E vërteta biologjike në poemën e Rita Petros

“Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë”
Jacques Prevert

Nga Kujtim Drishti
Është një fat që poema është shkruar nga një grua dhe jo nga një burrë. Rastësia është mbret i domosdoshmërisë, thotë një filozof. E pse jo ? Celula e parë e jetës në planetin tonë ka qenë një celulë femnore (vetëm në këtë kuptim e merr trajtimin në libër Legjenda e motrës dhe e vëllait). Ky është ndoshta elementi i parë i domosdoshmërisë , e cila në një ditë të bukur, shpërthen në Shqipëri tek rastësia Rita Petro. Ajo e merr fjalën si poete, jo si shkencëtare , jo si politikane , e na bën të ndërgjegjshëm me mjetet e saj artistike për kufijtë që i kemi vënë shikimit tonë të botës së brendshme e të jashtme, njëkohësisht. Emancipimi i gruas është në radhë të parë çështje e vetë gruas, para se të jetë e burrit dhe e shoqërisë. Dhe Rita Petro ka guxuar të sfidojë puritanizmin moral dhe fetar të shoqërisë e deri në mbeturinat e tij, të kohëve moderne. Kjo poemë që i dedikohet dashurisë seksuale midis gruas dhe burrit i jep bukurinë dhe kuptimin e saj njerëzor me tonalitetet e ëmbla e qiellore të Bahut, të gëzuara dhe ritmike të Moxartit e me tonalitetet e të vërtetës goditëse të Bethovenit.
Delikatesa e objektit të librit, për mendimin tim, bën që ai duhet të shoqërohet me thënien : “Për një publik të aftë për ta lexuar pa e thyer.”
Poemë erotike
Kjo poemë është një poemë e dashurisë për trupin njerëzor, atë të gruas dhe të burrit, të cilët janë në një “luftë “, siç thotë autorja, ku nuk ka të humbur. Është një poemë erotike, jo pornografike, pavarësisht nga detajet e skutave të papërshkruara në letërsinë klasike. Kurrë ajo nuk është pornografike. Për sa kohë që këtë poemë e mban lirizmi, ajo nuk është pornografi. Në pornografi nuk ka lirizëm.
Lirizmi i poemës është i freskët, por me influencë arkaike në mënyrën deklarative të tij. Është lirizëm në përshkrimin e dy njerëzve të parë, që të dalë nga e njëjta origjinë mund t’i konsiderosh si vëlla e motër, pothuajse të abstraguar nga shoqëria; është një lirizëm epik dhe legjendar që huazon nocionet e biblës dhe në të njëjtën kohë i refuzon ato për ta çuar deri në fund lirinë në marrëdhënien e tij me natyrën. Imazhet poetike të fuqishme , befasuese, si në momentet intime ashtu dhe në hapësirat kozmike; frymëdhënëse, po aq sa marramendëse të bëjnë të ndjesh mrekullinë , të ngritur deri tek e mrekullueshmja.

Vështrim kohësor dhe hapësinor
Vështrimi kohësor dhe hapësinor i poetes është i pakufi. Shpesh ti ndjen që ajo flet për ditët e sotshme; herë të tjera të hedh shumë larg në të kaluarën dhe, të tjera herë ti ndjen pakohësinë e fenomenit : kështu ka qenë, kështu është, e kështu do të jetë, pa hezituar paralelizmin me fenomenet kozmike, duke e tretur njeriun dhe dashurinë e tij shpirtërore dhe fizike në ngjarjet shpërthyese të tij .

Mendimi filozofik
Dinamizmi i zhvillimit të poemës përcaktohet nga dinamizmi i dialektikës së natyrës, i të kundërtave në unitetin e tyre , lindja, rritja e pastaj mohimi i mohimit; krahasimet, antitezat, metaforat janë po aq të magnetizuara në këtë unitet të kundërtash. E gjithë poema bulon nga këto të kundërta që mbarten materialisht nga mashkulli dhe femra e shkrihen moralisht te njëra-tjetra deri në orgazëm, deri në një luftë métaforike e deri tek fëmija ose mohimi i mohimit.
Por gjithnjë këto të kundërta janë vënë në shtratin e dashurisë njerëzore.
Në çdo rresht të poemës do të gjesh dy të kundërta dhe luftën e tyre të dhënë me estetizmin e të gjitha figurave letrare te nevojshme e deri në kundërshtinë e së rëndomtës me sublimen. «Shpejt më sill një napë të pastër/ shih si u pikturua aty dielli i kuq… ». Kënaqësia e leximit mbahet nga ky lloj estetizmi i të kundërtave shpesh herë befasuese.
Por në sfond mendimi filozofik i Rita Petros tingëllon materialist dhe luftarak. Ajo sulmon harresën e historisë.
Ajo i kujton njerëzve se ashtu sikurse mendimi harron trurin nga ka dalë, po ashtu shoqëria njerëzore harron se është një shoqëri biologjike, që si dashuria edhe urrejtja kanë substancat , qelizat dhe organet e tyre në trupin e njeriut. Pra, ajo i kujton njerëzve evidencën më të «harruar ». Akoma sot fjala « seks » është ngarkuar me aq shumë peshë të moralit sa gati gati paraqitet si një produkt i tij.
Kur mendimi harron se del nga truri a nuk është kjo një ironi ? Një ironi vjen gjithnjë në një kontradiktë. Dhe, ose artistja ka kapur kontradiktën ose kontradikta ka kapur artisten për të çliruar veten me artin e saj e për t’i dhënë me atë rast fjalë gjërave që ndjehen, jetohen, por nuk thuhen e për pasojë nuk ngrihen kurrë në art. Rita shmang çdo forcë tjetër morale fetare sikur të donte t’i thoshte njerëzve
« Pse e fshihni të vërtetën tuaj biologjike ? »
Por, sigurisht ky është vetëm sfondi filozofik i veprës. Vepra ngrihet mbi këtë të vërtetë dhe këndohet me lirizëm nga një mbretëreshë e dashurisë, e cila të vërtetën e kthen në një të vërtetë artistike.

One comment

  • Një e vërtetë biologjike për analistin e Vrimes.
    Qe te mos i fshehim te vertetat. Sot kam bërë një derr muti. Bio.
    Futi nje analize !

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *