Elegji për kukullat e Detit Egje

Nga Luan Rama

Për kukullat kurrë nuk është shkruar elegji,
elegji zie për ëndrrat e tyre
por në brigjet e Egjeut sot,
është pak të kendosh një elegji për to,
për sytë e tyre të mekur në gjëmën e madhe
dergjur dhe flakur nga rrebeshet, rrufetë e stuhitë.
Për gojët e heshtura të fëmijëve të mbetur në det
ikur nga lufta dhe tmerri i botës,
veç këpucët e vogla kanë mbetur
dhe shamitë e nënave humbur s’dihet ku,
dhe këto kukulla pa emër, pa këmbë e duar,
pa këmishat e tyre stolisur
dhe sy që s’mund të rrefejnë më asgjë
nga rrugëtimi i tyre ferrik,
kukulla hedhur gjer këtu ne brigjet e Egjeut…
Për kukullat kurrë nuk janë shkruar elegji thotë dallga e shkumbëzuar,
kurrë jo, thote era që rreh e tërbuar shkëmbenjtë,
era me një klithmë në fyt si në një vaj homerik.
Kjo është elegjia për këpucët që nesër s’do të ecin më,
elegjia për fëmijët që s’do të ënderrojnë më,
për sytë e tyre të shuar në botën e çudirave të plumbta
në Detin e Vdekur të Humanizmit…

Agia Ana, 9 korrik 2016, duke zbuluar në brigjet e shkreta larg Agia Ana, këto dëshmi të një kohe ku barbaria jeton ende dhe që munda t’i fotografoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *