Grand Gala e Vitit të Ri vjen për herë të parë si magji për publikun në këto prag festash, një ndërthurje e bukur midis brezash, stilesh, emocioni dhe dashurie që të fal vetë atmosfera, bën bashkë yjet e muzikës pop dhe yjet e operës, trupën e baletit, orkestrën simfonike dhe korin e TKOBAP.
Sonte në mbrëmje në skenën e Pallatit të Kongreseve vjen shfaqja me titull “Yjet e popit përballë yjeve të operës”. Shfaqja gala është e fundit për kalendarin artistik të Teatrit të Operas dhe baletit për këtë vit.
Drejtoresha Zana Çela dhe artistët gjatë konferencës për shtyp u shprehën entuziastë për mbrëmjen e sotme, që do të sjellë në skenë rreth 200 artistë. Muzikë rrok, pop, klasike, të gjitha në një koncert të Operës dhe Baletit, që do të jetë nën dirigjimin e spanjollit Ricardo Casero, dhe koreografia mban emrin e Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos.
Solistja e baletit Ledia Sulaj shprehet entuziaste për mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve. Tregon se është e veçantë në të gjithë ndërtimin e saj për të qenë sonte para publikut.“E veçanta qëndron tek pjesët muzikore, sepse është ndërthurja e një zëri klasik me një zë rrok, e pop stareve me opera star”, tregon solistja Sulaj. Në skenë do të shikojmë duete si Vikena Kamenica me këngëtaren Kamela Islamaj, Renis Gjoka me Armaldo Likaj, etj. “Ndërthurja është e veçanta e kësaj shfaqje gala në Pallatin e Kongreseve. Qëndron skenografia e festivalit”, vijon të tregojë më tej solistja Ledia Sulaj. Më tej ajo vlerëson dhe punën që ka bërë dirigjenti spanjoll për këtë shfaqje.
“Dirigjent do të jetë Ricardo Casero, do të jemi rreth 200 artistë në skenë, ne do të kemi dhe korin. Por janë dhe pjesë klasike të kënduara, ku performon dhe baleti, por janë dhe copëza mjuzikëll, dhe këto janë të veçantat”, shprehet solistja e njohur.
Kjo është dhurata, të cilën Teatri i Operës bën për festat e fundvitit. Magji, muzikë e gjallë, artistë të jashtëzakonshëm të muzikës pop, që bëhen bashkë me yjet e operës dhe baletit shqiptar. Një program me pjesët më të bukura të operetave më të famshme, pjesët më të gëzueshme të baletit dhe këngëve klasike do shoqërojnë artëdashësit këto ditë festash për të përjetuar magjinë e teatrit./ATA