Europa Mbretëreshë dhe Arbëria

Nga Dorian Koçi

Kjo është një hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, e cila është vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë. Ne fakt në mitologji Europa paraqitet  si një vajzë e re, një princeshë, bijë e mbretit mitik Agenor, e cila u rrëmbye nga Zeusi i shndrruar në dem dhe që humbi gjurmët e saja diku ne atë që quhet sot Evropë.
Harta e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.  Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfishirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë. Një nga vëllezërit e Europës  ishte Kadmi, themeluesi i Tebës( Thiva  e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti , u ndal duke themeluar qytetin e Thives. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit. Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim  shekullit të II pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe sëbashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj,  u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës( liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë Illyrion që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike e qytetërimit europian, ndaj Arbëria , imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë. Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan,  ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, vazhdon të gjallojë në idenë europiane të kontinentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *