Ekspozita “Dy rrugët e Idromenos”, kuruar nga Adrian Paci çelet në datat 26 janar – 30 mars 2017 pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”
“Emni i Kolë Idromenos asht i lidhun ngusht me atë që quejmë Rilindje në artet shqiptare. Autori i të parit portret realist në pikture asht njëkohësisht edhe arkitekt, inxhinier, skenograf e fotograf.
Personazh i çuditshëm, poliedrik dhe njëkohësisht i pashkollë, amator e mjeshtër i shumë fushave, përçues i kodeve të stabilizueme e novator, Kolë Idromeno do të imponohet si figura ma përfaqësuese e artit shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX.
Kjo ekspozitë nuk merr përsipër të analizojë të gjithë spektrin e aktivitetit të Idromenos, por duke u nisë nga një zbulim i fundit në arkivën e Muzeut Marubi, vendos përballë një seri fotografike me pikturën e tij të mirënjohun Dy Rrugët. Gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe disa punime në pikture të paekspozueme ma pare: Shën Pjetri e Shën Pali me katër ungjilltarët si dhe një tabllo që na paraqet mundimet e ferrit.
Në tabllonë Dy Rrugët narracioni asht i kjartë sepse asht i drejtëpërdrejtë. Po ashtu morali që rrjedh prej këtij “tregimi”. Piktura nuk na paraqitet me zona të errëta, ngarkesa dramatike, figuracione fantazmagorike e misterioze. Rruga për në parajsë asht e mundimshme, e zhveshur, pa gjelbërim e pa karrema joshës. Kurse drejt derës së madhe të ferrit asht drejtue një vargan i madh njerëzish. Ky “proçesion” njerëzor duket sikur rrëshqet pa bujë dhe si pa e kuptue, skenë mbas skene, përfundon tek një destinacion i tmerrshëm në gropen e thekshme të skëterrës.
Ma shumë se modelet e pikturës italiane tablloja të kujton disi skena të Hieronymus Bosch-it apo Peter Brueghel-it, ku figurat jane të zhytuna në pejsazh dhe nuk janë aspak volumet njerëzore ato që përcaktojnë dinamikat e mëdha kompozicionale të tabllosë. Një dozë folklorizmi si dhe një ndjesi humori popullor i heq tabllosë së Idromenos hijen e randë dhe tingëllimën retorike, që mund të kishte trajtimi i një teme të kësaj natyre.
Krejt ndryshe na shfaqet grupi i fotografive që, me shumë gjasa, janë shkrepje që Kola i ka ba si parapërgatitje për një seri pikturash. Kronologjia nuk asht e sigurtë, por periudha duhet të jetë ajo mes 1892-1894, kur mjeshtri shkodran ka punue për tabllonë Dy Rrugët. Prania e një pikture në ekspozitë, ku dy djaj i tërheqin me danë e i presin me gërshanë gjuhën një mëkatari, ndërsa ai digjet në flakët e ferrit, si dhe afërsia e saj me fotografinë që ekspozohet këtu, tregon se ka shumë mundësi që edhe fotot e tjera të kenë pasë si destinacion final një projekt pikturash. I sigurtë asht fakti se këto foto nuk janë përdorë për skenat e tabllosë Dy Rrugët. Asnjë nga skenat që shohim në tabllonë e madhe, nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me inskenimet e bame për realizimin e këtyne fotografive. Krahas imazheve ku vërejmë figura mashkullore në rolin e djajve të çakërdisun që lëshohen mbi viktimat e tyne, kemi edhe foto të tjera në poza ma të buta e të përshpirtshme, siç asht fotoja e një burri të veshun si frat, i cili hap duert në shenj pranimi të vullnetit hyjnor, apo të një burri tjetër i cili duket se ka marrë rrugën e pendimit.
Ajo që të befason asht fakti se fotografitë na shfaqen ma shprehëse dhe ma befasuese se pikturat. Duket sikur në trajtimin e telajos, përpunimin e ngjyrës, ravijëzimin e anatomisë dhe deformimin e qëllimshëm të figurave, diçka asht bjerrë nga forca e imazhit. Kurse në ndërtimin e imazhit fotografik, vizioni na vjen i drejtëpërdrejtë e me forcë të jashtëzakonshme. Skena e kompozueme në pozën fotografike dhe natyrshmënia realiste që sjellin me vete personazhet që Kolë Idromenoja i ka marrë prej rruge, i ka zhveshë, u ka dhanë do vegla në dorë dhe u ka thane me u shtremnue e me u përdredhë sa të munden para objektivit të tij, kanë krijue një zonë takimi shpërthyese mes fiksionit dhe realitetit të pasun të personazheve.
Këtu Kolë Idromenoja nuk asht piktori i harmonive delikate të jetës qytetare. Ai na shfaqet si zbulues i një dramaticiteti të vrullshëm gati-gati teatral, por njëkohësisht, të mbushun me sens humori dhe njëfarë vendosmënie për ta shijue jetën tokësore. Plotëninë e ngërthimit të trupave dhe ritmit të gjymtyreve e shoqnon zbrazëtia e qetë e sfondit dhe fondalet që herëmbashere na shfaqen mbas personazheve.
Duke pa fotot e Kolë Idromenos, nuk ka sesi mos me na ardhë ndër mend skenat pazoliniane nga finalja e Salo, ose 120 ditët e Sodomës.
Torturat mbi trupat e djemve dhe vajzave, me të cilat Pierpaolo Pasolini e mbyll filmin e vet, të kujtojnë drejtëpërsëdrejti skenat e fotografueme nga Idromeno.
Sigurisht që Pierpaolo Pasolini nuk u njoft kurr me fotot e Idromenos sonë, por pa rezerva shprehim bindjen se ato do ta kishin entuziasmue. Bashkimi i simetrive klasike ku një ritëm diagonalesh e horizontalesh ekuilibrohen në mënyrë të përsosun me vrazhdësinë e papritun të realitetit dhe pasuninë e shprehive, që personazhet munden me transmetue, janë pika të forta lidhjeje mes imazheve që shohim sot tek Idromenoja me poetiken pazoliniane, ku nuk mungojnë referimet klasike, por aktorët e kastit pazolinian sikurse modelet e Idromenos, mrekullisht janë njerëz të marrun nga rruga e të cilët sjellin bagazhin e identitetit të tyne ekzistencial ma shumë sesa aftësitë e një recitimi aktorial.
Këto lidhje të nëndheshme duket sikur vijnë para nesh për me dëshmue se arti ka kanalet e veta misterioze të ndërkomunikimit e artistat e çdo kohe nuk janë thjesht mjeshtra të një teknike të caktueme, por mbi të gjitha, janë ata që u japin formë vizioneve të domosdoshme, me të cilat ndeshen në rrugën e gjatë dhe të vetëdijshme të kërkimit të tyne”.
Lejimi për ekspozimin e pikturës “Dy rrugët”, pjesë e koleksionit të Muzeut Historik të qytetit, mundësohet nga bashkëpunimi me Bashkia Shkodër.
Kjo ekspozitë mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës.