Habia e shkrimtarëve: “Ç’punë ka Bob Dylani me letërsinë?”

Reagimet e parë të shkrimtarëve nëpër botë: Baricco ka dyshime, Irvine Uelsh del kundër Akademisë suedeze, Salman Rushdie është entuziast

Shumë reagime pozitive, por edhe disa negative, apo shumë negative, pas lajmit që Nobelin për Letërsinë e ka marrë Bob Dylani. Dhe disa prej reagimeve më nervoze janë regjistruar pikërisht mes shkrimtarëve italianë.

Alessandro Baricco, për shembull, nuk është i bindur, në deklaratën që ka bërë për Ansa-n, ku pohon se Dylani “është një i madh. Të shkosh në një prej koncerteve të tij sot është një prej eksperiencave më të mëdha dhe emocionuese që mund të kesh në botën e spektaklit. Por sado që të sforcohem, nuk arrij të kuptoj se çfarë lidhje ka me letërsinë”. Për më tepër, thotë ai, nuk ka “asnjë krahasim për të bërë mes Nobelit për Dylanin dhe atij për Dario Fo”. Dhe shton: “Eshtë shumë e ndryshme situata, sepse shkrimet e teatrit, nuk më duhet të sforcohem shumë për të kuptuar lidhjen me letërsinë. Që një dramaturg të fitojë një çmim për letërsinë, kjo kuptohet, edhe pse pakëz shtrembër”. Pra, vazhdon shkrimtari i Nëntëqindës: “Eshtë njësoj si t’i jepnin një çmim Javier Marias, sepse ka një muzikalitet të bukur në rrëfimin e saj. Kështu edhe arkitektët mund të konsiderohen poetë”.

“Filologjikisht” është krejt i kundërt mendimi i shkrimtarit Salman Rushdie, që në mënyrë të përsëritur është përmendur si fitues i mundshëm, i cili në Tuiter ka kujtuar lidhjen historike mes poezisë dhe muzikës: “Nga Orfeu tek Faizi, kënga dhe poezia kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtë. Dylani është trashëgimtari gjenial i traditës. Zgjedhje e madhe”.

Ndërkohë duket shumë i zemëruar shkrimtari Irvine Uelsh, që sërish në Tuiter ku lëshon një akuzë ndoshta të rëndë ndaj akademisë suedeze: “Jam një fans i Dylanit, por ky është një çmim i mbushur me nostalgji të konceptuar keq, shkëputur prej prostatës së sëmurë të hipive të zhurmshëm”. Fjalë të rënda kundër jurisë së 18 anëtarëve të Akademisë që votuan në shumicë për kantautorin amerikan. / www.bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *