1001 ËBM(B)
Fjeta vigjilente…
Gjysëm e vetëdijshme, gjysëm ëndërrimtare, sikur të ishte një natë shërbimi e mund të më thërritnin, nga çasti në çast, për një urgjencë mjekësore. (Urgjencave shpirtërore nuk u përgjigjem më ; kam arritur caqet e kompetencave profesionale.)
E dielë, 14 shkurt.
Motiv i dyfishtë për t’u vonuar në shtrat, në pritje që dita të piketojë, përtace, rrugëtimin festiv. (Ç’banalitet!) Duhet domosdoshmërisht të pëlqej buqetën e përmotshme të trëndafilëve të kuq, të lexoj kartolinën në formë zemre me deklaratat shabllone, të pranoj varësen me diamant të zi, fortësia e të cilit ka rivale vetëm kryeneçësinë time?! Ideja e një kompromisi të ri, (të kushedisatin!), në emër të moralit konvencional, më është e papranueshme. Përballja e përditshme me statusin civil, m’i ka bërë ditët luftarake. Pothuajse heroike!
Sot jam zgjuar përbindshmërisht shtojzovalle. Kam fuqinë e një buldozeri që merr me vete gjithçka! (Edhe patericat e Hënës…) Thërrmoj malet për t’u dhuruar rërë plazheve; rrafshoj digat për t’u çuar ujë oqeanëve; gërmoj tunele nën nivelin e detit, që ishujt të mund të takohen pa u lagur; asfaltoj autostrada kozmike për në planetin Zemër, vajtje-ardhje.
Po prisja vetëm ditën simbolike për t’u shkundur nga përhumbja. Qelizave të mia u mungon ADN-ja jote, që s’bëra në kohë ta kopjoja.
E mënjanuar në humnerën prapa botës, në pritje të trenit që nuk kalonte, të ngjarjes që nuk ndodhte, të lajmit që nuk vinte, me syrin puthitur tek thjerra e teleskopit, qëmtoja konstelacionin ku qemë njohur. Paksa e zhgënjyer, pothuajse e cfilitur, shpirt e mendje e shkafanjitur, po kuptoja që këmbënguljes sime për të të rigjetur po i afrohej afati i skadimit.
Ishim krejtësisht të pasinkronizuar, megjithatë, aq fort të dashuruar! Dy yje binjakë, që u përflakën sapo iu gërshetuan orbitat ; që xixëlluan në një afsh inkandeshent, për t‘u bërë prush papritur… Ti arrite ta kuptosh prej çfarë tharmi jam ngjizur unë? E përfytyron dot ç’do të kishte qënë, po të më kishe kuptuar vërtet?
Ah, sikur vërtet, të kishe kuptuar si funksionoja, si ëndërroja, si lëngëzoja…
Sot kam nevojë për lëvizje, për rrëmujë, për gjëmime! Synoj bubullimën e stuhisë në det të hapur, fuqinë e rrebeshit që nxjerr lumenjtë nga shtrati, vetëtimat e qarkut elektrik që shkrumbojnë horizontin, tërmetin 400-ballësh që e bën globin të kërcejë pupthi, si një top ping-pongu.
Mos po pretendoj tepër?!
Një mijë e një netë që s’ta kam ndjerë epshin të më përcëllojë lëkurën ; as të më gudulisësh kërthizën me gjuhën, me buzët, me mjekrrën e parruar.
Mendimi për ty, nis e fundëson gjithçka. Tejçon mesnatën, në pritje të trokitjes tek xhami. (Nuk të kam përfytyruar kurrë të më shfaqesh në derë, prandaj nuk i mbyll më dritaret, dimër-verë.) Pulëbardhat e mëngjesit, që pendët ngjyrë argjendi shpalosnin lumturisht sapo të dëgjonin zërin, janë tulatur të çorientuara mbi guralecët e bregut. U mungon sinjali yt. Ti, ku po rrekesh?!
Një mijë e një netë që erëmon larg meje. Pas cilës aromë paskam rendur, që më tejbarti larg teje?! Fëmijët më thërrasin «maman animale», sepse kur i puth kam nevojë edhe t’i nuhas. Kam nevojë t’u thith erën përpara se të shkoj në punë. Kam nevojë të nuhas ajrin kur kthehem nga roja e natës, për të ditur a janë në shtëpi, apo kanë ikur në shkollë? Kam nevojë të kem me vete busullën e parfumit të tyre në udhëtimet intergalaktike, nga ankthi se nuk do të mund të gjej dot rrugën e kthimit për në Tokë.
Edhe rrugën e kthimit tek ty…
Hovet e mallit, të vetëçliruar nga prangat e arësyes, kanë marrë të tatëpjetën drejt lëndinës sonë sekrete, të mbarsur me polen mëkati. Kur bëmë dashuri për herë të fundit? Përpara, apo pas Erës sonë?
E si t’u luta të më dashuroje? – ËMBËLSISHT, BUTËSISHT, MADHËRISHT.
ËBM, për të të uruar «mirëmëngjes» e «natën e mirë» ; ËBM, për të të mërmëritur «të dashuroj» ; ËBM, për të të thënë «po të le tani, por nuk të braktis» ; ËBM, për të ditur «shpirti, ku je?» ; ËBM, përpara se të të përgjigjem «jam brënda teje» ; ËBM, pasi më ke pyetur «kur do të rishihemi?».
ËBM, dhe kemi thënë gjithçka ; ËBM, dhe jemi kuptuar.
Hyr, pëllumb i shkruar! Përparo pa drojtje, tuneli është i njomështuar. Vazhdo më tej, më thellë, më larg… Gjer në magmën e vullkanit tim, që zjen valë.
Jam e jotja! Pa kushte, pa mbrojtje, pa dyshime, pa ndërlikime, pa prapamendime. Jam thjeshtësisht e plotësisht e jotja. Hyr, pra, përse vonon?! Përvëlohu edhe ti…
Mbi gjinjtë e mi, vulëzat e pasionit tënd që prej 1001 netësh. (Si ishuj mavi-blu-të gjelbër, në bardhësinë qumështore të oqeanit.) Nuk duan t’ia dinë për ciklin metabolik të hemoglobinës, as për efektivin e armatës së trombociteve të mi, apo për nivelin e protrombinës. I kanë shpallur sfidë ylberit!
A e di që jam dashuruar pas mënyrës se si bëjmë dashuri? Vetëm ËBM, që të zbutet makthi, të urtësohen nervat, të çarmatoset xhelozia, të pajtohen gjakrat. ËBM, dhe jemi më të natyrshëm, më të ndërgjegjshëm, çdo herë e më të etur, më të çliruar, më pjesëmarrës, më të bashkuar. Jemi sinkronizuar. (Më në fund!)
ËMBËLSISHT, BUTËSISHT, MADHËRISHT, …BASHKË ! (ËBMB?!)
Ashtu qoftë!
ËBMB, për të të thënë «jam gati, i ëmbli im». M’i jep buzët, bëhu i bukur, i fortë, i përbindshëm. Më depërto, më eksploro, më lumturo…
– BASHKË?
– Po, sinkron.
A.M.© Saint Valentin, 2016.