Asgjë s’i kundërvihet natës” i Delphine de Vigan, përkthyer nga Krenar Hadëri, është romani i ri botuar nga “Pegi”. “Mërzia nuk është kurrë kalimtare.
Për këtë mërzi ka gjithnjë një ilaç, por ai është radikal dhe i papëlqyeshëm për të tjerët (disa do të plaken, disa do të vdesin). Do të kisha dashur të kisha ndonjë sëmundje të pakurueshme dhe të vdisja e re. Por, vitin e shkuar pata vetëm një rrufë”, shkëpusim nga libri. A arrijmë t’i njohim deri në fund prindërit tanë, misteret, vuajtjet, halucinacionet, fëmijërinë dhe familjen që i ka formuar, e që kanë ndikuar gjithmonë mbi ta dhe mbi ne, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme? Në 2008, në moshën 71-vjeçare, Lysila vret veten. Këtë do ta zbulojë e bija, Delfina, autorja e këtij libri. Një mëngjes janari, ajo hyn në dhomën e saj dhe e gjen të ëmën shtrirë në shtrat, pa fill jete. Pyetjes “pse e bëri?” nuk mund t’i gjesh përgjigje dhe Delphine de Vigan, prej kohësh shkrimtare e njohur, i bën ballë tundimit për t’i kushtuar një libër. Por, “një dritë e fshehtë që vjen nga e zeza” e cyt dhe e shtyn të marrë penën në dorë, sidoqoftë e sigurt që “me anë të të shkruarit asgjë s’mund të zbulosh. E shumta, të jep mundësinë të ngresh pyetje e të rrëmosh në kujtesë”. Lysila ishte një grua e bukur, që e admironin dhe e donin të gjithë, por që mbartte brenda vetes një plagë të thellë. “Dhembja e Lysilës, nënës sonë, na ka shoqëruar të dyjave, mua dhe time motër, përgjatë fëmijërisë, e më pas, në gjithë jetën tonë… Familja ime personifikon njëherësh, anën më të gjallë dhe të mahnitshme të haresë dhe jehonën e pareshtur të të vdekurve, trokitjen e fatkeqësisë.
Sot jam e vetëdijshme që ajo pasqyron, ashtu si në shumë familje të tjera, fuqinë shkatërruese të fjalës dhe të heshtjes. Ky libër ndoshta nuk është gjë tjetër veçse historia e një kërkimi, i cili mbart në vetvete gjenezën e tij, përçartjet e rrëfimit, përpjekjet e pambarimta. Një lloj hovi, ndonëse ngurrues dhe i mangët, nga unë te nëna ime.” Në këtë kërkim të jashtëzakonshëm në thellësitë e kujtesës së familjes, aty ku kujtimet më të shndritshme jetojnë krah për krah me sekretet më të tmerrshme, shpalosen me forcë të gjitha jetët tona, mëkatet dhe plagët e tyre. “Asgjë s’i kundërvihet natës” ka fituar katër çmime të rëndësishme (Prix du roman Fnac 2011; Prix Renaudot des lycéens 2011; Prix roman France Télévisions 2011; Grand prix des lectrices de Elle 2012) dhe ka shitur mbi gjysmë milioni kopje vetëm në Francë. Ai është përkthyer në tridhjetë vende të botës. “Kthjelltësia, modestia, delikatesa, objektiviteti, arti i rrëfimit… Kjo biografi familjare na rrëmben nga fillimi deri në fund. Kjo odise vetjake dhe universale është tërheqëse, çorientuese, tronditëse… Mjeshtërore”, ka shkruar “Le Figaro”.
De Vigan është autore e shtatë romaneve, falë të cilave ka fituar shtatë çmime të ndryshme letrare, midis të cilave çmimin “Renaudot des lycéens” (2011), çmimin “Fnac” (2011) dhe Çmimin e librarëve (2009). Autorja ishte gjithashtu një nga finalistët e çmimit “Goncourt” në vitin 2009.