Halloween” i syve që të pëlcasin…

Nga Olti Curri

Ti do të festosh Halloween! Ti që nuk ia ke haberin se pse po feston?

Ti do të festosh Halloween! Ti që hap google sa herë që ke për ta shkruar pa gabime?

Ti do të festosh Halloween! Natën që paraprin Ditën e të gjithë shenjtorëve, që si shenjtore njeh Bleonën kur performon me të bardha dhe kryq në qafë.

Ti do të festosh Halloween! Festën pagane, që është transformuar në shekuj dhe lidhet me datën 31 tetor, që dikur ishte data e ndërrimit të viteve, apo lidhjes me vite më vonë kur tradita keltike britanike u zhvendos në SHBA, me figurën e djallit? Të filloi koka? Normal, më fal për gjithë këtë informacion, vazhdo mendo për parukieren ku do të bësh flokët.

Ti do të festosh Halloween! Festën e transformimit në ‘look’.

Ti që maksimumin e fantazisë në pamje gjatë ditëve të vitit e tregon duke kombinuar rripin me këpucët dhe këpucët me çantën?

Ti do të festosh Halloween! Ti që natën e kësaj feste do ta lejosh të dashurën tënde të lyhet (vetëm tek ne ndodh) si prostitute rumune në Italinë e viteve 90-të – respekt për vajzat rumune – ndërkohë që të nesërmen do ta kthesh në shtëpi vetëm se e ka ekzagjeruar me buzëkuqin?

Ti do të festosh Halloween! Pikërisht ti, edhe ti, po, po edhe ti që nuk leviz edhe me maksimumin e muzikës në Pub se “çunat nuk kërcejnë” se duken si pjeshka? Pikërisht ti do të lyhesh, ngjyhesh, pikturohesh, zhvishesh! Je i sigurtë që nuk e pret me padurim këtë festë qe të jetosh hapur të paktën për një natë në vit, seksualitetin tënd?

Ti do të festosh Halloween! Natën e të vdekurve, që komenton nga mëngjesi në darkë në rrjete sociale për personazhet që ke antipati me fjalët “akoma nuk ka vdekur ky, kjo?”

Ti do të festosh Halloween! Ti që këtë natë e ngatërron me shfaqjen e famshme muzikore të Brodway “Macet” (“Cats” në origjinal), sepse ka vite që 99% e vajzave trukohen si mace, me sytë me bisht dhe mustaqe mbi buzë?

Ti do të festosh Halloween! Që nuk lëviz prapanicën t’i lirosh vendin në autobus një gruaje shtatzënë, imagjino të nxjerrësh karamele dhe ëmbëlsira për fëmijët që trokasin tek dera, sipas traditës origjinale.

Ti do të festosh Halloween! Një festë ku mesazhi nuk është tË plasësh trutë nga alkooli, apo të maskohesh, aq me pak të mbushesh tavolinat me shampanjë e fishekzjarre kur dhjetë mace lozonjare, rrethojnë barkderrin qeros të radhës që do paguajë shishen. Halloween është një rast për të qenë tolerant, për të festuar në paqe, për të qenë bashkë si njerëz të qytetëruar të vitit 2016.

Ti do të festosh Halloween! Meqë do të festosh, mësoje këtë fakt: festa Halloween që nga vitet 50-të UNICEF këtë ditë ia ka kushtuar mbledhjes së fondeve për fëmijët në nevojë, që nuk kanë nevojë vetëm për karamele dhe ëmbëlsira./revista who

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *