Sezonit turistik po i vjen fundi. Edhe sivjet, ai që duhej të ishte shtylla më e rëndësishme e ekonomisë, vuajti nga një problem i madh; ndotja, plehrat.
Thuajse jashtë vëmendjes së pushtetit vendor, shumica e të cilit për herë të parë kishte nën administrim zona turistike pas ndarjes së re territorial. Sezoni u hap me një vijë bregdetare të pastër.
Nga Mentor Kikia
Me Korpusin Shqiptar të Vullnetarëve, punuam për tre muaj, Prill-Maj-Qershor, pastruam duke mbledhur me dorë çdo mbeturinë, duke krehur çdo metër rërë, nga Veriu në Jug. Pastruam çdo metër park. Në çdo fundjavë punuam mbi 200 vullnetarë dhe i dorëzuan pushtetit vendor plazhe të pastra në çelje të sezonit.
Por ndotja vazhdoi. Në rënë, në parqe, nëpër rrugë…
Gati u përlota nga marazi kur, vetëm tri javë pasi e kishim pastruar, pashë të mbushur me mbeturina parkun e pishave në Spille, në Rrogizhinë.
Problemi i ndotjes vazhdon të jetë gangrena më e madhe në këtë vend. Në shumicën e rrugëve e zonave turistike nuk ka kosha. Por edhe aty ku janë, njerëzit i hedhin mbeturinat ku t’u teket.
Çfarë duhet bërë? Një pyetje e vështirë. Në Shqipëri nuk ka ende vendgrumbullime mbeturinash dhe si të tilla shërbejnë gropa pa asnjë standard. Mbeturinat nuk ndahen në burim për tu ricikluar. Lumenjtë janë qelbur nga qeset dhe mbetjet plastike pushtojnë detin në dimër.
Po çfarë duhet bërë, sërish?
Gjoba të rënda, propozj unë. 100 Euro për një letër, për një bidon, për një kanaçe nëse e hedh nga makina në rrugë. Pa asnjë mëshirë, 100 Euro gjobë për këdo që del nga shtëpia në fshat dhe i hedh mbeturinat në përrua. Për atë në qytet, që i hedh në trotuar apo nga ballkoni. Qoftë i varfër apo i pasur. Gjobë bashkive që shkarkojnë mbeturinat në lumë.
Duhen vendime drastike për këtë situatë të paprecedentë dhe unike në europë. Të vendosen kamera sigurie nëpër rrugë e autostrada. Ashtu, siç i kapin makinat kur tejkalojnë shpejtësinë, ti kapin edhe kur hedhin mbeturina. Ska rrugë tjetër, duhen bërë disa shembuj. Duhet mbjellë frika. Ndryshe qelbësirat do na qelbin mot e jetë.
Qeveria që do të zgjidhë çështjen e plehrave do të hyjë në histori!