Erazmo Roterdami, gjeni i mendimit të lirë dhe përfaqësues eminent i iluminizmit

Nga Islam Balaj
ERAZMO ROTERDAMI ( ERASMUS DESIDERIUS ROTERDAMUS) , gjykuar sipas të gjitha të dhënave, qe njëri nga përfaqësuesit më në zë të humanizmit ( lexo: iluminizmit) europian, i cili u vu në ballë të Lëvizjes Humaniste në Europën Veriore, duke e udhëhequr të ashtuquajturën: Rilindja (Renesansa) Veriore. I mbiquajtur nga bashkëkohësit, humanisti më i madh nga të gjithë humanistët, ai, me bindjet e tij të thella iluministe, i shërbeu botës, si një kandil ndruçues (lumen mundi). Por duhet theksuar se ai nuk ishte vetëm humanist i shquar, por njëherësh dhe shkrimtar, poet, satirist, filozof, pedagog, filolog e mjeshtër i përsosur i stilit latin. Ishte njëri nga mendimtarët më të spikatur, erudit i jashtëzakonshëm e intelektual i përmasave europiane dhe më gjerë të shek. XVI-të. Duke qenë se ishte njohës i shkëlqyer i shumë fushave shkencore e teorike, me të drejtë e quanin : ”doctor universalis”, ”vir incomparabilis et doctor phoenix” etj. Ai shkroi rreth 226 studime nga fusha të ndryshme, të cilat merreshin kryesisht me fenomene e probleme të kohës kur ai jetoi. Në formimin e personalitetit të tij si mendimtar e humanist, ndikim të madh kanë pasur dhe mendimtarët e shquar grekë e romakë, si: Terencio (Terencius), Lukiani (Luciani), etj. Ndërsa filozofi i shquar grek, Sokrati, ishte për të ideal i njeriut të përsosur. Pra, siç shihet, ai shquhet për një qëndrim tejet human e iluminist, por njëherësh dhe të pakompromis ndaj të gjitha autoriteteve të rreme e çoroditjeve njerëzore, të cilat aso kohe, qenë objekt kritike dhe i personaliteteve të shquara, si: Leonardo da Vinçi-t, Albrecht Dürer-it, Thomas Müntzer-it etj. Ndërsa me përkthimin (dhe komentimin) që i bëri Dhjatës së Re, (nga gjuha greke), ai kreu një revolucion të njëmend teologjik, duke i dhënë asaj një version liberal e shkencor. Kështu, ai qe i pari i cili arriti t’i çaset në mënyrë shkencore dhe kompetente, Shkrimit të Shenjtë. Pëkthimi që ai i bëri Dhjatës së Re, i shërbeu Martin Luther-it si shembull i shkëlqyer për një përkthim më të sukseshëm të saj në gjuhën gjermane. Erazmo Roterdami njihet si njëri nga teoricienët më të njohur të Reformës në Europë, madje më kryesori. Me qëndrimin e tij liberal mbi reformat, ai i forcoi akoma më shumë bindjet e tij humane e reformiste, ndonëse lëvizjes reformiste hezitoi t’i bashkohej. Me një fjalë, roli i tij në Lëvizjen Reformiste, ishte i ngjashëm me atë të Voltair-it në Revolucionin Francez. ERAZMO ROTERDAMI, emri i vërtetë i tij është Geert Geerts. Në gjuhën latine dhe greke, ( Erasmus Desiderius). Ai u lind në vitin 1465 (sipas disa burimeve, në 1466) në Rotterdam. Ndërsa vdiq më 12 Korrik të vitit 1536 në Basel (Zvicër). Erazmo Roterdami u shkollua në Paris, Angli, në disa qytete të Italisë, si në: Venecia, Padova, si dhe në Holandë e Gjermani. Gjatë disa vizitave të tij në Angli, ai njihet dhe miqësohet me shumë personalitete shkencore, intelektuale e politike të vendit, si psh. me lordin, William Mountjoy. Ftohet dhe nga mbeti i Anglisë, Henry Vll (Vlll). Ndërsa me ftesë të Universitit të Kembrixhit (University of Cambridge), ai e ligjëron gjuhën greke. Ndërkohë që me Tomas Morin (Thomas More), ishin miq të ngushtë. Në Torino, ai arriti ta marrë titullin: Doktor i shkencave teologjike. Erazmo Roterdami gjithashtu ishte njëri nga komentuesit më të njohur të krijimtarisë së Aristotelit, Augustinit, Jeronimit, Ambrozit etj. Me këtë ai i vuri bazat e Filologjisë europiane. Në këtë kontekst, i gjithë preokupimi i tij mendor e intelektual, ishte i përqëndruar në studimin e çështjeve filologjike, sidomos fjalës së bukur, sepse, pikërisht bukuria e fjalës ishte ajo e cila atë e magjepste pa masë. Në filozofi ai ishte skeptik dhe përkrahës i epikurizmit. Ndërsa vepra e tij e njohur: “De ratione studii” (“Mbi mënyrën e të studjuarit”), paraqet programin e parë sistematik të një arsimimi iluminist (humanist) europian. Në vitin 1522 boton veprën e tij të njohur: “Bisedat” (“Colloquia”). Në një vepër tjetër të tij, me titull: “De bello Turcis enferendo”(1530), (ku flet për pushtimet otomane në Ballkan e më gjërë), Erazmo Roterdami, ndër të tjera, përmend dhe Tokat Ilire të Gjirit Ilirik (Sinu Illyrico). Ndërsa vepra e tij më e njohur, të cilën do ta quanim dhe kryevepër të Erazmo Roterdamit, është: “LAVDËRIM MARRISË (MARRËZISË)”, në latinisht(“LAUS STULTITIAE ”), në greqisht (“MORIE ENCOMIUM”). Veprën në fjalë, (në gjuhën latine), Erazmo Roterdami e shkroi me një mjeshtri të jashtëzakonshme dhe me stilin e një humanisti të përsosur e të një mendimtari të spikatur të përmasave europiane e botërore. Në këtë vepër ai, në mënyrë satirike dhe me një ironi therëse të llojit të veçantë, (përmes Marrëzisë) kritikoi veprimet e çoroditura të njerëzve, botën hipokrite dhe një realitet të tërë jonjerëzor e të paskrupullt. Ose më sakt, ai i kritikoi në mënyrë të pamëshirshme të gjitha fenomenet negative të shoqërisë, dhe thuaja, një epokë të tërë të historisë. Kritikoi të gjitha format e dhunës, egërsisë, barbarizmit, hipokrizisë, injorancës etj. e në veçanti, fanatizmin e çdo lloji, (si burimin themelor të mjerimit njerëzor), duke mos kursyer asnjë fushë të jetës, e asnjë institucion të lartë shoqëror, sepse sipas tij, “MARRIA”(“MARRËZIA”) sundon pamëshirshëm kudo, në të gjitha poret e jetës dhe në të gjitha pozitat shoqërore. Ose me saktë, ai thotë: “Jeta njerëzore nuk është gjë tjetër veçse një lojë e marrisë (marrëzisë)”. Vetë mënyra e rrëfimit dhe thumbi satirik që autori i përdor në vepër, bëjnë që vepra të jetë kaq autentike dhe origjinale. Në fakt, ai këtu flet në emër të Marrisë (Marrëzisë): “Këtu, ju nuk do të dëgjoni lëvdata as për nder të Herkulit e as për nder të Solonit, por për nder të personalitetit tim d.m.th. për nder të Marrisë ( Marrëzisë). Unë, siç po e shihni, jam adhuruesja e vërtetë e të mirave që latinët e quajnë Stultitia, ndërsa grekët Moria”. Dhe vazhdon: “Por unë, për t’ia nënshtruar sundimit tim tërë botën, më duhet ndihma e shërbëtorëve të mi më besnikë, siç janë: Sedërmadhja, Lajka, Harresa, Përtacia, Kënaqësia, Mendjelehtësia, Shfrenia, Gostia dhe Gjumi i rëndë”. Sipas Marrisë, (Marrëzisë) si te njeriu, ashtu dhe te të gjithë popujt, Natyra e mbolli Egoizmin: “Erdhi puna deri aty që britanikët, për shemull, ta përvetësojnë bukurinë, talentin muzikor dhe tryezën e pasur; skocezët lëvdohen për aristrokaracinë e vet, farefisninë me gjakun mbretëror; francezët jenë krenarë për sjelljet e tyre të mira; italianët kërkojnë përparësi në letërsi dhe gojëtari etj. Të gjithë, me një fjalë, e lajkatojnë vetveten se vetëm ata nuk janë barbarë në botë. Ndërsa kur flet për artistët profesionistë, Marria (Marrëzia) thotë: “artistët, këngëtarët, gojëtarët dhe poetët, (me egoizmin e tyre) janë sqimatarë të mëdhenj. Sa më injorant të jetë ndonjeri prej tyre, aq më mburravec është, aq më shumë rreh gjoks dhe kapardiset. Ajo më e keqja u pëlqen më tepër shumicës, sepse (shumica) numri më i