MAYA ANGELOU
Gra të hirshme më pyesin ku e kam atë sekret.
nuk jam e lezetshme, trupi modeleve s’m’iu ngjet
por kur nis t’ua them
ma kthejnë po na gërget.
Them,
e kam në zgjatjen e krahëve,
në të ngushtit e bluzës,
në hedhjen e hapit,
në harkun e buzës
Jam femën
Fenomenalisht!
Femën fenomenale
Më quej lirisht.
Hyj në nji dhomë,
joshëse sa të duesh thuej
E nji mashkulli…
tipat çohen ose
bien në dy gjuj,
Koshere bletësh mjalti
përreth më sillen në duej.
…i them,
asht zjarri që kam në sy
dhe shkëlqimi në dhambë,
lëkundja e belit
dhe gazmimi në kambë.
Jam femën
Fenomenalisht!
Femën fenomenale
Më quej lirisht.
E mashkujt vetë hamenden
ç’asht e imja që i merr
dhe rropaten kot,
por s’ma prekin dot
të mbrendshmin mister.
Kur t’u tregoj përpiqem
Thonë jemi ende n’terr.
Them,
m’asht në harkun e shpinës,
buzëqeshjen plot diell,
në përhedhjen e gjoksit,
në hiret që sjell.
Jam femën
Fenomenalisht!
Femën fenomenale
Më quej lirisht.
Tash po e kuptoni,
pse kryet s’e mbaj varë,
pse s’bërtas e pse eci mbarë,
pse nuk flas me za zhurmëtar.
Tek kaloj kur të shihni
ju ndihuni krenarë!
Them,
e kam në kërcitjen e takave,
te flokët në çdo lakim,
në shuplakën e dorës,
në vetë kujdesin tim.
Sepse jam femën
Fenomenalisht!
Femën fenomenale
Më quej lirisht.
Përktheu: Gazi Berlajolli