Filmi “E huaja” me skenar nga Shaban Sinani dhe regji Donard Hasani u shfaq mbrëmë premierë për publikun. Një film, i cili ka angazhuar në role emra të njohur dhe të rinj të kinemasë shqiptare duket se është dhe premiera e fundit për këtë sezon. Filmi është xhiruar në Dardhë, në malin e Dajtit dhe në Shkodër. Përveç aktores së njohur Rozi Kostani emra të tjerë në film janë dhe Eglantina Cenomeri, Kristaq Pilo dhe Valdrin Hasani.
Me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë drejtor fotografie është Spartak Papadhimitri. Personazhi kryesor përballet me një vuajtje të madhe në kohën e diktaturës në Shqipëri. Roli i Rozi Kostanit, një grua në moshën 40 vjeçare, që largohet nga Kosova në vitet ’70, pasi atje i kanë djegur shtëpinë dhe vrarë të gjithë njerëzit e saj.
Ajo vjen në Shqipëri bashkë me djepin në krah. Kalon kufirin dhe aty janë dy ushtarë serbë që duan ta vrasin, por shpëton. Arrin në Shqipëri, por këtu ajo cilësohet si spiune dhe e fusin në burg. Në burg ajo pohon se ka ardhur në Shqipëri për të shpëtuar nga të zezat, por që në Shqipëri për të do të vijojnë akoma. Ngjarja në film bëhet dhe më e rëndë kur fëmija e saj quhej Enver, dhe kur kjo merret vesh në burg ajo përfundon në çmendinë. Pasi një kalvari vuajtjesh, më pas atë e kthejnë në Kosovë, por ajo është e masakruar me gjendjen e saj.
Kjo është historia që rrëfehet në filmin me skenar nga Shaban Sinani dhe regji Donard Hasani. “Një nga rolet që më ka intriguar. Kur kam lexuar skenarin nuk doja ta humbja këtë rol”, pohon aktorja Kostani për filmin i cili mbrëmë pati premierën në sallën “Black Box”. Ndërkaq që drejtori i fotografisë Spartak Papadhimitri tregon se filmi ka qenë pjesëmarrës dhe në festivalin e filmit “Watch out”, që u zhvillua më parë në qytetin e Tetovës duke marrë dhe vlerësim. “Në këtë festival ai u përzgjodh mes 250 filmave”, tregon Papadhimitri.
Skenari në film
Në fushën e regjisurës, Donard Hasani është i njohur për shfaqjet në skenat e teatrove të ndryshëm, por këtë vit projekti i tij i parë është një film artistik, i cili ka marrë financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “Fabula ka ardhur si projeksion i atyre çfarë kanë ndodhur para viteve ’90 në Shqipëri. Një dramë psikologjike. Shabani e mori dhe e përpunoi, duke sjellë skenarin e filmit. Mungesa e një personazhi kryesor femër në masë të madhe në letërsi dhe kinematografi na çoi tek personazhi kryesor në film”, ka pohuar më herët regjisori Hasani për filmin.
Këtë herë me rol kryesor në filmin “E Huaja” Rozi Kostani në fushën e kinemasë e nis aktivitetin me një rol kryesor këtë vit. Ky rol vjen dhe në vijim të angazhimeve të tjera, që aktorja ka pasur më herët në fushën e kinemasë, por këtë herë është regjisori Donard Hasani që i ka besuar rolin e protagonistes kryesore në filmin që ai e ka cilësuar si dramë psikologjike. Para këtij roli aktorja ka qenë në filmin “Një e hënë e pazakontë” me regj nga Andi Deliana, ku ajo interpretonte personazhin kryesor Ariana. Ka vite që interpreton në skenën teatrore dhe në kinematografi, dhe pa dyshim bën pjesë në emrat e artit që aktivitetin artistik e ka me vlerësime.
Mes veprave që mbajnë emrin e Donard Hasanit si regjisor në skenat e teatrit janë: “I burgosuri i katit të 12” vënë në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, “Mirandolina” në Teatrin e Komedisë në Tiranë, “Vrasja e Mushkonjës” në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, si dhe të tjera shfaqje. Por këtë herë regjisori u prezantua me filmin e tij “E huaja”.. (Gazeta Sot)