madh i njerëzve i shërben Marrisë (Marrëzisë). Prandaj ajo nuk ka nevojë për tempull, sepse siç thotë ajo: “ e tërë kjo botë është vendi im i shenjtë”. Së këtejmi ajo pyet: Pse vallë atëherë injoranti ta dojë arsimin e vërtetë? E para, arsimi kushton shumë; e dyta, të gjithë për shkak të tij, i largohen, po edhe ai u largohet të gjithëve, kështu që do të ketë pak njerëz të cilëve do t’u pëlqejë”. Prandaj sipas saj, njerëz të ditur (mendimtarë) ka pak. Në Greqi, për shembull, në shekuj numërohen vetëm shtatë të tillë. Marria (Marrëzia), nuk i kursen as shkrimtarët, mësuesit e oratorisë, filozofët, juristët, teologët, e madje dhe as mbretërit e drejtuesit e shtetit. Ja se ç’shkruan Marria (Marrëzia) për ata që e drejtojnë shtetin: “Ai që e drejton shtetin, duhet deomos t’i kryej punët publike e jo personale, ai nuk guxon të mendojë për asgjë tjetër, përveç se për dobinë e popullit; nuk guxon të largohet asnjë fije prej ligjeve që i miraton dhe i zbaton vetë; duhet të vigjëlojë mbi ndershmërinë e nëpunësve të vet dhe për shtet; duhet të ketë të ditur se i është ekspozuar syve të të gjithëve dhe se me jetën e tij të pastër, si ndonjë yll shpëtimtar, mund të ndikojë në mënyrë të dobishme mbi punët e njerëzve, ose në të kundërtën, si ndonjë kometë e kobshme, mund të sjellë fatkeqësinë më të madhe, natyrisht, nëse devijon sado pak nga rruga e ndershme. Mirëpo ç’ndodh…? Pozita e tij ku ai qëndron, i sjell atij tundime të mëdha dhe bëjnë që atë ta largojnë nga rruga e vërtetë; për shembull: argëtimet, liria, lakmia, lajkatimi, luksi etj. e joshin aq shumë atë sa që ai mund ta humb toruan. Mirëpo ai duhet të përpiqet më shumë dhe të vigjëlojë më me kujdes mbi veten e tij që të mos e humb toruan dhe të mos ligështohet në detyrë. Sepse. llogaria do të jetë aq më e ashpër, sa më pushtet të madh që të ketë ai gjatë sundimit të tij. Atij i qëndron mbi kokë ai mbreti i vërtetë, i cili do të kërkojë prej tij llogari, sado e vogël qoftë kundërvajtja që ai ka bërë. E sikur ai të mendonte për këto (e do të mendonte po të ishte i mençur), sipas mendimit tim, nuk do të bënte gjumë të qetë e do t’i zihej kafshata në fyt. Mirëpo unë, Marria,(Marrëzia) i ndihmoj që të gjitha këto brenga ai t’ua lë perëndive e t’i kushtohet jetës pa brenga”. “Në qoftë se këto që i tregova, ju duken të tepërta dhe pa fije turpi, atëherë merreni parasysh, ju lutem, se i rrëfeu Marria (Marrëzia)”. Edhe përkundër faktit se veprat e tij i përshkonte një frymë e shëndoshë humaniste, ato ngjallën reagime të shumta dhe hasën në kundërshti nga qarqe të caktuara. E disa prej tyre, madje, u vunë dhe në indeksin e librave të ndaluar. Por megjithatë, Erazmo Roterdami nuk u përkul, por mbeti gjithmonë solus esse volui. Mirëpo falë qëndrimit të tij të paluhatshëm ndaj bindjeve të veta, ashtu dhe ndaj parimeve themelore humaniste e morale, si dhe guximit të tij intelektual, ai u vlerësua lart nga shumë personalitete të kohës, si dhe nga shkrimtarë e intelektualë të mëvonshëm, ndër ta vlen ta përmendim Stefan Cvajg-un, Johan Huizing-un etj. Erazmo Roterdami, synonte me gjithë shpirt, sendërtimin e një bote më të lumtur e më njerëzore, ku në vend të Marrëzive, të dominojnë virtytet humane, paqja dhe mirëqenia midis njerëzve. Kjo qe intenca e tij themelore e njëherësh dhe e para, nga gjithë bashkëkohësit e tij. Andaj me të drejtë mund të thuhet se ai ishte gjeni i mendimit të lirë dhe përfaqësues më eminent i iluminizmit europian në shekullin XVI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *