“Eshtrat që vijnë vonë” në Shkup

Shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, e cila erdhi premierë më muajin maj të këtij viti në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka marrë ftesë nga MOT International Theatre Festival.
Ky festival vjen me edicionin e 41-të dhe do të mbahet në Shkup, mes datave 21 deri 27 shtator. Teatri Kombëtar i Kosovës merr pjesë me shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë” nga Teki Dervishi, me regji të Martin Koçovskit. Këtë pjesëmarrje e ka konfirmuar për KultPlus drejtori artistik i TKK-së Agon Myftari.

Regjisori Martin Koçovski ka thënë se teksti i Dervishit është shumë bashkëkohor.

“Ngrihen pyetje për identitetin. Kjo është shumë interesante sidomos për kosovarët. Shfaqja jonë shkon një hap më tej. Bëhen pyetjet për gjenezën e popullit shqiptar në këtë kontinent e më gjerë. Ka shumë pyetje dhe në mes tyre janë religjioni, territori e gjërat që ndodhin. Nuk jepen përgjigje. Por besoj se secili do të ketë përgjigje individuale”, thotë Koçovski.

Ai ka thënë që ky është një nga tekstet më të mira moderne që është shkruar.

“Kur kam marrë ftesën nga Teatri, kam mbetur i mahnitur nga ky tekst. Kam kuptuar se sa nuk di për kulturën, letërsinë e teatrin kosovar. Kam gjetur se përse ne jemi kaq të afërt e kaq larg njëri-tjetrit”, tha ai. Koçovski ka shtuar se jeton në Maqedoni në mes të shqiptarëve, por drama “Eshtrat që vijnë vonë” është një renesancë për të.

Kasta e aktorëve për këtë shfaqje përbëhet nga: Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti.

Drama e Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë”, trajton fatin e individit me identitet të humbur, raportet mes njeriut i cili për pushtet ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin Orwellian në të cilin është futur domosdoshmërish.

Martin Koçovksi është regjisor i shumë projekteve teatrale. Përgjatë karrierës së tij ai është shpërblyer shumë herë me çmime të rëndësishme në vend dhe rajon, si çmimin: regjisori më i mirë, çmimin për audiencë, performancë e shumë çmime të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *