Historia tronditëse e dhunës komuniste ndaj Sevasti Qiriazit: Si i vrau Enver Hoxha, djalin dhe bashkëshortin

Si ja vrau Enver Hoxha djalin, Gjergjin dhe bashkëshortin, Kristo Dako. Çfarë shkruante Edit Durham për zonjushën Kyrias (Sevasti Qiriazi), gruan kurajoze: Shkolla e Vashave ishte kaq moderne saqë më dukej se isha kthyer papritur në Europë. Sot 67 vjet nga dita, kur nëna e arsimit shqiptar ndërroi jetë në mjerim.

“Mësonjëtorja”, është një ndër filmat më të bukur shqiptarë të realizuar në kohën e diktaturës komuniste. Ai film është mishërim i personazheve të shquar të arsimit shqiptar, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi dhe vëllait të tyre Gjerasim Qiriazi. Sevastia e Gjerasimi vijnë në këtë film përmes personazheve kryesorë Dafina e Stefan Bardhi. Ai film i kushtohej Sevastisë, por në asnjë rast nuk identifikohej ky fakt, sepse Sevasti Qiriazi dhe familja e saj pësuan dhunën më të tmerrshme të sistemit komunist, me vrasje, burgosje e internime. Nuk mund të ishte ndryshe sepse ishte një ndër familjet më të kulturuara në Shqipëri. Sevasti Qiriazi bashkë me vëllain e motrën e saj, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë dhe kaq mjafton. Padyshim që do të përballej me të njëjtin mallkim që u përballën mijëra shqiptarë të arsimuar. Dijet e tyre ishin armiku kryesor i diktatorit Enver Hoxha.

Sot u mbushën 67 vjet, nga dita kur Sevasti Qiriazi ndërroi jetë. Ajo mbylli sytë më 30 gusht të vitit 1949, në dëshpërim për humbjen e djalit të saj Gjergjit, kirurgu i famshëm i asaj kohe, i cili nuk i mbijetoi dot torturave në burgjeve komuniste. Sevasti Qiriazi përjetoi zemërplasur humbjen e Gjergjit e trupin e munguar të tij për ta përcjellë në banesën e fundit. Komunistët nuk ia kanë dhënë as këtë mundësi. Sevasti Qiriazi përjetoi burgosjen e djalit tjetër, Aleksandrit si dhe vrasjen e përdhosjen e kufomës së bashkëshortit të saj, patriotit të madh, Kristo Dakos. Ajo iku nga kjo botë, pasi pa të shkatërruar familjen, por edhe atdheun e saj, për të cilin kishte punuar me mish e shpirt, gjtihë jetën e saj.

Si sot 67 vite më parë ajo u përcoll për në banesën e fundit. Ishte një ceremoni e ftohtë, pa nderime, pa fjalime pa dekorata e pa njerëz. Arkivoli i saj, ishte vendosur në një karrocë, e cila shoqërohej vetëm nga njerëzit shumë të afërt të familjes, dy nuset e djemve, mbesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias. Por, cila ishte ajo grua e madhe që rregjimi komunist e gjunjëzoi?!

Themeluese e Shkollës së Vashave në Korçë

Sevasti Dako (Qiriazi), lindi në vitin 1871 dhe ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Ishte e para grua shqiptare që studioi në institucion amerikan, kolegjin me emër “Robert College” në Konstandinopojë (Stamboll), të cilin e kreu në qershor 1891. Pas përfundimit të studimeve, ajo u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Bashkë me motrën e saj Parashqevi Qiriazi, ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë, nga ku dolën shumë emra të njohur të femrave, të cilat kontribuan në fushën e arsimit. Sevasti Qiriazi mbahet mend për shumë veprimtari patriotike, por kryesisht si nismëtare e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.

Ja çfarë shkruante Edit Durham, pas vizitës në Korçë në vitin 1903. Ajo e përshkruante kështu shkollën e Vashave: “Zonjusha Kyrias (Sevasti Qiriazi), një grua shumë e përgatitur dhe kurajoze, pati shkuar në Amerikë me ndihmën e misionarëve amerikanë, qe trajnuar atje dhe kur u kthye në Korçë qe emëruar drejtoreshë e një shkolle femërore nën patronazhin e Misionit Amerikan. (Sevasti) përdorte tekste shkollorë amerikanë dhe jepte mësim në gjuhën shqipe. Mbas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, kjo mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë jugore ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të ishin persekutuar nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat krishtere dhe muslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin në shqip dhe i mësonin edhe vëllezërve të tyre. Shkolla e Vashave ishte kaq moderne saqë më dukej se isha kthyer papritur në Europë./27.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *