Nga Mira Kazhani
Kur e pashë tek e “Diela Shqiptare”, e pranoj, më pëlqeu. Ishte, ndoshta, zgjedhja me stratege dhe më e mirë e bërë në këtë fundvit nga një politikan. Kryeministri që dëgjonte histori shqiptarësh – më pas u bë babagjysh dhe ndau dhuratat si i plotfuqishëm. Ai, madje, edhe qau dhe kjo e bëri më shumë sesa babagjysh, njerëzor, afër zemrës se qytetarëve. E pranoj që edhe foli bukur, i përligji me fjalë të gjetura dhuratat e tij! Eriglisën, vajzën me origjinë egjiptiane, e bëri këshilltare, e kështu më shumë sesa babagjysh dukej një mbret përrallash. Tek Leo i vogël iu drodh dora e madhe dhe në një moment i vendosi gjithë thesin, ngase nuk po e hapte dot! I premtoi një taksi çdo ditë dhe angazhim për ta ndihmuar edhe me fizioterapinë!
Tani, në fakt, të gjithë politikanët përfunduan si trikot e Lali Erit, me një lajtmotiv. Shumica (veç Lul Bashës), që nga presidenti e me radhë, u shfaqën nëpër jetimore, azile, puthën duar e lanë duar! E pranoj, nuk mendoj që kjo është hipokrizi. Po të mos e bëjnë fare, do t’i bënim edhe më leckë, por ka një problem të madh, për të cilin duhet të kemi kurajë gjithë vitin: Ne nuk kemi nevojë për dhurata! Kur na japin atë që na takon, nuk mund të lejojmë kërkënd që të na e falë atë që na përket! Do duhej që kryeministri t’i jepte mundësinë Eriglisës për të konkurruar me ndershmëri krah Eriglisave të tjera, që nuk kanë faj që s’kanë një fatkeqësi nga pas. A kemi thënë: Mos fut mik por meritoje vendin tënd në administratë? Kështu, në këtë pikë pati dhe ka një ngërç, jo moral, por prej shtetari!
Ashtu si me të drejtë ngrinte problemin një kronikë dinjitoze News 24, dy ditë më parë, kur tregonte se historinë e Leo Trimit e kishin shfaqur edhe më herët në atë televizion, por askush nuk kish reaguar. Si i bëhet që të bëhemi një shoqëri reaguese? Që të mos i zgjidhim punët me telefon ose për Vit të Ri? Që mos më marrë mua komshiu në telefon, se meqë jam gazetare, duhet të njoh dikë që ka karrotrec dhe ai të vijë të ngrejë një makinë që po pengon punimet e ujësjellësit? Si i bëhet që të mos dalim nga shtëpia dhe çdo ditë t’i garantojmë vetes mbijetesën, jetesën dhe me kismet jetën e bukur?!
Kështu, i dashur Babagjysh, lëri drerët dhe karrocat dhe kandido për kryeministër në Shqipëri!
p.s
*”Unë nënkupton qytetarin, per ndonjë syresh qe mund ta marrë kallëp!” /Copyright Tiranapost.al