladivostok. Ishte data 28 dhjetor 1938.