Rregullat kanë ndryshuar dhe kjo do të bëhet e qartë prej datës 13 prill në kinema Millennium! Bëhet fjalë për “The Fate of the Furious” ose siç e cilëson aktori Vin Diesel, “filmi nga Paul Walker”.
Kapitulli më i ri i sagës “Fast and Furious” vjen premierë shqiptare në Millennium vetëm një ditë para se të shfaqet në kinematë amerikane dhe sjell një histori që e rikthen sagën sërish në garat e makinave në rrugë dhe aventurat me adrenalinën e shpejtësisë.
Tani që Dom (Vin Diesel) dhe Letty (Michelle Rodriguez) janë në muajin e mjaltit, Brian dhe Mia janë tërhequr nga loja dhe pjesa tjetër e grupit është shpërndarë duket sikur të gjithë bëjnë një jetë normale. Por kjo deri në momentin që një grua misterioze josh Domin duke e kthyer pas asnjë rrugëdalje në botën e krimit. Pikërisht atëherë ekipi do të kalojë provën më të vështirë të besimit. Mjafton kaq nga historia si dhe prania e një kasti aktorësh që tashmë nuk mund të kuptohen jashtë kësaj sage, për t’u dhënë fansave atë që kanë pritur, një film me aksion, aventurë dhe trill për të mos u humbur.
Drejtuar nga F. Gary Gray bazuar në skenarin e shkruar nga Chris Morgan ky është filmi i tetë i njohur ndryshe edhe si F8. Në rolet kryesore janë: Vin Diesel, Dwayne Johnson, Jason Statham, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris Bridges, Nathalie Emmanuel, Kurt Russell, Scott Eastwood, Charlize Theron dhe Helen Mirren.
“The Fate of the Furious” shënon të parin film që nga “The Fast and the Furious: Tokyo Drift” (2006) ku nuk interpreton aktori i ndjerë Paul Walker, i cili humbi jetën gjatë një aksidenti në 30 nëntor 2013, gjatë xhirimeve të “Furious 7” (2015).
Xhirimet e filmit janë bërë në Atlanta, Cleveland, dhe New York si dhe për të parën herë në Havana të Kubës.
U sugjerua që filmi të ishte një plotësim i dëshirës së Paul Walker që filmi të kthehej në garat e rrugës në vend që të mbështetej në efektet special apo në sekuenca të mëdha aksioni. Vin Diesel gjatë një intervistë në eventin e MTV Movie Awards, është shprehur se “Furious 7” ishte për Paul dhe ‘Furious 8’ do të jetë nga Paul”. Kjo për faktin se para se të vdiste tragjikisht Paul Walker, ai i kishte thënë Vinit se ishte tashmë e sigurtë që do të kishte një “Furious 8”.
Kritika e ka vlerësuar mjaft pozitivisht filmin duke i dhënë atributet e një sage që nuk njeh lodhje ndonëse në kapitullin e tetë. Pritet që nga shitja e biletave në kinematë amerikane filmi të arkëtojë rreth 120 milionë dollarë vetëm në fundjavën e parë të projeksioneve.
****
Ardhja e një bebi në familje treguar nga këndvështrimi imagjinar i një fëmije 7 vjeç të quajtur Tim. Bebi më i pazakontë (Alec Baldwin) mbërrin në shtëpinë e Tim me një taksi ndërsa është veshur me kostum dhe mban një valixhe. Rilvaliteti vëllazëror mbetet mënjanë kur Tim zbulon se Boss Baby është një spiun në një mision sekret që synon të ndezë betejën më epike mes kukullave dhe bebeve.
Kjo është historia plot humor dhe fantazi e premierës “The Boss Baby” që fillon të shfaqet në kinema Millennium prej datës 13 prill. Filmi komik është bazuar në librin dhe ilustrimet me të njëjtin titull të vitit 2010 me autore Marla Frazee.
Filmi është prodhuar nga Tom McGrath me skenarin e Michael McCullers. Rolet vijnë me zërat e aktorëve Alec Baldwin, Miles Christopher Bakshi, Steve Buscemi, Jimmy Kimmel, Lisa Kudroë dhe Tobey Maguire. Muzika e filmit mban firmën e Hans Zimmer , njërit prej kompozitorëve më të mirë të Hollivudit.
“The Boss Baby” ka filluar të shfaqet pak ditë më parë në kinematë amerikane ndërsa nga projeksionet e deritanishme në mbarë botën ka arritur të arkëtojë 199 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej 125 milionë dollarësh.
Në arkëtimet e fundjavës që sapo u mbyll, “the boss Baby” është sërish në vend të parë, me një diferencë të ngushtë me “Beauty and the Beast”. Më tej në renditje janë “Smurfs/the lost village” dhe “Going in the style”.
Dhe nisur nga arkëtimet duket se së shpejti do të kemi edhe një vijim të këtij filmi të titulluar ndoshta “The bossier baby”