Janë hapur audicionet për “Makbethin” e Shekspirin me regji të Kled Kapexhiut. Audicionet do të zhvillohen më dt. 15-16-17 Qershor duke filluar nga ora 10:00, pranë Teatrit Kombëtar. Ditën e mërkurë, dt. 15 Qershor, në orën 10.00 do të zhvillohet një takim prezantues mbi procesin e punës me regjisorin Kled Kapexhiu, në Studion e Madhe të Provave. Janë të ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë. Materiali mbështetës për audicionin mund të tërhiqet pranë sekretarisë së Teatrit Kombëtar në momentin e regjistrimit.
Përshkrim i audicionit
Secili nga aktorët do të ketë në dispozicion rreth 10-15 minuta kohë për të prezantuar punën e tij. Audicioni do të përfshijë: 1. Interpretimin e një pjese teksti nga personazhi i zgjedhur. 2. Zhvillim e një detyre skenike. Detyra mund të jetë një veprim shoqërues i tekstit, mund të jetë një lëvizje, një gjest fizik apo vokal. Ajo mund të jetë në përputhje me logjikën e personazhit ose të jetë thjesht një krijim shoqërues për fjalën. Teksti për çdo personazh si dhe detyra skenike janë përcaktuar paraprakisht nga regjisori. Por në çdo rast, secili aktor mund të zgjedhë vargje alternative të personazhit si dhe një detyrë skenike sipas nevojës së tij. Aktori do të jetë i shoqëruar nga një kolonë zanore gjatë audicionit, e cila do të sugjerojë ritmin e veprimit skenik. Qëllimi final i audicionit është zgjedhja jonë e ndërsjellë për të marrë pjesë në këtë proces.
Mbi procesi e punës
Për mua, procesi i krijimit është një akt mbijetese. Aktori, ashtu siç jeta hedh në shesh dhe armën e fundit për të mos u zhdukur, rikrijon vetveten dhe botën për të qenë i përhershëm. Reagimi ndaj rrezikut të zhdukjes, është gjithnjë i papritur, asnjëherë i njëjtë me të ngjashmit. Krijimi skenik që të jetë i papërsëritshëm duhet të lindë nga nevoja e panegociueshme për të mbijetuar. Një shenjë e re, e pa hasur më parë, do t’a ndalë e do t’a tërheqë spektatorin në një akt dashurie. Aktori përdor fjalën, trupin, kohën, hapësirën, veprimin, personazhin për të rrëfyer historinë. Manipulimi njëhohësisht i tyre sjell transformimin e tij. Dhe transformimi s’mund të jetë veçse një akt dramatik.
Personazhet që do të përzgjidhen në audicion:
– Magjistrica
-Zonja Makdaf
-Makdaf
-Makbeth
-Zonja Makbeth
-Vrasësi
-Portieri
-Malkom
-Dankan
– Banko
-Hekata
Ju mirëpresim!