E di e dashur që ti më dëgjon,
pashë lotin tënd të vetëm që rrodhi nga syri yt,
aty, shtrirë si një ëngjëll që veç merr frymë,
nën dritën e bardhë të heshtjes,
tri muaj ballë portës së hapur të largimit…
A më dëgjon ? Unë jam këtu,
duke përgjuar rrahjet e tua,
me buzët e mia të nxehta mbi gishtërinj.
E di që dhe ti me flet
ashtu heshturazi, siç di ti,
si në deliret e tua të ëmbla plot pëshpërima
mbi gjoksin tim të dehur dhe çarçafët e shprishur,
e di që je zgjuar,
pashë qerpikun tënd të dridhet
si nga një lajmës i largët fatbardhë,
dhe kështu shpresoj në jetën tënde,
në jetën time nderur mbi plagë,
buzët e tua janë ende rozë dhe pse të rreshkura
dhe gjiri yt i ngrohtë, gjithnjë,
e di që dhe t’i përgjon hapat e mia gjatë natës
që dhe ti ndjen flladin e mëngjesit,
e di që dëgjon çdo fjalë timen
edhe pse me një jehonë të çuditshme,
është hera e parë që të tregoj përralla kaq të bukura
përralla me të Bukurën e Dheut që humbiste në pyll
dhe lëndinat e gjelbërta varur në qiell,
për njeriun që vinte veshin në tokë
për të dëgjuar se ç’bëhej në anën tjetër të botës,
kështu përgjoj dhe unë e dashur
cipën e bardhë të trupit tënd
që drithërohet nga përrallat e mia,
unë ta kam mbyllur tashmë portën e largimit,
ti s’do të ikësh askund,
ti do të jesh këtu me mua,
do të rivish ashtu zbathur sërrish në jetën tënde,
në jetën time,
për t’i treguar botës përrallat e mia
dhe legjendën e përkushtimit…
Luan Rama, Agia Ana, 5 korrik 2017