Fizika mund të përdoret për të përshkruar thuajse çdo gjë tjetër në jetë

Nga Olivia Goldhill

Mendoni mbi fizikën, dhe ka të ngjarë të keni një imazh të qartë të sistemeve të veçanta:atomet që bashkëveprojnë, ekuacionet që përfshijnë forcën, masën e përshpejtimin, dhe zbulimet e fundit të valëve gravitacionale. Por pse fizika duhet të kufizohet në çështje të tilla? Në fund të fundit, Aksel Kleidon, studiues në Institutin Mask Plank për Biogjeokimi në Jena të Gjermanisë, tha se “jetojmë në një botë fizike, ku gjërat kanë një funksion fizik”.

Ka një histori të gjatë të përdorimit të fizikës për të përshkruar sisteme të gjera, sikurse janë shkrimet e Robert Ajresit mbi atë se si termodinamika përshkruan zhvillimin e socioekonomisë, progresit teknologjik dhe ekonomisë. Një përpjekje më e fundit për të bashkuar të gjithë mënyrën e sjelljes nën një ligj të thjeshtë fizike, vjen nga Adrian Bejan, profesor i inxhinierisë mekanike në Universitetin Djuk. Ai hartoi Ligjin e tij Konstruktal në vitin 1996, dhe një libër mbi këtë temë për një audiencë jo-akademike.

Bejan, i specializuar në termodinamikë, pretendon se ligjet e fizikës mund të përdoren për të shpjeguar çdo gjë, nga rrjedha e ajrit në mushkëri tek struktura hierarkike të shoqërisë. Ligji Konstruktal i Bejan, përkufizohet pak e shumë kështu:”Që një sistem me një madhësi të caktuar të vazhdojë të ekzistojë me kalimin e kohës, ai duhet të zhvillohet në mënyrë të tillë që të ofrojë qasje më të lehtë tek rrymat që rrjedhin nëpërmjet tij”.

Në gjuhën e thjeshtë, të gjitha sistemet e gjalla do të lëvizin natyrshëm në konfiguracione që lejojnë një lëvizje më të lehtë. Kjo tingëllon e thjeshtë, por Bejan e ka përdorur teorinë e tij për të zbuluar sjelljen si të botës natyrore ashtu dhe inxhinierive të njeriut, me këto gjetje të botuara në revista shumë prestigjioze.

Ai ka përdorur Ligjin Konstruktal për të përshkruar sjelljen e gurrëve rrotullues, pse njerëzit ndërtojnë zjarret në të njëjtën formë, pse trupat më të mëdhenj (duke përfshirë kafshët, automjetet, dhe erërat) jetojnë më gjatë dhe të udhëtojnë më larg, dhe pse shtëllungat e tymit dalin nga avionët në formë të sheshtë dhe më pas rrumbullakosen.

Ai ka përdorur të njëjtën teori për të argumentuar, se si zogjtë ashtu dhe avionët kanë metoda të ngjashme të rritjes së efikasitetit. Studimi i botËS natyrore dhe artificiale në këtë mënyrë ka kuptim, thotë Kleidon. “Unë mendoj se kjo na tregon që natyra dhe inxhinieria njerëzore përballet me të njëjtat probleme fizike, për shembull, se si të ndërtojnë diçka që fluturon mirë”- shton ai.

Bejan këmbëngul se ligji i tij mund të përdoret për të shpjeguar dhe parashikuar fusha të tjera jo tradicionalisht fizike, duke përfshirë evolucionin, rrjedhën e pasurisë, si dhe ndërtimin e e rrugëve brenda një qytet (në fakt ai nuk është fizikanti i vetëm që shqyrton se si janë ndërtuar qytetet). Mund të duket e çuditshme të përshkruhet sjellja e njeriut, duke përdorur të njëjtat ligje që vlejnë për objektet e pajeta, por Bejan thekson se fizika vjen nga latinishtja që do të thotë “çdo gjë që ndodh në vetvete”.

Ai beson se e bukura e ligjit të tij, është se ai vlen në mënyrë universale. “Shoqëria është një sistem i organizuar i rrjedhës, ka një arkitekturë, pasi shoqëri do të thotë njerëz që jetojnë së bashku, dhe jo në mënyrë individuale apo të humbur në pyll”- thotë ai. Dhe fakti që njerëzit rrinë së bashku e bën më të lehtë ekzistencën e tyre, ashtu si lumi që vjen së bashku në një rrjedhë lumi. Fizika është përgjegjëse për këtë tendencë të natyrës, e cila është gjithashtu e dukshme në sjelljen e njeriut.

Kleidon është më i kujdesshëm. Ai thekson se fizika mund të përdoret fare mirë për të përshkruar strukturat sociale të njeriut, “por kjo nuk është fizika ajo që na tregon se çfarë duhet të bëjmë”. Edhe pse puna e Bejan është bindëse, teoria e tij është larg nga të pranuarit në mënyrë universale. Kleidon thotë se ndërsa Ligji Konstruktal ka zbuluar shembuj të shumtë interesante, dhe është një përshkrim elegant i sjelljes njerëzore, ai nuk është formuluar në mënyrë rigoroze si një ligj i fizikës.

Megjithatë, vetë fakti që Bejan ka gjetur kaq shumë shembuj të fortë të sistemeve të ndryshme që sillen sikurse parashikon ai, sugjeron se ka diçka të vërtetë në pretendimet e tij. Kleidon beson se në një moment, fizikantët do të arrijnë të zbulojnë një ligj të përgjithshëm që përshkruan se si evoluojnë të gjitha sistemet. Dhe ndonëse mund të duket e çuditshme të studiohet sjellja e njeriut me ligjet e fizikës, Kleidon thotë se “ne njerëzit organizohemi në një mënyrë ose në një tjetër sipas disa parimeve të fizikës”.

“Quartz” – Në shqip nga www.bota.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *