Fakte të pabesueshme për vikingët, nga poetë e luftëtarë tek mjekësia barbare dhe zhdukja

1. NGA E KANE MARRE EMRIN? Anglo-saksonët i quanin Vikings. Në gjuhën skandinave vik do të thotë gji, si kujtojnë dhjetëra vende në Norvegji dhe Islandë, që kanë këtë prapashtesë.

2. KUR NISEN TE TREMBIN BOTEN? Epoka e Vikingëve është përcaktuar nga historianët si periudha e zgjerimit të popujve nordikë mes shekujve VIII dhe XI. Por ajo ka një datë të saktë e të dokumentuar të fillimit: 8 qershor 793. Atë ditë manastiri i Lindisfarne, në verilindje të Anglisë, po festonte Shën Medardon, festë kundër dhimbjes së dhëmbëve, kur në plazh e zbarkoi E keqja absolute, që ishte një grup Vikingësh.

FURIA SHKATERRIMTARE. Vikingët ishin luftëtarë “si Grerëzat. Sulmonin si ujqër të uritur, grabisnin, shkatërronin dhe vrisnin”, rrëfenin murgjit e mbijetuar. Që atëherë, emri Viking u bë sinonim me dhunën.

3. SHKATERRUESIT E PARISIT. Tridhjetë vjet pas vdekjes së Karlit të Madh, Vikingët poshtëruan Francën perandorake, duke hyrë përmes Senës deri në Paris, të cilin e vunë nën thundër në 845. Po atë fat pësuan edhe qytete të ndryshme të Francës, Anglisë e Gjermanisë.

4. A ISHIN VERTETE AQ TE DHUNSHEM? Masakra ka pasur, nuk ka dyshim, por në Vik-et e tyre, në gjiret e tyre, ishin njerëz të qetë; barinj dhe peshkatarë kaq civilë, që e ruanin higjienën si askush në atë kohë, argjendarë të shkëlqyer, mjeshtra të aftë dhe poetë të shquar. Poema, në Islandë, ishte një art magjik dhe u quajt “pija e gnomëve”.

5. LUFTETARE RASTESORE DHE PA BRIRE. Ndryshe nga romakët apo ushtarët modernë, luftëtarët Vikingë nuk kishin një uniformë. Gjithkush vishej dhe armatosej me mjetet e veta. Udhëheqësit mbanin helmeta hekuri, pa brirë, ndryshe nga sa thonë legjendat urbane, ndërsa luftëtarët më poshtë në rangje, ishin të kënaqur me kapela lëkure. Pajisjet tipike të një ushtari përbëheshin nga një mburojë prej 75 cm në diametër, një sëpatë lufte me bisht të gjatë, një shtizë prej 3 metrash dhe një shpatë.

6. DRAKKARET E TMERRSHME. Luftanijet e vikingëve – Drakkaret – ishin të vogla, të shpejta dhe shpesh kishin një hark në formë dragoi. Të shtyra nga vela katrore dhe me vozitës (24 deri në 50 në varësi të madhësisë) i kalonin 20 km në orë dhe manovronin edhe në gjiret më të ngushta. Ngushtësia u mundësonte të ngjitenshin deri në brigje, e të sulmonin befasisht. Në varkë nuk hahej dhe zakonisht nuk flihej.

7. MJEKESI BARBARE DHE PASTRIMI MODERN. Në qoftë se një luftëtar plagosej në bark, fillimisht trajtohej me një supë me qepë. Në qoftë se nga plaga dilte era e qepës, atëherë nga pacienti hiqej dorë. Përndryshe, nisnin kurat me bazë bimore dhe kthehej vëmendja nga fuqia magjike e runave, që bëheshin tatuazh në duar.

Ndryshe nga sëmundjet, vikingët i vinin shumë rëndësi higjienës personale, sidomos gratë: ato lyheshin me kujdes, bënin një javë saunë (shumë për anglezët), përdornin piskatore hekuri për të hequr flokët e padëshiruar dhe shkopinj të vegjël metali, për të pastruar veshët.

8. VIKINGET. Gratë ishin shumë të pavarura dhe të emancipuara. Ndërsa burrat ishin larg në betejë, ishin gratë që merreshin me shtëpinë e tyre dhe fermën. Një Vikinge mund të zgjidhte burrin, dhe mund të kërkonte divorcin nëse ai e rrihte apo e tradhëtonte. Nëse i mbante flokët të lëshuara, ishte ende e pamartuar, kur martohej, ajo i mbante flokët gërshetë.

Një Arab që vizitonte qytetin e Hedebyt në vitin 950, shkruante se ato lyenin sytë, për t’u dukur më të bukura dhe konstatonte që e bënin këtë gjë edhe burrat. Megjithatë, gratë nuk hipnin në anijet vikinge: shoqëronin burrat e tyre vetëm kur shkonin për të kolonizuar një vend dhe gjatë sulmeve e betejave, rrinin të fshehura.

9. LUFTETARE TE VEGJEL NE RRITJE. Fëmijët mbeteshin të tillë deri në 12 vjec. Ata nuk shkonin në shkollë, por dërgoheshin në fushë, ose ndihmonin në shtëpi. Meshkujve u jepeshin armë prej druri.

Kur rriteshin, djemtë luftonin nën mbikëqyrjen e të rriturve. Adoleshentët që merrnin pjesë në sulmet e tyre të para ishin të armatosur vetëm me një shpatë (të rëndë 30 kg): kush sillte një kokë armiku si trofe, merrte si çmim një sëpatë.

10. USHTRI PA GRADA. Luftëtarët nuk kishin grada. Komandanti i çdo sulmi ishte kapiten i anijes. Luftëtarët mund të ishin qytetarë të zakonshëm, ose profesionistë. Vetëm këta të fundit udhëhiqnin sulmet. Elita e luftëtarëve përbëhej nga berserkers-ët ose berserker-ët, të vlerësuar për perëndinë supreme të luftës, Odinin: konsideroheshin të paprekshëm dhe ndoshta merrnin drogë.

Teknika e luftimeve e Vikingëve përfshinte goditje “jokorrekte”: Thuhet se në përleshjet trup më trup, sulmonin në fyt, duke u përpjekur për të prerë fytin.

11. EKSPLORUES TE PALODHUR. Më shumë se armët dhe bastisjet, ishin tregtia dhe shkëmbimet e mallrave, që i bënë vikingët të njohur kudo. Kronika islame të shekullit të nëntë përmend tregtarët veriorë në brigjet e Detit Kaspik, që më pas u shtynë deri në Bagdad. Normanët arritën në Sicili dhe Italinë e Jugut rreth vitit njëmijë dhe u vendosën aty.

Në fund “zbuluan” Amerikën, në sajë të navigatorit Leif Erikson. Por deri ku shkuan në kontinentin e ri?

12. KUJT I DREJTOHESHIN NE LUTJET E TYRE? Një grupi hyjnish plot me të meta. Perëndia kryesore në mitologjinë nordike ishte Odini, ose Zoti i luftës, pa një sy (që e dha në këmbim të urtësisë së pafundme). Tiri, Zoti i drejtësisë dhe pa një dorë. Edhe perëndesha e bukurisë, Frejia, konsiderohej nga perëndia i ligë, Loki, si një nimfomane. Pra, një goxha shoqëri. Por vikingët nuk kishin proftërinj profesionistë: krerët e fshatrave merreshin me ata pak rituale që kishin, të bazuar mbi të gjitha në marrëdhënien me natyrën. Pikat kulmore ishin flijimet e kafshëve dhe njerëzve, gjaku i të cilëve shërbente për të zbutur perënditë.

13. MITE TE RREME. Historia e vikingëve është shoqëruar gjithmonë me një seri legjendash false. Më e njohura është një përdornin helmeta me brirë. E pavërtetë. Por nuk është e vetmja gënjeshtër për ta. Për shembull, ndonëse shumë të dhunshëm, nuk ishin sadistë dhe nuk përdornin torturën si instrument ndëshkimi. Nuk është as e vërtetë që pinin gjak njeriu, nga kafka e armiqve të tyre (kjo gënjeshtër ka lindur prej përkthimit të keq të një poezie): përdornin brirë, të zbukuruar me argjend. Po kaq të rreme janë edhe rrëfimet për orgjitë e luftëtarëve. Sipas historianëve modernë, edhe pse bashkëshortja zyrtare duhej që të jetonte me konkubinat, mund të kërkonte divorc, të kërkonte pasurinë nëse martesa shfuqizohej, dhe të rimerrte sendet e saj dhe emrin si fisnike.

14. PARLAMENTARET E PARE. Demokracia parlamentare nuk është një shpikje angleze, por vikinge. Për parlamentin e parë europian, pretendimet janë ngritur prej dy vendbanimeve vikinge. Sipas disa burimeve në Logtun, në Norvegji, mbi një kodërz ku që 10 shekuj më parë mblidhej një herë në vit Thing-u, një ansamble prej 485 delegatësh nga 12 tribu, për të diskutuar mbi tema me interes të përbashkët. E lindur spontanisht, ajo vazhdoi edhe pas periudhës viikinge. Por kjo gjë kontestohet nga Islanda, ku në të njëjtën periudhë, rreth vitit 930, u krijua një parlament i ngjashëm: i kryesuar nga një plak, mblidhte krerët e fiseve. Në vitin 1000, ata madje votuan se cili ishte Zoti i vërtetë: pas një debati të gjatë, vendosën që të fitonte Zoti i të krishterëve, dhe gjithë të tjerët u shfuqizuan.

15. PERSE U ZHDUKEN? Po përse vikingët pushuan së ekzistuari si të tillë? Një arsye ishte lindja e mbretërive kombëtare, që eleminuan identitetin fisnor të origjinës. Një tjetër ishte krishtërimi, që nga një anë i afroi ish piratët me kulturën europiane, dhe nga ana tjetër i dobësoi me luftëra fetare. Në fund, fakti që vikingët pasi u shtynë nga uria, dhe u bënë fillimisht piratë e më pas kolonizatorë, pasi siguruan stabilitet, u rikthyen të ishin ata që kishin qenë: fshatarë dhe fermerë. /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *