Historia e politikanit francez/ Gusht 1806: Chateaubriand dhe bukuroshja shqiptare

Në librin « Album de Chateaubriand – 1862 » gjejmë një shkrim të shkurtër në faqen n° 98 me titull « Chateaubriand i sëmurë tek një shqiptar ».

Shkrimtari dhe politikani i njohur francez, François René de Chateaubriand, në zhegun e muajit gusht të 1806, niset për vizitë tek një shqiptar që banonte në « Kératia » (në periferi të Athinës) dhe që njihej me konsullin francez të kryeqytetit grek.

Gjatë udhëtimit, atë e kapin ethet dhe detyrohet të kalojë natën në banesën e shqiptarit.

Në vijim, autori na rrëfen gjendjen e tij shpirtërore (fizike dhe emocionale) në praninë e bukuroshes shqiptare :

« Të nesërmen, e kalova ditën i shtrirë mbi shkorsën time, ndërsa të gjithë kishin dalë në ara ; Edhe vetë Jozefi kishte dalë ; Ishte aty vetëm vajza e mikpritësit tim. Ishte një vajzë shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeçe, mjaft e bukur, që ecte këmbëzbathur dhe në flokë kishte plot medalje dhe monedha të vogla argjendi. Ajo nuk më shikonte fare dhe punonte sikur të mos isha aty.

Dera ishte e çelur, dhe nga aty hynin rrezet e diellit. Ishte i vetmi vend i ndriçuar në dhomë. Herë pas here më zinte gjumi ; Zgjohesha dhe shihja sërish vajzën shqiptare, të merrej me diçka tjetër, duke kënduar me gjysëm zëri apo duke rregulluar flokët e saj. Ndonjëherë i kërkoja ujë dhe ajo më sillte një vazo të mbushur plot ; duarkryq, ajo priste me qetësi të shuaja etjen, dhe pasi kisha mbaruar, ajo më pyeste : Ju bëri mirë ? Dhe pastaj u kthente në punën e saj.

Në heshtjen e mesditës dëgjohej vetëm gumëzhima e disa insekteve në banesë dhe disa gjela që këndonin jashtë. E ndjeja kokën bosh, siç ndodh shpesh pas një temperature të lartë ; sytë e mi të lodhur shikonin të fluturonin rreth mej një sasi shkëndijash dhe flluskash drite. Unë kisha vetëm mendime të turbullta por ama të ëmbla. »

Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Aurenc Bebja, Francë – 14 Tetor 2016

Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : http://www.darsiani.com/opinion/gusht-1806-chateaubriand-dhe-bukuroshja-shqiptare/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *