Nga Fulvia Shtepani
«Nëse do të më jepej mundësia të përzgjidhja midis krijesave më të bukura dhe «Gruas së pikturuar nga Tiziano», të cilën unë e ripashë sërrish tetë ditë më vonë në sallën e bashkisë së Firences, unë do të zgjidhja gruan e Tizianos… Firence më tërheq ende, pothuaj sensualisht përmes imazhit të asaj gruaje të shtrirë, ëndërr prrallore me hiret e trupit njerëzor…» (Guy de Maupassant, Jetë boheme)
Libri «Përballë tablosë» është më shumë sesa një libër, është një ndërmarrje kulturore e shumanshme që na zbulon edhe një herë potencialin poliedrik të autorit, etjen e tij për kulturën, dashurinë për artin, kërkesën këmbëngulëse për të bukurën, ndjeshmërinë migjeniane të perceptimit, duke na ndihmuar kështu të formulojmë pyetjen thelbësore të përmbajtjes së tij: Çfarë marrëdhënie ka autori me «shpirtin e botës», artin, çfarë merr, nga ky art, dhe sidomos çfarë i dhuron lexuesit nëpërmjet tij? Thelbi i përgjigjes në aspektin brendatekstor qëndron tek vetë autori, ndërsa në aspektin e leximit, respektivisht të komunikimit, narratori «heterodiegjetik»[1] me një «kostum elegant», krejtësisht artistik, ndërmerr kapërcime narrative, ku disa pyetje marrin përgjigje alternative, ndërsa mjaft të tjera mbeten të hapura, duke e ftuar lexuesin-shikues, të vizitojë me këtë lloj «universi» letrar krejt më vete. Në brendësi të këtij «planeti», sa virtual po aq edhe jetësor, të ndriçuar nga «piktura dhe fjala», autori, ka «qëmtuar» pothuajse tërë universin artistik e filozofik, të gjashtëdhjetë piktorëve të famshëm, ku gjendet, historia, mitet, dashuria, urrejtja, intrigat, zakonet, shpirti, lindja, vdekja, ringjallja, vrasja, shteti, feja, qiellorja, dhe ëndrrat e tyre, ashtu siç ka vepruar dhe specialisti i retorikës së imazhit dhe eseist Robert Bared, me veprat piktoriale nga «Renesance» deri në shekullin e XX.
Nëpërmjet faqeve të këtij «libri-antologji», autori arrin të rinovohet në përshkrim, mbas çdo vepre të zgjedhur, ashtu si Picasso që «humbte» çdo natë shpirtin e tij të vjetër, për të «rigjetur» të riun, të nesërmen në zgjim, duke u prezantuar si një njohës i rafinuar i marrëdhënieve të pikturës me literaturën dhe historinë, duke i ofruar lexuesit nëpërmjet këtij publikimi sintetik plot linja jetësore, një përshkrim dinamik e kulturor. Teksti vjen dhe plotëson natyrshëm pikturën, mendimin, reflektimin, dhe imagjinacionin e lexuesit-shikues. Veprat e artit pamor, sidomos të pikturës, janë unikale. Piktura nuk shpjegohet tërësisht me fjalë, pasi secili e përfytyron sipas ndjesive të tij dhe ne largohemi nga origjinali. Ashtu siç kanë vepruar me tablotë e tyre piktorët e zgjedhur në këtë antologji, edhe autori ka ndërtuar në këtë libër, një matricë strukturale, mbi të cilën ka vendosur pikturat dhe tekstin, duke krijuar një raport «univok» ndërmjet tyre, duke e pastruar nga çdo ndërhyrje që dëmton kryesoren. Këtë mënyrë të veçantë prezantimi e gjejmë të përdorur edhe nga bashkohës të tjerë, filozofë, sociologë, estetë, shkencëtarë, fizikantë apo arkitektë, etj, të cilët revolucionarizuan kohën.
Duke lexuar këtë përmbledhje të krijimtarisë dhe historisë së pikturës prej vitesh e shekujsh të Luan Ramës, është e pamundur të mos bësh një paralel me fondatorin e kritikës idealiste moderne Leone Battista Alberti, sipas të cilit artisti duhet të jetë një qenie intelektuale dhe e kultivuar, dhe nga ana tjetër vepra e tij duhet të bazohet në principet “matematike” të harmonisë. Autori i kësaj antologjie, meriton plotësisht vlerësimin maksimal sipas kritereve të këtij këndvështrimi, për të dy aspektet, si në përmbajtje dhe në formë. Integrimi i perfeksionuar, sipas një aksi të padukshëm, dhe nëpërmjet pikturave të zgjedhura i «teorisë së ideve» të Platonit, mbi tre shkallët e realitetit, (e para bota e ideve, e dyta bota e ndjesisë, sensibilitetit apo, refleksi i botës së ideve, dhe e treta shkalla e realitetit të përcaktuar nga «mimèsis», (riprodhimi i realitetit sipas artistit), i jep veprës një frymë filozofike. Ky këndvështrim i atribohet në një farë shkalle, etjes për të vërtetën «absolute» që e transformon qenien njerëzore shpesh-herë, në mënyrë të pavetëdijshme, në «filozof», duke u përsëritur shpesh-herë gjatë historisë së pikturës perëndimore, dhe duke u integruar në mënyrë të rafinuar në ndërgjegjen kolektive, për t’i dhënë asaj dhe një status universal. Forma narrative e zgjedhur, e shoqëruar me një forcë intuitive evokuese, i ofrojnë lexuesit një mënyrë origjinale të interpretimit të realitetit duke e bërë atë vëzhgues e kritik të tablove të prezantuara, dhe të autorëve të tyre, njëkohësisht. Autori i bën thirrje imagjinatës por jo gjykimit, që sipas Kantit, skematizon pa koncept, siç na thotë dhe Gilles Deleuze në ”Filozofia kritike e Kantit“. Sipas kësaj optike, ndërthurrja e pikturave me tekstin, nxjerr në plan të parë rolin e vërtetë të imagjinatës në gjykimin estetik. Në pikturat e përzgjedhura, jo rastësisht, sepse këta artistë të mëdhenj të ndihmojnë për të shkurtuar rrugën drejt vetes, «ngrenë kokën» teoritë e Paul Klee-së për teknikat e pikturës, për vijën, pikën, statusin kompozicional si rregullin e leximit që bën syri, apo dhe «traktatin» e Georges Seurat për koloritin.
Tablotë e prezantuara në libër, janë shembuj të krijimit të shkëlqyer piktural, si nga, format, nga koloriti, nga plastika, nga kompozicioni dhe harmonia. «Të pikturosh është si të mësosh botën, është një instrument i vërtetë i njohjes» n’a thotë Roger Toumson, për pikturën e Jean-Claude Echard në «Rrethi i skllevërve». Parë në këtë aspekt, prezantimi i piktorëve, është shoqëruar herë me shpjegime analitike, që përkojnë njëkohësisht me një pasqyrim të ndërthurrjes historike dhe kulturore, herë me aftësinë e refleksionit të një kritiku pikture të vërtetë, që na shpalos nëpërmjet librit shpirtin krijues dhe «singularitetet», veçantitë e këtyre piktorëve të talentuar, siç shkruante dhe Diderot në «Salon 1765» se «Shpirti i piktorit shpërndahet lirisht mbi telajo». Ky «libër-antologji» përveç vlerave të tjera, ka edhe një vlerë të madhe didaktike. Marrëdhënia e librit me pikturën në vepër, është ajo që evokon André Malraux, ajo që krijohet në një sallë muzeu, duke e çliruar veprën nga funksioni i saj militant, por në të njëjtën kohë, duke ruajtur mbi të një përparësi ende më të rëndësishme, atë të «ftesës» apo të «thirrjes» për një ngjizje në formë refleksioni për pikturën, si një hapje universale ndaj misterit më të famshëm të botës, në atë të ekzistencës së qenies njerëzore. Në libër spikat një plasticitet i papërshkruar që e shndërron shfletimin në një «lexim-përjetim i gëzueshëm», në një «lecture-juissance», me tepër sesa një vlerë përshkruese, duke n’a kujtuar kështu dimensionet etike të shkrimeve të Henri Michaux, me formën e tyre unike dhe të admirueshme. Pa dyshim ndjehet këtu, influenca e tradicionit të flaktë humanist, që e bën veprën autentike, sepse nga njëra anë prezantohet me një formë të përcaktuar, e nga ana tjetër, është në kërkim të një forme deri në faqet e fundit, duke i lënë «lexuesit-shikues» mundësinë që të interferoj me mendimet e piktorëve të prezantuar, atë të autorit, dhe mendimet e tij personale.
Nëpërmjet pikturave të zgjedhura, autori na shpalos një reportazh filozofik, të kompozuar me talentin e një «investiguesi gati klinik», që nuk krijon thjeshtë një retorikë, as një dialektikë në vetvete, por gërshetimin e të dyjave, për të cilën do të shprehesha në formë simbolike me frazën që Jacques Bersani ka përdorur për Jean Paulhan, pra me tepër se një përshkrim metodash, është një metodë e mirëfilltë përshkrimi. Tekstet që shoqërojnë pikturat ngjajnë me narracionet kërkuese të Proust-it, në të cilat autori nga një anë zbërthen veprat e autorëve që ka zgjedhur, nga ana tjetër gjen fillin e përbashkët, të padukshëm, që udhëheq klasifikimin rendor të pikturave me tekstet shoqëruese, ndërtimin në tërësi të veprës dhe unitetin e saj. Në këtë aspekt autori krijon një farë substitucioni të identitetit artistik dhe efektit stereotipik të piktorëve të prezantuar, duke përdorur një «tektonikë» historike të përshkrimit dhe diskutimit nga pozitat e autorit, pa rregulla të posaçme, duke integruar kështu, relacionin e tij jo konformist e pasionant, me njohuritë dhe vizionin kaustik të pikturës, historisë dhe letërsisë. Dihet që vlera e artit pamor në përgjithësi, dhe e pikturës në veçanti, nuk qëndron thjesht në atë që “shihet” apo “thuhet” për të, por në tensionin që krijohet ndermjet këtyre dy këndvështrimeve, dhe ndjeshmërisë së vëzhguesit, mundësisë së tij për të zbërthyer mesazhin që përcjell krijuesi dhe gjendjes shpirtërore në të cilën është krijuar vepra. Vizionet pikturale të zgjedhura nga autori, janë “predha” të vërteta që godasin në sensibilitetin vizual të vëzhguesit, dhe duke e “plagosur” atë në vendin e duhur, e kushtëzojnë të kërkojë “shërim” në të kuptuarit e tablove, duke i bërë thirrje, përveç sensibilitetit, edhe kulturës e njohurive të tij më të thella, e duke arritur, në disa raste të transformojnë dhe këndvështrimin e tij personal, duke u influencuar në mënyrë të pavetëdijshme nga këto tablo, deri në “depersonalizim” të provokuar nga vepra. Pikturat e paraqitura shndërrohen kështu në «subjekte» të ingranazhit të lëvizjes së fjalëve, lëvizje në të cilën përfshihet forma e të menduarit dhe të shprehurit e autorit që nuk i reziston dot «mospërmbajtjes» për tu shprehur. Do ta karakterizoja më mirë këtë «sëmundje», apo zell të tij për artin, me një frazë të Louis Aragon, që thoshte se «Do të doja të studioja shkencat e sakta po me atë zell, që guxoj të depërtoj në sekretet e lirizmit e të letërsisë».
Imagjinata e shkrimtarit të dashuruar me bukurinë e çdo forme arti deri në mallëngjim, më bën të kujtoj Guy de Maupassant, dhe tre romanet e tij të famshme: «Bel Ami», «Zemra jonë» dhe mbi të gjitha «I fortë si vdekja», në të cilët ai ka derdhur tërë talentin e tij poetik në përshkrimin e bashkekzistencës harmonioze të botës plot kontraste të pikturës, të cilës nuk mund t’i rezistojë pa na e paraqitur përmes kënaqësisë së shikimit, me një shumllojshmëri të papërcaktuar. Pa dyshim, Maupassant është shkrimtari që e ka njohur dhe adhuruar pikturën më tepër se shumica e shkrimtarëve të njohur, duke drejtuar shpesh-herë sallone ekspozimi. Ai kishte një sensibilitet impresionist të veçantë, me një sens të hollë të harmonisë së ngjyrave në artin e tij të përshkrimit, që arrinte ta vendoste lexuesin në një sallë qëndrore ekspozimi vetëm me disa linja fjalësh të shkruara. Roli i artistit të talentuar është të sjellë në shikim gjithçka që ka dashur të shprehë, për një kohë aq të gjatë, dhe me atë përqëndrimin të domosdoshëm, deri sa të zbulojë diçka që nuk është parë, e nuk është thënë më parë, nga askush. Luan Ramës në librin e tij, ashtu si Maupassant-it nuk i mjafton të shohë pikturat, apo të shihet se po i shikon ato, por në këtë libër ai ndërmerr një mision të vështirë, atë të shikuarit apo të imagjinuarit të lexuesit duke i parë, duke marrë kështu parasysh edhe efektin e pikturave mbi publikun. Sipas kësaj optike, autori e mendon pikturën njëkohësisht si objekt të botës që e rrethon, por edhe si formë simbolike të saj, si objekt të prodhuar nga një krijues, dhe njëkohësisht të gjetur nga një publik, i cili ftohet indirekt të lërë gjurmën e tij me panelin e ndjesive që provon për të. «Piktura, çfarë dëshire e stuhishme», shkruante Alain Guillemin. «Mrekullia» që n’a dhuron autori i këtij «libri-antologji», ky vëzhgues i devotshëm dhe kurativ i pikturave, njohës i thellë i psikologjisë së artistit, është një «largim» i përsosur nga vetja, për t’u rikthyer me një harmoni të re në mendje e në shpirt, me një ndjesi të pamatë lirie që fluskon dukshëm në horizontin e deformueshëm ndjesor. Impresioni ndjesor që n’a përshkon dhe efekti afektiv që n’a ngjall admirimi i një pikture nuk është ekskluziv, ai ngacmon dhe josh sensibilitetin pamor në shkallë të ndyshme. Por ndërkohë vlera e tablosë nuk matet vetëm me intensitetin e kënaqësisë që shkakton, as me listën qoftë dhe perfekte të perceptimeve artistike, por më tepër matet nga bashkekzistenca dhe heterogjeniteti i tyre.
Marrëzia e artistëve të mëdhenj, raporti i tyre me perfeksionin, i bëjnë ata kërkuesit më të mirë të absolutes dhe të së bukurës, heronj të vërtetë, sepse jeta, vuajtjet, luftrat e tyre shpirtërore e sociale, kanë pikëzuar historinë e humanitetit, dhe gjenezën e mendimit estetik, siç n’a thotë dhe Paul Eluard në «Anthologie 1910-1939»). Duke lexuar librin, nuk mund si të mos kemi parasysh kontributin e Hegel-it dhe Lessing-ut në fushën estetike në përgjithësi dhe në reflektimin mbi natyrën e artit në veçanti. Përshkrimet, nëpërmjet një narracioni poetik dhe plot lirizëm, n’a ofrojnë diçka të ngjashme me një «tablo» unike të pikturuar nga memorja, kujtesa, ku shumë detaje janë harruar me qëllim (autori i lë hapur një dritare lexuesit që t’i plotësojë) ose jo, ku mbetet vetëm thelbi, ndjenja kryesore që autori do të përcjellë. Gjatë shfletimit të veprës, kemi përshtypjen e një kalimi nga një realitet i kaluar në një tjetër të tanishëm, që e tejkalon atë, nëpërmjet një dinamike prezantimi «epifanik», të papritur, në ekspansion, ku koha konsiderohet si një dimension «jo të njëtrajtshëm», që shpreh në të njëkohësisht shqetësimin e autorit për të kaluarën dhe të tanishmen, ankthin për të qenë përballë «anti-kohës», apo përjetësisë. Imagjinacioni piktural, ndjek ligje që racionaliteti injoron, kemi këtu kalime nga realja tek virtualja, nga e mundura tek e pamundura, ku «përjetësia» shndërrohet thjesht në «pritje», dhe n’a udhëheq më tepër drejt zgjerimit të misterit sesa drejt njohjes së tij.
Faktori kohë bën që pikturat e zgjedhura në këtë «libër-antologji», të n’a përfshijnë në një fluks këmbëngulës rindërtimi mbi një aks kohor që përkon me evidencën, dhe që lidh pjekurinë e pikturës me marrëzinë e saj, duke u frymëzuar nga bymimi i vazhdueshëm i sensit të të kuptuarit. Dimensionet emocionale të veprës, projektohen në një formë të shkruari, ku preokupacionet estetike takojnë horizontin e vlerave artistike. Nëpërmjet pikturës ne shohim botën me sytë e atyre që i kanë parë para nesh, gjejmë aty gjurmët e shoqërisë së kaluar, të sotmes dhe të «imagjinuar» në të dhe asaj të së nesërmes, siç shkruhet dhe në esenë Jean Grenier, Një kritikë e artit francez nga Ivanne Rialland. «Jetojmë, mendojmë, vuajmë, prekemi nga vështrimi. Ai që di të ndjejë përmes syrit, që të kundrojë gjërat dhe qeniet, provon të njëjtën kënaqësi të thekshme, të rafinuar e të thellë, si njeriu me një vesh të hollë dhe të ndjerë, të cilit muzika i trondit zemrën». Guy de Maupassant, Zonja Panisse. Rrëfimtari është i jashtëm me ngjarjen që tregon.
Fulvia Shtepani është profesore në Akademinë e Versajës