FOTO të Rralla nga rrugëtimi i Friedrich Markgraf në Mat dhe Shqipëri (Rrëfimi i një botanisti)

Nga Avni Dani

Njëri nga koleksionet e rralla me foto të Matit (por edhe të shumë krahinave tjera të Shqipërisë) është edhe ai i botanistit gjerman Friedrich Markgraf. Janë fotot që sollëm pak ditë më parë në darsiani.com. Por pak veta mund ta dinë se si dhe kur është realizuar ai koleksion i rrallë fotografik ?

Me objektivin e qartë për të bërë një studim sa më të plotë të bimësisë shqiptare ai do të udhëtonte në male e kodra, në lugina e lumenj. Viziton dy herë Shqipërinë, më 1924 dhe rikthehet përsëri katër vjet më vonë. Markgraf nuk e ka humbur rastin që përveçse anës shkencore të studimit të florës shqiptare të sjellë edhe një libër ku përshkruan gjithë udhëtimet e tij. Fjala është për botimin “In Albaniens Bergen” (Në malet shqiptare), që është publikuar në Shtutgard në vitin 1930. Por një përshkrim më të shpejtë autori e ka bërë në hyrje të një raporti që ka paraqitur në seancën dëgjimore në Akademinë e Shkencave të Berlinit dy vjet pas atij udhëtimit, pra po më 1930. Ai është autor edhe i një libri me titull “Nëpër malet e Shqipërisë” ku dhe janë botuar shumë foto.

Siç do ta shohim në materialin më poshtë, që siç thamë paraprin raportin e seancës dëgjimore  Markgraf e ka vizituar dy herë Matin, një herë në maj dhe për së dyti në korrik 1928. Udhëpërshkrimin e tij ai e shoqëron edhe me një hartë në të cilën përcakton me hollësi kuotat dhe shtigjet nëpër të cilat ka kaluar. Çdo sqarim tjetër do të ishte i tepërt pasi ai e ka thënë vetë gjithcka me qartësi dhe gjuhë të rrjedhshme. Për më tepër ai udhëtimin e vet në Mat dhe gjithë Shqipërinë e ka shoqëruar edhe me një hartë ku qartësisht jepet udhëtimi i 1928-ës.

Ja përshkrimi që bën Markgraf :

 

BIME NGA SHQIPËRIA 1928

 

nga

 

FRIEDRICH MARKGRAF

 

(BERLIN-DAHLEM)

 

(Paraqitur në seancë dëgjimore më 30 tetor 1930)

 

 

Në vitin 1928, unë së bashku me Dr. Ëalter Pieper kryem një udhëtim të dytë botanik në Shqipëri, me synimin për të plotësuar njohuritë për florën dhe vegjetacionin e këtij vendi të pashkelur. Jam rikthyer në zona që i kisha shkelur në udhëtimin tim të parë më 1924, kam udhëtuar në pjesët tashmë më të njohura, porn ë të njëtën kohë u zgjeruam dhe brodhëm edhe në zona të gjera të panjohura për ne, në veri dhe në jug të Shqipërisë. Për Gjeografinë Bimore të Përgjithshme të Shqipërisë, unë do të shkruaj diku tjetër. Këtu do të flas vetëm për bimët e mbledhura pasi një njohje e tyre ka interes pasi ata vijnë pothuajse të gjitha nga male krejtësisht të panjohura në aspektin botanik. Trajtimi herbaristik i tyre vjen falë punës së shkëlqyer të mikut tim Pieper.

 

Përveç bimëve tona në koleksion janë përfshirë rreth 80 lloje të mbledhura në Mamurras dhe në disa vende të cilat Z. Drejtor Ë. KAPFERER  i ka sjellë si një mirësi për mua. Vlera e veçantë e tyre është se janë mbledhur në vjeshtë, dimër dhe fillim të pranverës ku flora është mjaft e pasur në ultësirën e klimës mesdhetare, por që me kalimin e kohës deri në maj nuk gjendet më shenjë e saj. Për më tepër, disa bimë që janë të listuara këtu, janë emërtuar duke dëgjuar një nga dy shërbëtorëve tanë që udhëtonte me ne, një vendas i quajtur Çup Ndoci.

 

Gjurma e udhëtimit tonë është e paraqitur me një skemë në hartën shoqëruese. Ne mbërritëm më 4 maj por mundëm të dalim në rrugët e hapura të Durrësit vetëm me 9 maj. Pengesat doganore na mbajtën gjashtë ditë nën shqetësime të forta dhe na i dobësuan llogaritë tona. Për shkak të negociatave me autoritetet, ne qemë në gjendje që brenda majit të ndërmarrim dy udhëtime që nisën nga Tirana drejt lindjes: Tufinë, Herrej, Ura e Brarit ku u njohëm me bimësinë dhe gjelbërimin e pranverës. Ministria e Brendshme dhe Komanda Qendrore e Xhandarmërisë na mbështeti dhe na pajisi me letra rekomandimi. Pasi bleva një mushkë dhe dy gomerë, si kafshët paketë, dhe punësova një shërbëtor, më 20 maj ne vijuam udhëtimin për  në brendësi të vendit.

 

Nga Tirana vijuam për në lindje nga Mali Dajtit, maja e të cilit është 1600 m. U ngjitëm mbi Kutriq në Malin me Gropa, një masiv gëlqeror me lartësi 1600 dhe 1700 m. Më pas kemi vijuar në Qafën e Murrizës për të vijuar në Mcek dhe Gurin e Bardhë. Këtu kemi gjetur Fritillaria macedonica një bimë shumë e rrallë që e zbuluar që në vitin 1924 nga Dr. E. Noëack po në këtë vend. Por në tërësi bimësia ende nuk ka shkuar në zhvillimin e saj të zakonshëm sepse ka patur një dimër të pazakontë, fshatarët janë shumë të mërzitur sepse nuk kanë ushqim për të mbajtur bagëtitë. Për kafshët tona qe shumë e vështirë të gjenim fare pak ushqim. Na u desh të kalojmë shumë vështirësi pasi rrugët ishin bërë gati të papërshkrueshme. Të vështirë e patëm dhe situatën e ushqimit dhe na u desh të mbahemi me fruta të thata, në një kohë që vuajtëm shumë edhe nga një shi i pandërprerë.

 

Kjo nuk na pengoi për të vijuar për në Mat, që nis me një luginë që përshkrohet nga lumi Mat, që shtrihet në verilindje të Malit me Gropa. Kaluam rrjedhën me ujë të shumtë dhe të ftohtë të lumit tek Pazari i Urës (në Fshat) dhe vijuam rrugën tonë nga Kulla e Kuqe-Bejn -Cerujë drejt Kurdarisë në skajin lindor të së cilës ngrihet Mali Allamanit. Por stuhia e breshërit dhe bora e freskët në male, që zbriste poshtë deri në 1000 metra, na detyruan të largohemi nga zona hëpërhë për të vijuar kërkimet tona në jugun me diell. Nëpër Mat dhe malet e tij në kufirin perëndimor ne nxituam, jo pa aksidenteve të rënda gjatë rrugës, dhe së bashku me kafshët tona kaluam në Batër-Frankth-Cedhin-Barkanesh për në Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut. Ne megjithatë e patëm një avantazh të motit me dimër: gjetëm në një përroskë të Frankthit një degë të Forsythia etiropaea që kishte çelë herët, Një diçka e paparë kjo për një botanist!  Në Krujë arritëm më 30 maj, ditën e Bajramit të Vogël.

 

Më 1 qershor, morëm nga veriperëndimi i ultësirës bregdetare.  Atje gjetëm në pyjet moçalore të Mamurrasit drejtuesit e kompanisë gjermane të drurit Ing, zotin drejtor Kapferer dhe zotin Wabrenner, që na ofruan mirëpritjen e tyre. Pasi studiuam pyllin moçalor, u kthyem në Tiranë. Por më parë së të shkonim në Tiranë ne kryam disa udhëtime nëpër kodrat në perëndim të Malit të Kogjes e të shoqëruar nga mikpritësit tanë inxhinierë së bashku përshkruam vargmalin e Skënderbeut nga ana lindore e Mamurrasit në drejtimin Mafsheq-Vinjall-Mali Bardhë- Firzaj. Për sa kohë që Mali Allamanit dhe Korabi si edhe mallet e tjera mbeteshin të mbuluar nga bora e lartë, ne vendosëm më në fund të drejtohemi për në Shqipërinë Jugore.

 

Më 13 qershor, pasi morëm edhe një punëtor tjetër të ri ne u nisëm edhe një herë nga Tirana. Rruga jonë ishte Kavajë – Kryevidh – Sulzotaj ku studiuam pyjet e vjetra me pisha të Shkumbinit , për të cilat kasha dëgjuar nga shqiptarët që më 1924. Pastaj kaluam nëpër peisazhet e Kënetës së Myzeqesë, rrugës për në Lushnje, me varkë nëpër Seman e më pas në Berat e Osum.

 

Nga aty vijuam ngjitjen për në Tomor. Nga Vodica në Vartop arritëm në Kapinovë dhe me pas u ngjitëm në lartësitë 1000-1200 metra nga jugu, e gjithë kjo rrugë për një ditë të tërë dhe pa ujë. Në shpatin juglindor në 1600 m lartësi gjetëm një teqe ku qëndruam. Baba Aliu u tregua me ne shumë mikpritës, dhe na pranoi për të fjetur në teqe. Më 20 qershor, u ngjitëm mbi anën jugore të Tomorit (2400 m) në  një ditë me breshër dhe erë të akullt që frynte nga perëndimi. Ja vlejti, aty kemi gjetur një florë të mrekullueshme malore me tjerash psh edhe Viola Albanica.

 

Përsëri nëpër shi më 21 qershor vijuam për në lindje dhe pasi kaluam pyjet e ashpra gjetëm ngrohtësi vetëm pranë një zjarri në zyrën e qarkut (Krahinarie) të Qerricës në Tomoricë. Prej atëherë e tutje, dielli filloi dhe na qëndroi besnik deri në fund të gjithë udhëtimit; përjashtuar ca netë me stuhi që na u desh të strukeshim në tenda. Shkuam më në lindje, kaluam Qafën e Gurit të Preres, Zerec e Gopesh nëpër luginën e Devollit, pastaj deri në Shenapremte, Grabovë dhe në Gurin e Topit, ku kishim qenë edhe më 1924. Megjithatë edhe këtu kemi bërë zbulime të habitshme.

 

Pas mbërritjes në Shënapremte vijuam më në juglindje nëpër luginën e Pronit të Shalësit, nëpër Devoll dhe mbërritëm në Maliq (në jug të Ohrit). Marshimi na nxori në Korcë ditën e madhe të tregut.

 

Me sistemimin e tharjen e bimëve kishim shumë punë për të bërë. Prandaj, për të fituar kohë morëm një vendim të guximshëm. Ngarkuam kafshët në një kamion dhe gjithë frikë vijuam nëpër rrugën e re për në qytetin e Pogradecit, në perëndim të Liqenit të Ohrit, në Lin, ngjitëm Qafën e Thanës dhe nëpër Shkumbin ramë në Qukës e përmes grykës së Mirakës mbërritëm në Elbasan, një rrugë që në vitin 1924 shtigjet e të cilës i kishim kaluar plot vështirësi me mushka. Për fat të mirë, nuk patëm ndonjë aksident serioz. Lamë Elbasanin dhe nga Qafa e Krrabës mbërritëm në Tiranë ku menjëherë nisëm përgatitjet për një udhetim të dytë për në veri.

 

Paketës se kafshëve u shtova edhe një të katërt, bleva edhe një gomar. Vetëm aim und të përballonte rrugët e Shqipërisë veriore, ku ngarkesa nuk mund të jetë shumë e madhe. Kishim me vete edhe një ngarkesë të tërë me bukë, konserva e ushqime, të cilat janë të domosdoshme në një zonë ku uria është shumë e përhapur. Në të njëtën kohë pajtova edhe një shoqërues të dytë, një mirditor, një punë  që rezultoi e dobishme  sepse ai i njihte mirë shtigjet e rrugëve dhe njërëzit.

 

U rikthyem andej nga kishim ardhur gjatë muajit maj. Më 13 korrik ishim duke ngjitur Malin e Allamanit pasi kishim përshkruar Mamurrasin, kapërcyem vargmalin e Skanderbeut dhe zbritëm për herë të dytë në Mat nga Germani. Nëpër kthesat si gjarpëri vijuam drejt verilindjes për në majë të Ballgjajt (2100 m) ku gjenden disa liqene akullnajore. Pasi morëm kënaqësinë e disa zbulimeve e gjetjeve të papritura, u kthyem në verilindje mbi Lis e Shlli në drejtim të Malit të Dejës (2250 m), i cili është plotësisht karstik; Deri në 1000 m lartësi ka një bimësi shumë të pasur. Por mungon uji dhe barinjtë janë të detyruar ti zbresin bagëtitë e tyre poshtë lartësive 800 metra!

 

Ne ishim të vendosur të ecnim para për të arritur në Drinin e Zi dhe më parë e studiuar malet e Selitës dhe Lurës në verilindje. Përshkruam në lartësitë 1400 deri në 1500 m rrugën duke nisur nga pyjet mbi Macukull-Dukagjin-Gjocaj në Urakë e më pas Kurbnesh-Mekurth-Vlashaj-Lejthize-Arn-Ujmisht në Lumë.

 

Në Ymisht kaluam në një urë të shembur. Kapërcyem Drinin e  Zi dhe kaluam në Bicaj, ku në një lagje gjetëm Dioscorea balcanica Kos. Më 28 dhe 29 korrik, ngjitëm nga lindja Gjalicën 2500 m të lartë. Kur zbritëm në Kukës miqtë tanë me katër këmbë ishin gati në agoni. Kemi ecur shumë ngadalë deri në jugperëndim të Qafës së Kumbullës, e cila ndan kufirin mes Lumës e Mirditës.

 

Përshkruam më pas malësitë e Mirditës. Më 3 gusht ishim në Domgjon, pamë Fanin e Vogël, Bjeshket e Kushnenit 1400-1500 metra mbi nivelin e detit me pyje si një xhungël e bukur. Edhe zona ndërmjet Fanit të Madh na ofroi rezultate shumë tërheqëse. Vijuam Qaf e Logut- Mushta- Mesul-Kalivac-Gojan. Me të papriturat e rrugës arritëm mbi Korthpulë më pas në Stajkë dhe më 9 gusht u rikthyem sërish në civilizimin “evropian” në Shkodër.

 

Gjatë përgatitjeve për shpërbërjen e karvanit, unë shkova vetëm me një shërbëtor deri në Malin e Parunit, dega e Alpeve tëVeriut pranë Shkodrë. Kjo është një zonë karstike që përshkruhet nga Proni i Thatë  që nuk ka rrjedhë në të gjithë gjatësinë e tij. Rruga Koplik-Dedaj-Ducaj të çon në anën jugore të zonës që përfundon në 1600 m me Qafën e Shtegut duke kaluar nëpër kullota pa ujë ose bar. Plot bimë endemike rriten këtej me bollëk nëpër të çarat e shkëmbinjve.

 

U ktheva në Shkodër më 15 gusht. Para se ti japim fund udhëtimit bëmë një kalim në zonën e Shkamit të Kavajës në Durrës ku lulëzojnë Ephedra distachya dhe Pancratium maritimum.

 

Më 27 gusht isha në Berlin.

 

 

Markgraf e shoqëron përshkrimin e tij edhe me toponime të vendeve nga ai ka kaluar dhe ku më poshtë po sjellim të renditur emrat e vendeve që gjenden në Mat, ashtu sic ai i ka përshkruar.

 

MATJA: Krahinë në jugperëndim të Lurës që kufizohet në jug nga rruga Tiranë Dibër. Është një zonë kodrinore që përshkruhet mes për mes nga lumi Mat dhe në anë ngrihen male të larta; në verilindje vargu malor i Dejës, më në jug Mali i Allamanit, në perëndim vargmali i Skënderbeut e ndan me Krujën.

Bejn: Fshat në anën juglindore të Matit, në jug të Cerujës

Deja: Mal në verilindje të Matit

Dukagjin: fshati në veriperëndim Macukullit (Deja)

Han i Murrizit: Vendpushim në Qafën e Murrizes në lindje të Tiranës

Kulla e Staf Hemës: Shtëpi e fortifikuar në pjesën e sipërme të Zallit të Germanit

Liqeni i Madh: liqen akullnajor ne lindje të Majës së Ballgjajt (Mali  Allamanit)

Liqen i Vogel: po aty

Lum i Benit: lumë pranë Bejnit

Lusa: lumë që rrjedh nga Mali Allmanit

Mali i Allamanit: mal në anën lindore të Matit.

Mali i Guritbardh: Pjesa malore e fshatit Guri i Badhë në jug të rrugës Tiranë— Dibër

Mcek: Mal në jug të Qafë Murrizes (Mali me Gropa)

Pylli i Presidentit: Pyll në Batër (ana perendimore e Matit)

Prroj Rrepes: rrjedhe ndërmjet Bejnit e Cerujës (juglindje e Matit).

Qaf e Ballgjajt: kalim në Malin e Allamanit, në veri të Majës së Ballgjajt

Qaf e Mcekut: kalim për në Gur të Bardhë

Qaf e Shtamës: kalim në vargmalin e Skënderbeut, në jug të Majës së Liqenit

Shën Koll: kishë e rrënuar në veriperëndim të Macukullit (Deja)

Vargmali i Skënderbeut: kufiri malor në perëndim të Matit e në lindje të Krujës

Stani i Allamanit: vendverim i bagëtive mbi Kurdari, Mali i Allamanit

Stanet e Frankthit: vendverim i bagëtive mbi Frankth, mesi i rrugës për Qaf Shtamë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *