Dy personazhet e Miguel de Servantes, Don Kishotin dhe Sanço Panço kanë vendosur të bëjnë një shëtitje nëpër rrugët e kryeqytetit me kalë e gomarë para se te futen ne teater.
2 aktorët e njohur të humorit Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj kanë gjetur një mënyrë të veçante dhe provokuese për t’i bërë jehonë dhe për të ftuar qytetarët të vijnë të shohin shfaqjen ku janë protagonist pikërisht me këto role.
Shfaqja me regji të Klajd Ymerit do ketë premierën të shtunën në 11 nëntor në Teatrin Kombëtar pikërisht në 400 vjetorin e vdekjes së nobelistit Servantes.
Romir Zalla është përzgjedhur për rolin kryesor atë të Don Kishotit, Sanço do të interpretohet nga Gentian Zeneli, Shaline (shërbëtorja e hanit) Adelina Muça, hanxhesha nga Albana Sançolli, hanxhiu aktori Gert Ferra, At Pedro nën interpretimin e aktorit Laert Vasili, Fernando (i dashuri Sharlines) Amos Zaharia, mbesa e Don Kishotit luhet nga aktorja Alesia Xhemalaj.
Një tjetër veçanti e kësaj shfaqje është dhe pjesëmarrja e sopranos së njohur shqiptare Arlinda Morava, që do të luajë rolin e Fallxhores.
Ndërsa, Dulqinja interpretohet nga aktorja kosovare Valina Muçolli. Shfaqja do të ruajë frymën e viteve kur zhvillohen ngjarjet. Fryma e Servantesit është mbajtur me fanatizëm.
Kostumet në shfaqje do të jenë të periudhës 1550 -1570. Vepra është mbajtur si një komedi argëtuese, por nuk i është hequr thelbi tragjikomik personazhit Don Kishot. “Don Kishoti” luhet për herë të parë si komedi në Teatrin Kombëtar, ku dhe për herë të parë shtohet një personazh komik, që do të interpretohet nga sopranoja aktore Arlinda Morava.
Mësohet se ky rol është shtuar pasi regjisorit i pëlqeu shumë ideja e sopranos lozonjare në një rol komik siç është fallxhorja, ku ja rrëmben me këngë e fjalë verdhushkat Don Kishotit, duke e gënjyer për fatin.