Marson Korbi/ PhD in architecture – Politecnico di Bari
Në territorin tonë të kësaj Shqipërie të vogël, po shkruhen çdo ditë faqe të reja e të shumta të prodhimtarisë ndërtuese arkitektonike. Realiteti i mendimit spontan i ndërthurur me veprimtarinë projektuese të planifikuar, me mendimin kritik të të kompozuarit të hapësirës, që është përditshmëria e arkitektëve shqiptarë, përbejnë pikat kyçe të zhvillimit të territorit. Kuptohet se një faktor i fortë dhe vendimtar është presioni politik, por që në fakt po shërben si katalizator zhvillimi, po përqëndron vëmendjen e njerzve mbi tema e fakte që u përkasin drejt përsëdrejti, duke i bërë më të vetëdijshëm dhe pjesëtar civil të vendbanimeve të tyre.
Shqipëria është një atelier i madh, një fletë e bardhë për arkitektët e rinj, kuptohet që zotësia dhe formimi duhet të bëjë ndryshimin e cilësisë së mendimit, por gjithsesi mbetet një ofiçinë e madhe eksperimentesh, provash dhe idesh. Brenda këtij laboratori të madh ka një mungesë të madhe, një faktor që mund të bënte ndryshimin dhe që mund të përmirësonte rezultatet e punës së profesionistëve në prodhimtarinë e tyre, i referohem mungesës së bashkëpunimit, ndarjeve të ideve, mungesës së një strukture dhe një mënyrë të vepruari ku puna e çdo arkitekti të kryhet mbi shinat e objektivave të përbashkëta.
Momenti që po përjetojmë është ideal!
Nuk jemi më të etur për mirëqënie siç ishin prindërit tanë në kohë izolimi, jemi të etur të shprehim idealet dhe mësimet që na janë dhënë, të tregojmë atë që besojme. Momenti është ai i duhuri, kjo është një kohë e re, një kohë që i jep të drejtë të drejtës.
Për të thënë këtë nisem nga metoda e përdorur në Shqipëri në katër vitet e fundit, të bashkë-punuarit pranë profesionistëve shqiptarë të arkitektëve të huaj, ndërkombëtarizim i punës, është “reforma” më e bukur që në mënyrë të tërthortë politika ka ndërmarrë në arkitekturë. Nuk dëshiroj të shprehem me tone të rrepta mbi gjëndjen e përgjumur kulturore që gjetën këta arkitektë, por rezultatet pozitive të kësaj reforme jam i bindur që pas disa kohësh do i shohim. Nuk ka asgjë negative mbi faktin që kjo nismë vjen nga politika, është normale që çdo vendim ose zgjedhje e re të kundërshtohet, fundja me të drejtë ky publik manifeston mosbesimin e merituar ndaj kësaj politike; ka një faktor objektiv që e bën këtë reformë të de-politizuar, është mundësia reale e të pasurit më në fund të një hapësire cilësore dhe të bukur, brenda qytetit, peisazhit dhe territorit ku jetojmë.
Ky duel shkollash nuk është një metodologji e re në vendin tonë, është metoda më e suksesshme, e dukshme përpara të gjithëve e cilësisë së qyteteve tona, qytete të krijuara si shtresëzime epokash, nga periudha antike, ajo osmane deri në atë të planeve të mëdha filo-sovietikë të viteve 1950-65. Mbivendosja e bukur në territor e këtyre eksperiencave, duke kaluar përmes idesë së qytetit italian mesdhetar të viteve 30’, nuk përfaqëson vetëm një fill historik kohor, por është një thesar i madh, në të cilin duhet të shohin të gjithë arkitektët dhe planifikuesit shqiptarë.
Për gati njëzet e pesë vjet është vepruar duke risjellë, me mjaft retorikë dhe injorancë, tendenca të lindura jashtë vendit, të cilat nuk arritën asnjëherë të asimilohen në kontekstin tonë. Njëzet e pesë vjet kënetorë për projektuesit dhe arkitektët, të cilët në kushtet e një epoke mundësish, gjatë viteve 2000, u kthyhen në makineri të prodhimit të industrisë së ndërtimit. Në “historinë e arkitekturës shqiptare”, si term i gjuhës së përditshme, betonizimi, përfaqëson jo vetëm një akt të përdorimit në masë të industrisë së ndërtimit, por është një emblemë e mirëfilltë e trajtimit të territorit dhe peisazhit. Nuk është betoni, material ndërtimi i kohës, i formalizuar (detyrë kjo e arkitektëve) në mënyrë të tillë që të asimilohet dhe të krijoj kontekst me peisazhin që kemi, por ai shihet nga të gjithë ne si mbeturinë e një vepre të papërfunduar (informaliteti ynë) ose i formalizuar në një mega-pallat, të cilin nuk ka sy njeriu ta kontekstualizojë në hapësirë dhe që rrjedhimisht nuk mund të jetë pjesë e një qytetit. Faj i arkitektëve!
Janë disa faktorë që tërheqin profesionistë të afirmuar të punojnë në territorin shqiptar, mbi të cilët dy janë kryesorët: magjepsshmëria e territorit dhe ambicja e të zgjidhurit të vështirësive të mëdha.
Është e pohueshme se një pjesë e mirë e vështirësisë së sotmë i përket ndreqjes dhe korrigjimit të gabimeve të kryera në vetëm diçka më shumë se dhjetë vjet.
Nuk flitet për ti dhënë formë ndërtimit dhe betonit, sfida më e madhe i përket të dhënurit unitet një territori të tërë, të dhënurit formë qyteteve dhe krijimit të arkitekturave cilësore të cilat duhet të jenë të afta të shërbejnë për dy objektivat e parë. Në këtë unitet do të marrin pjesë të gjithë elementët e peisazhit: lumenjtë, fushat e korrura, luginat, kodrat dhe malet. Kjo “reformë” u jep arkitektëve shqiptarë mundësinë e munguar të të llogjikuarit dhe të të aryestuarit në shkallë të madhe, në unitet. Në këtë mënyrë, bazë e çdo projekti formal do jetë një ide uniteti në kontekstin territorial dhe të qytetit. Cdo projektues do vendosë kështu veprën e tij brenda kësaj ideje bashkësie, ajo do të zerë vend, do bëhet pjesë e kontekstit.
Konkurset publike, akti i parë demokratik në akitekturë, nuk mund të jenë kurrsesi me tendencë politike. Pas tyre dallohet një punë e mirë dhe serioze e disa grupeve, por mbi të gjitha, përfaqësojnë rezultatet e parë dhe të dukshëm të bashkepunimeve ndërkombëtare.
Kam hasur personalisht në një eksperiencë të shkurtër por mjaft të bukur, efektet e para të metologjisë së re. Ndërkombëtarizimi i punës është i mrekullueshëm, shkëmbimi i ideve mbi arkitekturën është rruga e duhur për shtresëzimin e rradhës në arkitekturën e qyteteve të Shqipërisë. Është mbresëlënëse se si aktiviteti kërkimor i shumë ateliesh arkitekture dhe projektuesve të huaj ndahet dhe me arkitektët shqiptar. Një veprimtari zinxhir po tejkalon të gjithë momentin e projektimit, shkëmbimi ideve, kryesisht mbi temat e arkitekturës së peisazhit, shërben si leksion teorie jo vetëm për projektuesit e “mëdhenj” por dhe për “të vegjëlit”, studentët dhe të sapo shkolluarit. Ky është momenti i duhur!
Shpesh kufizimi kryesor i përket madhësisë së projekteve, por ajo që ka rëndësi është medota dhe teoria mbi bazën e projektimit qoftë dhe të një copëze qyteti.
Nërkombëtarizimi i procesit të planifkimit është akti kryesor i të paturit të një uniteti territorial dhe urban, mënyra më e saktë e të punuarit në rrugën e objektivave të përbashkëta të projektuesve dhe arkitektëve shqipëtar.
Politika është katalizator, është mjaft e diskutueshme, por falë saj teoritë e ndyshme, mënyrat e ndryshme të të parit të arkitekturës, idetë e ndryshme të qytetit po eksperimentohen në këtë këtë atelier të madh./Pasqyre.al