I njohim si dy gazetare të lidhura fort me librat, për angazhimet e ndryshme në ngritjen e kafeneve letrare në Tiranë, por pak kush e ka menduar se përtej këtij pasioni të përbashkët për librat, fshihej një miqësi e gjatë. Beti Njuma e njohur për rubrikën e saj “Vitrina e Librit” në Top Channel dhe Alda Bardhyli një emër I njohur në fushën e botimeve shqip, kanë rrëfyer në Pasdite në Top Channel historinë e një miqësie që ka nisur që kur ishin në Fakultet ku studionin për Gjuhë Letërsi, për të mbërritur tek iniciativa “Letërsia dhe Qyteti”, e cila u kthye në një kauzë përsa I përket raportit të letërsisë së sotme me të shkuarën.
“Ne nuk kemi qenë shoqë të ngushta në Fakultet për shkak të angazhimeve që të dyja nisëm herët. Të dyja punonim si gazetare krahas studimeve, por miqësia jonë do të niste më vonë pas mbarimit të Fakultetit. Alda ka qënë në grupin e letërsisë unë të gjuhës”, thotë Beti, e cila e sjell në kujtesë Aldën në ato vite pikërisht për faktin që u bë nënë në një moshë shumë të re.
“Në fakt vitet e njohjes sonë I lidh gjithnjë me moshën e vajzës sime që sot është 16”, thotë Alda. Vetëm miqësitë e vërteta arrijnë ti mbijetojnë viteve, dhe dy shoqet janë vendosur shpesh në situata ku miqësia me njëra tjetrën I ka bërë më të forta. “Eshtë një miqësi që është sprovuar nga jeta, ku kemi arritur të shohim se sa e rëndësishme ishte raporti jonë, jo vetëm në kohë të mira por dhe në kohë të vështira”, thotë Beti. Dhe Letërsia dhe Qyteti ka lindur si ide pikërisht në një kohë jo të mirë për njërën prej tyre. “Verën që shkoi kam jetuar më gjatë në Durrës për shkak të disa angazhimeve personale, dhe kafet tona u zhvendosën nga Tirana në Durrës.
Pikërisht gjatë një bisede mbi rolin që patën kafenetë letrare në Europën e shekullit të 19-të, sidomos në Paris, menduam pse jo të organizonim disa takimeve të ngjashme që mund ta shëndrronin Tiranën në një qytet që jeton me librin. E ku ka më bukur se një qytet që flet me librin”, thotë Alda, duke treguar se kjo iniciativë e kishte kaluar parashikimin e tyre për rëndësinë që pati.
Dy shoqet kanë ndarë dhe pasionet, ku Beti ka treguar pasionin e saj për natyrën dhe eksplorimin e majave të larta. Ajo sapo ishte kthyer nga ngjitja në malin e Olimpit në Greqi.
Për Aldën ky është një pasion ku nuk mund ta ndjekë. “Them shpesh që do ti bashkohem një fundjavë dhe asnjëherë nuk ia dal”, thotë ajo, duke treguar se dhe pse I pëlqejnë udhëtimet rrallë merr një të tillë.
Dy shoqet marrin shpesh edhe udhëtime bashkë, dhe pse Beti është një shofere e paparashikueshme. “Beti si shofere është e jashtëzakonshme, aq sa shpesh ku nisemi për rrugë e harroj kthimin”, thotë me të qeshur Alda.
Dy vajzat kanë treguar sesi dashurinë e tyre për librin e kanë ndarë dhe me fëmijët. E ku si të ndodhte ndryshe. Dy binjakët e Betit, Heldi dhe Frenkli mezi e presin leximin e radhës së sugjeruar nga e ëma. Dashuria për librin tek ta ka ardhur natyrshëm e ky është një gëzim për Betin. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Sindin, e cila nuk ka mundur të ecin ndryshe fatit të së ëmës.
“Endrra e saj është të bëhet shkrimtare, dhe kjo është ëndrra më e bukur që mund të prisja prej saj”, thotë Alda.
Dy gazetaret kanë treguar se “Letërsia dhe qyteti” do të rikthehet sërish në shtator, por këtë herë me mbrëmje letrare ku në fokus do të jetë letërsia e shkruar nga femrat. “Kemi zgjedhur jo pa qëllim që tia kushtojmë shkrimtareve femra këtë cikël, pasi asnjë letërsi nuk ka qënë kaq mashkullore sa letërsia shqipe”, thotë Bardhyli.