Greqia lejon produktet e kanabisit për mjekim

Me një vendim të përbashkët të Ministrive të Drejtësisë dhe Shëndetësisë, Greqia i ka hapur rrugën importit të barnave të aprovuara dhe të produkteve të kanabisit për përdorim mjekësor. Njoftimin e ka bërë vetë kryeministri grek, Aleksis Tsipras gjatë një vizitë në Ministrinë e Shëndetësisë, ku i është referuar legalizimit të kanabisit mjekësor, një iniciativë sipas tij, që do të ketë rezultate pozitive si në aspektin e trajtimit mjekësor të sëmundjeve, ashtu edhe në atë të investimeve. Sipas gazetarit të “Top Chanel”, Aleksandër Marku, kryeministri grek është shprehur se ky vendim lejon futjen në vend të barnave farmaceutike me bazë kanabisin, që përdoren për rastet që kanë provuar dobi klinike për një shumëllojshmëri të sëmundjeve të tilla si dhimbje kronike, dhimbje neuropatike, çrregullime të aparatit tretës për shkak të kimioterapisë, anoreksisë… Zbatimi i këtij vendimi kërkon një numër procedurash të tjera administrative, të cilat do të ndihmojnë që pacientet të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe pa humbur kohë tek këto lloj barnash.

Në Greqi për vite me radhë mijëra pacientë që nuk mund të siguronin në mënyrë të ligjshme barnat me bazë kanabisin mjekësor, përpiqeshin t’i gjenin ato në mënyrë ilegale. Edhe disa shtete amerikane, edhe Anglia e lejojnë përdorimin e kanabisit për arsye mjekësore, madje në SHBA të sëmurëve u lejohet të mbjellin në shtëpi rrënjë kanabis, aq sa për të përfituar vajin çudibërës. Në Shqipëri ka pasur tentativa për diskutimin e lejimit të kultivimit të kanabisit për arsye mjekësore, por debatet janë mbyllur në studiot televizive, duke mos pasur mbështetje të ligjvënësit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *