Financial Times” artikull për ekspozitën me fotot e Marubit në Amsterdam

Gazeta “Financial Times” i ka kushtuar vëmendje hapjes së ekspozitës së dinastisë Marubi në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit, FOAM. Ndërsa publikon foton e Kel Marubit me të shoqen, “FT” shkruan se imazhi është pjesë e një koleksioni që përfshin 150 mijë negativë xhami.
Në vijim të artikullit, tregohet se në këtë ekspozitë do të shfaqen fotografitë e përzgjedhura prej vitit 1856 deri në vitin 1959. Jepet po ashtu edhe historiku i familjes dhe i dritëshkronjës.
Ekspozita ka fotografi të përzgjedhura nga viti 1856 deri në 1959-ën, nga periudha osmane në atë komuniste, pa lënë jashtë fokusit as mbretërinë. Burra, gra, fëmijë, artistë, të burgosur, politikanë, njerëz të thjeshtë, peizazhe, zakone, rite, veshje, tradita- së bashku në Holandë. “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare” titullohet ekspozita fotografike, që çelet në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit – FOAM nga data 16 shtator deri më 27 nëntor. Në ekspozitë shfaqen imazhe artistësh si Tefta Tashko, Prek Jakova, Marie Kraja, bandat muzikore etj. Ekspozita është pjesë e një serie ekspozitash rreth studiove fotografike, që FOAM ka prezantuar vitet e fundit, duke përfshirë ‘Portrete nga Isfahan’, “Fotogalatasaray – Fotostudio e Maryam Sahinyan’ etj. Sipas muzeut, kjo pasqyron interesin në rritje të njëzet viteve të fundit në fotografinë e përditshme dhe vlerën e saj si histori shoqërore dhe si art. Kjo ekspozitë është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, Shqipëri”, shkruhet në faqen e muzeut holandez.
“Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi arriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon. Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Keli mori mbiemrin Marubi edhe si nderim për të. Ai e mbajti studion hapur dhe ia kaloi të birit, Gegë Marubit”, shkruhet në sajtin e muzeut holandez. Po aty, shënohet se “koleksioni me 150.000 xhama negativësh është interesant nga ana historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, e po ashtu nga ana artistike. Ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga periudha otomane te periudha komuniste, ritet sociale, kostumet folklorike dhe portrete grupesh të rëndësishme sociologjike mund të gjenden të gjitha në koleksion. Ekspozita është një prezantim i pasur i historisë së fotografisë të një vendi të izoluar europian”. Pas çeljes së muzeut, një sërë sajtesh të huaja i kanë kushtuar vëmendje./Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *