E nesërmja e një gruaje

Nga Alda Bardhyli

“S’ishin parë më që atë natë kur ai e kishte puthur e ajo kishte bërë sikur s’donte të puthej. Që atë natë ajo vetëm për të kishte menduar. Ishte matur disa herë të vente e ta takonte në punë, ti thoshte gjithçka çfarë ndjente e që e linte pa gjumë. Ai le të bënte ç’të donte, veç ajo të merrte frymë lirisht…”. Këto mendime orvateshin në kokën e bukur të Mirjanës, prostitutës që Dhimitër Xhuvani i dha një tjetër jetë tek romani “E nesërmja e një gruaje”. I botuar në fillim të viteve 1990, ky roman do të sillte një karakter të munguar në një letërsi, e cila që me fillesën e saj ishte përpjekur të fshihte femrën. Tashmë me guximin e një shkrimtari, nervi i së cilit do të ndjehej që me debutimin e tij të parë më 1958-tën, “Kambanat e fundit”, Xhuvani kërkon të futet brenda karakterit të një gruaje jo të zakonshme, dhe të na tregojë brendësinë e saj. Ashtu siç kishte bërë me Din Hykën, duke e ngritur përsëri në këmbë, ai kërkon ti jap dridhërima të tjera zemre, një gruaje të përbuzur. Në vitin 1995 ky roman do të ekranizohej në filmin “Dashuria e fundit” nën regjinë e të birit Gjergj Xhuvani, pikërisht në kohët kur dukej që dashuria kishte humbur fillin. Mirjanën e gjeta këto ditë, në librin e vjetër, në kopertinën e së cilit shihet vështrimi i saj, ku mungojnë disa fletë, diku në bibliotekën time, duke më risjellë në kujtesë një personazh të dashur të letrave shqipe me të cilin dikur ndaja dhe orë bisedash mbi letërsinë. Ashtu i qetë, me portretin ku sytë dalloheshin përmes skeletit të syzeve, Dhimitër Xhuvani fliste sesi letërsia mund ta bënte më të bukur jetën. Historia me Din Hykën, personazhin real që e kishte frymëzuar për një nga veprat më të njohura të viteve 1970-të, vinte shpesh në bisedat e tij, si një mënyrë për të treguar se letërsia ishte aty ku është jeta. Kaq vite më pas nuk mund të riprodhosh biseda që të kanë mbajtur nën atë kureshtjen e përjetshme të artit, por arrin të kuptosh profilin e një shkrimtari të vërtetë që ka qenë me ty…
Në libraritë e Tiranës, shumë pak gjenden librat e Dhimitër Xhuvanit. Pavarësisht kontekstit kur librat e tij u shkruan, në to mund të gjesh një prozë të çliruar që mund të lexohet dhe sot. Rasti i Xhuvanit, vjen si një thirrje ndaj kujtesës se cili do të jetë fati i librave të shkruara gjatë soc-realizmit. A do të vazhdojnë ata të mbeten fshehur bibliotekave të vjetra tonat, apo ti gjejmë në tezgat e librave që shiten rrugës? Pavarësisht ideologjizmave që mund të ndjehet lehtë në libra të caktuar, risjellja e librave dhe autorëve të tillë në vëmendje të lexuesit , do ishte ndoshta më mirë se promovimi i një autori best-seller nga letërsitë e vendeve të tjera. Ndoshta se historia e Mirjanës, që ecën e vetmuar në plazhin e Durrësit, në pritje të një burri, mund të joshë më shumë se “Bij prostitute” e Kristine Gren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *