E premte, 22 dhjetor 2017 – Shenjtori i Ditës.
Shën Anastasia, emri i së cilës do të thotë ngjallje, jetoi në Romë, në kohën e Dioklecianit kur ky mbretëronte në perandorinë e Perëndimit (284-305). I ati i saj, Preteksatusi, ishte një pagan i pasur dhe i famshëm, ndërsa e ëma Fausta ishte besimtare. Kjo, pasi mbolli në shpirtin e vajzës farat e para të besimit, ia besoi Krisogonit, e cili ishte njeri i nderuar, plot me urtësi dhe dije në Shkrimet e Shenjta. Më pas, i ati e martoi, pa dëshirën e saj, me një njeri me sjellje mjerane, Publiusin, i cili mendonte të kënaqte me të vetëm dëshirat e tij të ulëta mishore. Duke pasur dashuri të madhe për Dhëndrin qiellor dhe për virgjërinë që e bën njeriun të ngjashëm me engjëjt, vajza e re arriti të shmangte marrëdhëniet mishore me të shoqin, duke u shtirur si e sëmurë.
Netëve, vishej me rroba të varfra si një njeri i zakonshëm dhe, bashkë me një shërbëtore të saj, shkonte për të vizituar ushtarët e Krishtit që ndodheshin në burgjet e perandorit, për shkak të besimit të tyre. Ajo arrinte të futej në burgje, duke u dhënë ar rojave dhe në këtë mënyrë lehtësonte disi vuajtjen e atyre që ishin torturuar për emrin e Krishtit. U lante këmbët, u pastronte dhe u fashonte plagët dhe i inkurajonte të qëndronin të palëkundur deri në fund të betejës së tyre, për të marrë palmat e fitores dhe të lavdisë së përjetshme. Por, kur Publiusi mori vesh se gruaja e tij e kishte gënjyer për sëmundjen dhe se ajo kujdesej për njerëz të përbuzur, siç ishin martirët e krishterë, ai u zemërua shumë dhe e mbylli Anastasinë në dhomën e saj, duke i penguar çdo kontakt me botën e jashtme.
Falë ndërmjetësisë së një gruaje të moshuar të krishterë, që jetonte aty afër, Anastasia arriti t’i dërgonte një letër atit të saj shpirtëror, Krisogonit, që ndodhej edhe ai në burg me urdhër të perandorit. Ai iu përgjigj me një letër plot gëzim dhe shpresë, duke e ngushëlluar në shtrëngimin e saj dhe duke e nxitur që të duronte, sepse burgosjet, persekutimet, vuajtjet e çdo lloji, janë pjesa e nxënësve të Krishtit, të Atij që pranoi të vuante për hir të shpëtimit tonë. E ngushëlluar nga këto fjalë, gruaja e re provoi me durim keqtrajtimet e atyre që e ruanin, edhe pse ishin shumë të rënda, sepse e privonin thuajse tërësisht nga ushqimi.
Në një letër të dytë, Krisogoni i ripërtëriti fuqitë e saj, duke e këshilluar të bëhej gati në çdo çast edhe për të vdekur për hir të Krishtit, që të numërohej kështu në rreshtat e martirëve fitimtarë. Duke iu shtuar përditë gëzimi dhe fuqia e besimit, shën Anastasia duroi kështu rreth 3 muaj, në fund të të cilëve arriti të rifitonte lirinë, meqë burri i saj u mbyt në det gjatë një ekspedite drejt Persisë. Ajo shkoi dhe vizitoi Krisogonin në burg dhe mori bekimin e tij për të ndarë gjithë pasurinë në vepra bamirësie, duke ia përkushtuar jetën e saj vizitave dhe mbështetjes së pohuesve të besimit nëpër burgje.
Diokleciani, gjatë qëndrimit të tij në Akuila, urdhëroi të vriteshin të krishterët e burgosur në burgjet e Romës dhe solli përpara tij Krisogonin, një nga përgjegjësit kryesorë të qëndrimit të fortë të të krishterëve. Pasi i hodhi poshtë me një ironi përbuzëse propozimet e kota të sovranit, që premtonte se do ta mbushte përplot me ndere nëse pranonte të nënshtrohej, plaku heroik u çua në një vend të shkretë dhe iu pre koka, ndërsa trupin ia flakën në një lumë që ndodhej aty pranë. Pak kohë më vonë, sipas një zbulese hyjnore, u gjetën lipsanet e tij të shenjta dhe u varrosën me kujdes nga një asket i shenjtë, që banonte në krahinë, i quajtur Zoil dhe nga 3 motra të reja me origjinë nga Selaniku: Agapia, Kionia dhe Irini. Në vazhdim, sipas zbulesës së treguar nga Zoili, 3 vajzat e reja, të mbështetura nga Anastasia, i arrestuan dhe i çuan përpara Dioklecianit në Akuila, ku u martizuan heroikisht për hir të Krishtit.
Anastasia shërbente natë e ditë pa e llogaritur veten për shoqet e saj dhe për të gjithë pohuesit e besës; nuk kishte të krishterë, që nuk gjente ndihmë dhe prehje shpirtërore prej saj: ushqim, para, ndihmë shpirtërore, fjalë të zjarrta për t’i inkurajuar që të rezistonin dhe që të shpresonin në të mirat qiellore. Kur ata përfundonin betejën e tyre, ajo u siguronte trupave të tyre një varrim të denjë dhe të kryer me lutje. Kur tirani dha urdhër të vriteshin në një natë të gjithë ata që ndodheshin të mbyllur në burgje, disa duke i mbytur, disa duke i vrarë, të tjerët duke i djegur apo duke i kaluar në tehun e shpatës, Anastasia shkoi në burg, sipas zakonit, por nuk pa asnjë prej vëllezërve të saj dhe nisi të qante me dënesë, e dërrmuar prej dhimbjes.
Kur paganët që po kalonin andej e pyetën për shkakun e mërzitjes, ajo u tha pa kurrfarë frike se edhe ajo ishte e krishterë dhe se po qante për largimin e vëllezërve të saj. E arrestuan në çast si një grua të zakonshme dhe e çuan përpara Florusit, prefektit të Ilirikumit. Kur mësoi për origjinën e saj të lartë, ai nuk ua dha xhelatëve që ta torturonin dhe u përpoq ta bindte duke e marrë në pyetje. Të nesërmen e çuan në pallat, përpara Dioklecianit. Por përsëri përgjigjet e saj ishin të njëjta si më parë: ajo përbuzte të mirat materiale dhe vlerësimet e botës, duke pritur me padurim bashkimin e saj me vëllezërit në Mbretërinë e Qiejve. Në fund të këtyre diskutimeve, Florusi vendosi t’ia dorëzonte vejushën e re priftit të madh të Kapitolit, Ulpianus, i cili e çoi në pallatin e tij dhe i tregoi një sasi të madhe ari, varësesh dhe zbukurimesh të shtrenjta dhe nga ana tjetër veglat e torturës, pamja e të cilave tmerronte edhe paganët më zemërgurë. Nëse pranonte t’u bënte sakrificë perëndive, ai i premtoi se do ta merrte për grua dhe se kishte për ta mbuluar me pasuri, nëse jo, do ta torturonte egërsisht.
Gjatë 3 ditëve, ajo u la në kujdesjen e 3 grave të këqija që përpiqeshin ta bindnin; por ajo lutej vazhdimisht, pa ngrënë dhe pa fjetur, dhe në këtë mënyrë i ripërtëriheshin fuqitë. Ndërsa Ulpianusi iu sul për ta përdhunuar, ai u godit papritur nga verbimi dhe vdiq, pasi u ishte falur me të madhe hyjnive të tij imagjinare.
Anastasia u çlirua dhe shkoi në Nike të Bitinisë, ku, duke vizituar burgjet, u takua me vejushën besimtare Theodhota, e cila edhe ajo i ishte përkushtuar ndihmës së të krishterëve që pohonin besimin e tyre. Diokleciani ia dha për grua kontit të Bitinisë, Lefkadhit, që ta tërhiqte drejt jetës mondane duke e bindur të mohonte Krishtin. Por, pasi ajo, njësoj si Anastasia, nuk pranoi të bashkohej me të, Theodhota përfitoi nga mungesa e të shoqit për t’iu përkushtuar e tëra, së bashku me të 3 fëmijët e saj, shërbimit dhe mbështetjes së ushtarëve të Krishtit.
Kur e mësoi këtë sjellje, Lefkadhi i tërbuar e dorëzoi gruan te prokonsulli i Bitinisë, Niketi, që ajo të ndëshkohej. Meqë Theodhota bashkë me fëmijët e saj nuk u dorëzuan, atëherë u bënë gati të merrnin palmat e fitores. Biri i saj i madh, Evodhi, që e çuan përpara torturës, i tha këto fjalë tiranit: “Ti e shikon mirë se vendosmëria e shpirtit tonë dhe guximi i fjalëve tona, me gjithë moshën tonë të re, na janë dhënë dhuratë prej Krishtit. Kjo fuqi na jepet dhe na merret prej Krishtit”. I inkurajuar me fjalë besimi nga e ëma që të mos përkulej, djali i ri iu dorëzua xhelatëve dhe vdiq nën goditjet e fshikujve. Ndërsa e ëma, u hodh bashkë me 2 vajzat e saj në një zjarr të madh, duke lavdëruar Perëndinë që e lejoi të fitonte kështu Qiellin së bashku me fëmijët.
Shën Anastasinë e arrestuan dhe e çuan përpara prefektit të ri të Ilirisë, Lukianit, një njeri lakmitar dhe i papërmbajtur, të cilit ajo i mohoi t’i jepte pasurinë e saj. “Perëndia nuk më ka urdhëruar që t’u jap të pasurve si ty pasurinë time, por të varfërve, për t’u sjellë shpëtimin e shpirtrave të tyre” i tha ajo prefektit. E futën në burg, ku qëndroi për një muaj, pa marrë kurrfarë ushqimi, e ngushëlluar dhe inkurajuar nga vizionet e shpeshta të shën Theodhotës. Kur prefekti e pa plot dritë dhe gëzim për shkak të fuqisë shpirtërore të dhënë tek ajo nga Perëndia, vendosi ta linte në burg edhe për 30 ditë, duke e dorëzuar te xhelatët më të egër, dhe, në fund të këtyre ditëve, e dënoi me vdekje.
Në shoqërinë e rreth 130 paganëve, të dënuar për krime të rëndomta, si dhe vetëm të një të krishteri, të quajtur Eftikien, Anastasinë e hipën në një anije të shpuar dhe e braktisën në det. Por, para se anija të fundosej, u shfaq shën Theodhota te timoni dhe e çoi anijen deri në ishullin Palmaria, ku ndodheshin të krishterë të internuar. Përpara kësaj mrekullie, të gjithë të dënuarit përqafuan besimin e krishterë, plot mirënjohje. Kur mësoi këtë lajm, prefekti dërgoi trupat e tij në ishull, të cilët arrestuan 200 të krishterë dhe më pas ua prenë kokat, bashkë me Anastasinë, e cila fitoi më në fund palmën e martires.
Lipsanet e saj të shenjta, në fillim u transferuan në Romë, ku u ndërtua edhe një kishë në nder të saj, pastaj u transferuan në Konstandinopojë, nga patriarku shën Genadi, në vitin 470 dhe u vendosën në kishën që mban emrin e saj, ku kryhen mrekulli të shumta.