Nga Ermir Çela
Argumentet që vërtetojnë dhe faktojnë ekzistencën e Zotit janë të panumërta. Çdo gjë që na rrethon, dëshmon për këtë, madje çdo krijesë, sado e vogël qoftë, është argument më vete. Çdo send në këtë botë i përket dikujt. Nëse shtëpia është e një ndërtuesi, thënia e një folësi, libri i një autori, piktura e një piktori, gravura e një skulptori, produkti i një prodhuesi, atëherë dhe gjithësia është e një krijuesi.
Ndër argumentet e shumta që të çojnë në njohjen e Zotit është dhe logjika, fuqia e arsyetimit, kjo dhuratë kaq e madhe që e dallon njeriun nga kafsha. Nëpërmjet kësaj dhurate njeriu njeh dhe kupton vetveten, dallon të keqen nga e mira dhe kupton se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë. Arsyeja e pastër e njeriut e bën atë të pyesë: Kush jam unë ? Pse ekzistoj ? Ku jam ? Nga erdha e ku do të shkoj ? Nëse njeriu nuk arrin t’i bëjë vetes këto pyetje, atëherë ai nuk dallon nga kafsha. Nëse i bën këto pyetje dhe nuk arrin t’i kthejë përgjigje, atëherë është më keq se kafsha.
Të gjithë krijesat ndryshojnë me kalimin e kohës dhe janë subjekt i lëvizjes. Vetë njeriu, toka ku jeton, si dhe trupat e tjerë qiellorë, lëvizin sipas një rendi të caktuar. Sa e çuditshme, po t’i vësh re edhe elektronet si grimca të vogla, shkojnë e vijnë rreth bërthamës së atomit ashtu si planetet. Po a e pyesim veten ndonjëherë , se nga erdhi i gjithë ky rregull absolut ?! A mos vallë kjo është diçka e rastësishme ?! Dy mundësi janë, ose gjithçka ka ardhur vetvetiu, ose ka krijuar veten e saj. Siç e dimë asgjë nuk vjen vetvetiu, sepse asgjëja nuk jep gjë, pra s’mund të krijojë. Edhe përkundër formulës më të thjeshtë: zero+zero+zero asnjëherë nuk mund të jenë të barabartë me një. Po ashtu edhe ajo që është, nuk e krijoi dot veten e saj, gjë e cila as nuk pretendohet.
Apple i Machintoshit përfshiu botën, i shpikur nga Steve Jobs. Po kush e shpiku mollën që ne hamë ?! Stetoskopi është zbuluar nga fizikanti Rene Lanes, më 1818-ën. Po kush e zbuloi veshin me të cilin dëgjojmë gjithçka ?! Kalkulatori (makina llogaritëse) është zbuluar nga francezi Blaise Pascal më 1639-ën. Kush e krijoi mendjen e njeriut ?! E cila është e barabartë me një milion kalkulatorë të avancuar në botë, që punojnë në të njëjtën kohë. Llamba elektrike, të cilin e përdorim për të ndriçuar ambientet tona, u zbulua nga Tomas Edison-i, më 1879-ën. Pra kush e krijoi diellin ?! I cili ndriçon gjithë botën. Aeroplani u shpik nga Wilbur Wright, në vitin 1903. Por kush e krijoni sistemin tek shpendët, që ju mundëson të fluturojnë në lartësi të mëdha ?!. Ai është Zoti, krijuesi i gjithçkaje. Kërkojeni atë, do ta gjeni. Krijesat e panumërta, shumëllojshmëria e gjallesave, bimëve, kafshëve, ushqimeve, dëshmojnë për autorin e tyre. Ne jemi tregues se në këtë botë asgjë nuk funksionon vetvetiu, por çdo gjë ka një shkak dhe çdo shkak sjell një pasojë. Kush i krijoj qiejt dhe tokën ? Kush i nënshtroi në lëvizje planetet, yjet, diellin dhe hënën ? Kush e bëri tokën të banueshme ? Dhe vendosi në harmoni të përsosur malet, fushat, lumenjt, detet e liqenet. Kush e bëri ujin burim jetese të çdo gjallese dhe ajrin aq të rëndësishëm ? Po dukuritë natyrore ? I kujt është gjithë ky ligj unik dhe i përpiktë ? Logjika e pastër do të vendosë pa hezitim se këto dukuri nuk janë produkt i rastësisë, por i një krijuesi të gjithësisë. Nga ana tjetër, kur shikojmë përsosmërinë në krijimin e gjallesave, vërtetojmë urtësinë e Krijuesit. Të vështrojmë edhe krijesat më të thjeshta, do të befasohemi në mrekullinë e krijimit të tyre. Mendo se ç’mund të thuhet për njeriun si qënie komplekse, fizike e biologjike, e për më tepër me ndjenja dhe arsye.
Përpiquni të njihni Zotin, nëpërmjet krijimeve mahnitëse që ju shihni përreth, e më pas përpiquni që të shpjegoni edhe krijimin tuaj. Universi ynë përbëhet nga miliarda planete të tjerë. A mos vallë ishte dikush prej nesh që e zgjodhi vetë këtë univers për të jetuar?, Në galaktikën që na rrethon, planeti tokë është i vetmi që ofron kushtet normale të jetesës së qënies njerëzore. A mos vallë dikush prej nesh e dinte këtë, kur ende nuk kishte lindur ?! A mos vallë ishim ne që e drejtuam gishtin drejt planetit tokë dhe e zgjodhëm atë për të jetuar?! A mos vallë ishim ne ata që vendosëm se në cilin kontinent do të vinim në jetë ? Apo mos ishim ne ata që e zgjodhëm shtetin meme ? Kush prej nesh zgjodhi se cilët do të kishte prindër ? Mos vallë ishim ne ata që e krijuam veten tonë ? Apo dikush tjetër e bëri një gjë të tillë ? A mos vallë e caktuam gjininë tonë dhe vendosëm që do vinim në këtë jetë si mashkull apo femër ? Apo mos vallë po pohojmë se kujdesemi për rrahjet e zemrës tonë edhe kur jemi në gjumë të thellë ? Ishim ne ata që krijuam gjymtyrët tona ?! Pa të cilët nuk mund të bëjmë dot asgjë. Ne e përcaktuam ngjyrën tonë të lëkurës ?! Sikur e gjithë bota të bashkohet, nuk do të mundet të krijojë as një mushkonjë të vetme. Unë dhe ju bashkë e dimë shumë mirë, se nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë nga këto që u përmendën më parë. Ai j’ua dha jetën kur deshi dhe është Ai që j’ua merr sërish, pa ju pyetur. Ende e mohoni Zotin tuaj ?!
Më gjeni një kulturë, apo një qytetërim ku të mos përmendet ekzistenca e Zotit. E në këtë moment, dalim ne me besim të madh në vetvete duke thënë: Zoti nuk ekziston sepse unë nuk e shoh atë. Epo mirë, si fillim le të mohojmë mijëra vite qytetërim të shkuara dëm pas një supozimi të kotë, për një pseudoargument që posedojmë. Po a e dimë ne që shikimi ynë është i kufizuar ?! Apo që ne nuk i dëgjojmë dot infra dhe ultratingujt ?! Po ashtu ne jemi të kufizuar në kohë dhe në botën fizike. E si mund të çojmë ndër mend të shohim Zotin ?! I Cili është përtej kohës dhe botës metafizike, e njëkohësisht përtej preceptimit tone. Le të vështrojmë drejt diellit, për disa sekonda do t’i shkëpusim sytë se do të na verboheshin. Po Krijuesin tonë dhe të diellit së bashku, si do ta shihnim ? Ju siguroj që nuk kemi mundësi. Le të marim shembullin e një turisti që viziton një plazh apo një qiellgërvishtëse për herë të parë. Ai do të mbetet disa sekonda deri në minuta të tëra, duke e kundruar pa lëvizur. Dhe ju mendoni se nëse do të shihnim Zotin, jeta jonë do të kishte të njëjtën rrjedhë ? Absolutisht që jo. Kjo është një prej mirësive të shumta të Zotit për krijesat e tij.
Pa u zgjatur shumë do doja të përmendja atë natyrshmërinë e pastër apo atë sinqeritetin e kulluar, me të cilin lind njeriu. Kjo natyrshmëri e shoqëron njeriun kudo dhe kurdo për të ndjerë ekzistencën e Zotit. Pra njeriu lind me nevojën që ka dhe që shpreh herë pas here për Zotin. Më pas është edukimi familjar, shoqëria, vendi ku jeton apo rrethana të ndryshme që e forcojnë ose e dobësojnë këtë ndjesi të brendshme. Njeriu në çdo moment ndjen nevojën për Zotin dhe përkujdesjen e tij. Këtë ndjesi nuk mund ta fshehë as arroganti, kryeneçi e mendjemadhi, i cili sado të shfaqë mohimin e kësaj ndjesie, i ndodhur përpara sprovave të mëdha, do të ndjejë se ka një qënie të plotëfuqishme që mund ta ndihmojë. Kur njeriun e godet një fatkeqësi, atëherë ai lutet në këmbë, ulur apo shtrirë, por sapo i largohet e keqja, ai vazhdon rrugën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E si kemi guxim të ankohemi për padrejtësitë, kur jemi ne ata që i bëjmë padrejtësi vetes sonë.
Sikur njeriu të ndërtonte anën shpirtërore ashtu siç ndërton jetën e kësaj bote, gjërat do të ishin ndryshe. Do të kompletohej e do të arsyetonte më mirë, do të bëhej më i dashur me krijesat, e do t’i largohej arrogancës e mendjemadhësisë, e mbi të gjitha do të ishte më afër Atij që e krijoi.