“Grua e jashtëzakonshme” nga Maya Angelou

Ku gjendet e fshehta ime, gratë e bukura
më pyesin shpesh.
S’jam tërheqëse, s’kam linja që si modele
trupin ta vesh
Por kur unë filloj atyre t’ua tregoj
Mendojnë se unë gënjej e kot ia vesh.
Unë u them,
Është tek shtrirja e krahëve të mi
Lugu mes këllqeve të mia
Çapi i madh i hapit tim,
Harkimi i buzëve tek nyja.
Unë jam një grua.
Jashtëzakonisht..
Të jashtëzakonshmen grua
E gjen tek mua.

Eci në një dhomë brenda
Aq e qetë sa ta ka ënda
Dhe një burri
Të tjerëve si ai që s‘luten
Apo më bien në gjunjë tek këmba
Dhe gëlojnë rreth meje
Si koshere me bletë brenda
Unë u them,
Është tek zjarri në sytë e mi
Vetëtitja që kam tek dhëmbët
Tundja ritmike e belit tim
Hareja që kam tek këmbët
Unë jam një grua
Jashtëzakonisht.
Të jashtëzakonshmen grua
E gjen tek mua.

Burrat vetë, të gjejnë janë përpjekur
Çfarë shohin tek unë të lezetshme
Ata provojnë dhe janë rrekur
Por kurrë dot nuk kanë prekur
Të fshehtën time të brendshme
Kur unë ua tregoj, ja, është aty
Ata më thonë s’e panë përsëri.
Unë u them,
Është tek kthesa e shpinës sime
Dielli im i buzëqeshjes
Hovi i gjokseve që ngrihen
Nuri, hijeshia e veshjes.
Unë jam një grua
Jashtëzakonisht.
Të jashtëzakonshmen grua
E gjen tek mua.

Tani ju e kuptoni vetë
Koka ime përse nuk ulet,
Unë nuk bërtas, s’hidhem përpjetë
Nuk flas me zë që çjerr dhe muret.
Duke kaluar më keni parë
U bëj të ndiheni krenarë.
Unë u them,
Është si kërcasin takat e larta,
Se si më binden flokët e gjata
Është tek prekja e dorës sime
Nevoja e kujdesit në mundime.
Sepse unë jam një grua
Jashtëzakonisht.
Të jashtëzakonshmen grua
E gjen tek mua.

)Shqipëroi nga origjinali në anglisht
Laureta PETOSHATI)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *