Historia e një gruaje që nuk lindi fëmijë

Vjen në shqip shkrimtari bashkëkohor grek Dimitris Dimitriadis

Me një gjuhë që shëndrrohej lehtë në një gjuhë tjetër, Eleana Zhako ka sjellë në shqip një nga veprat më të mira të autorit grek Dimitris Dimitriadis “Vdes siç vdes një vend”.

Një histori që vjen në 45 faqe libërth botuar nga Zenit, ne mund të shohim një nga dramat bashkëkohore të letërsisë fqinje, shkruar nga një autor që kërkon ti zbulojë ndryshe nacionalitetet.Vepra nis me fjalinë “Atë vit asnjë grua nuk zuri fëmijë”, për të treguar më pas “mesjetën e një mitre”, që kishte pllakosur në vënd dëshpërimin.

Në takimin me shkrimtarin Dimitriadis përkthyesja shqiptare do ta befasonte, kur do ti tregonte se ndërsa përkthente një libër mbi shterpësinë, ajo ishte në pritje të lindjes së një fëmije. Letërsia e tregon më së mirë thelbin e jetës, kur dy polet e kundërta shpesh janë aq pranë, si fundi i një cikli ashtu dhe fillimi.

Tashmë bashkë me regjisorin Enke Fezollari, Elena po përpiqet ta dramatizojë këtë vepër, për ta sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar në fillim të vjeshtës.

“Vdes siç vdes një vend” është psikoanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit të saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.

”Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrënqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet vendi I Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, e fanatzimit ideologjik dhe fetar, e mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, ajo e shterpësisë krijuese dhe shpirtërore.

Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike , aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve si dhe jehona e ngjarjeve të majit 68’ në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë gjallonin ende si fantazma të pakallura”, shkruan Zhako.

“Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian. Krahas veprës së tij teatrale Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si: Mauricë Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Margarite Duras, Shakespeare, Beckett, etj.

Fama e Dimitriadis në skenën e teatrit europian I detyrohet kryesisht zbulimit të tij nga Patrice Chereau, një nga regjisorët më të talentuar europianë të 40 viteve të fundit. Pak kohë pas ngjarjeve të majit të 680-ës, vepra e parë e Dimitriadis, “Çmimi i revoltës në tregun e zi” u ngjit në skenën e Theatre de la Commune d’Aubervilliers në Paris në regjinë e Chereau dhe admirimin e spektatorëve të tillë si Sartri apo Simone De Bovuar.

Gjatë periudhës kohore 1900-2000 veprat e Dimitriadis fillojnë të rishfaqen në teatrin francez, ndërkohë që në Greqi konsiderohej ende si “shkrimtar periferik”, për shkak të rebelimit të tij ndaj “rregullit të estetikës realiste”, që mbizotëronte deri atëherë në teatrin grek.

Por suksesi më i madh I Dimitriadis erdhi me ngjitjen e veprës së tij të përkthyer në shumë gjuhë “Vdes si një vend” në skenën e famshme të teatrit “Odeon” të Parisit në vitin 2010, si dhe nderimin e tij si “Autori bashkëkohor i vitit” në Paris.

Veprat e tij janë përkthyer në anglisht, arabisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, katalanisht, portugalisht, rumanisht, rusisht, dhe kryesisht në frengjisht. Njohja e tij në Francë solli një ndryshim rrënjësor në riperceptimin e “Dimitriadit teatror” në Greqi.

Mungesa e kohës dhe e vendit i jept tekstit një frymarrje universal dhe diakronike, ccka e bën këtë vepër të jetë aktuale qoftë edhe 36 vjet pas shkrimit të saj.Në një intervistë të dhënë për “Le Monde” Dimitriadis thotë se “Në Greqi jetojmë këtu e shumë kohë nën dritën e një ylli të vdekur. Ajo që unë ndjeva 36 vjet më parë sot tingëllon aktuale. Libri im është parabola e një vendi që vdes , mbasi refuzon të pranojë tranzicionin e tij, është armiqësor përsa i përket identiteteve të reja-një vend i cili është në gjendje shtetërrethimi për 1000 vite, i cili nuk pranon ta njohë atë ccka e cilëson si “armik” dhe që është i paftë të kuptojë se perspektiva e shpëtimit të tij vjen nga pranimi i tjetrit.

Greqia karakterizohet nga një periudhë statike dhe nga një mentalitet I pandryshueshëm: ne ngërthehemi pas zakoneve të vjetra psikologjike dhe shoqërore, ushqehemi nga një traditë e vdekur të cilën as që përpiqemi ta ndryshojmë.

Kriza nuk mund të kapërcehet pa thellimin e vetëdijës sonë historike, e cila nënkupton vetëdijësimin se “e vjetra” ka vdekur dhe diçka e re duhet të lindë.

Sjellja e veprës “Vdes siç vdes një vend” në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar. Libri është parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e 1970-ës nuk i përkasin një filmi bardh e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për tu ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”.

Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës” në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta shqiptare”:bunkerizimi I truve të njerëzve , karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq të popullit” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parrullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë…

Gjuha e librit është një gjuhë midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës I ngjan një lumi të rrëmbyer që mbledh gjithccka që ndesh gjatë rrjedhës së tij…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *