Të ngrihen komisione për të kontrolluar deri në qelizë të gjithë botimet dhe veprat muzikore, teatrore dhe ato të artit pamor, pa arritur më parë tek spektatori dhe lexuesi. Ky ishte urdhri i dalë nga komiteti qendror i firmosur në fund nga Ramiz Alia në dhjetor të vitit 1973. Është një prej dokumenteve të rralla që dëshmon qartë se si ndërmerreshin fushatat për censurë dhe kontroll nga krerët më të lartë të regjimit.
Dokumenti i i gjatë hartuar me 12 dhjetor 1973 jep orientime “për forcimin e kontrollit paraprak në krijimtarinë letraro-artistike që botohet, ekzekutohet dhe ekspozohet” dhe ishte një fushatë e re censure dhe kontrolli të rreptë në të gjithë fushat e krijimtarisë.
Pas gjendjes së tensionuar në arte, menjëherë pas festivalit të 11-të në dhjetor 1972, dhe fushatës së paprecedentë me sulme kritika e autokritika, fletërrufe e mbledhje të hapura denigruese, arrestime e gjyqe artistësh e shkrimtarësh, terreni duhej blinduar edhe më tej. Koha e artë e një lirie gati utopike që njohu fushë e arteve muzikës dhe letrave në vitet e pra të ’70-ës, kishte përfunduar.
Nga kupola më e lartë e shtetit komunist jepeshin urdhra për të forcuar kontrollin mbi shkrimtarët, mbi muzikantët mbi interpretuesit në teatër, muzikë, balet, ansamble, për njerëzit e shtypit etj.
Ky kontroll me gjithë fushatën orientuese për secilën fushë të artit dhe letrave dëshmohet qartë në këtë dokument që kemi zgjedhur ta botojmë të plotë për lexuesit tanë bashkë me faksimilet shoqëruese të tij.
Pjesa e parë e këtij dokumenti që botojmë sot jep orientimet për kontroll të ashpër në fushën e botimeve duke urdhëruar që të mos dalë asnjë libër, broshurë a përmbledhje pa u analizuar më parë deri ën imtësitë më të vogla.
Po ashtu jepen orientime për komisionet që do të ngriheshin për kontrollin e një varg aksionesh kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare, etj. E po ashtu edhe për gjithë prodhimet e kinostudios shqyrtimi i të cilave nis nga planet e reja vjetore, tek kontrolli mbi skenarët, dhe mbi produktin final sikurse edhe për të gjithë filmat e huaj që përzgjidheshin për tregun shqiptar, ndërhyrjet dhe përshtatjet, sipas oreksit të regjimit që bëheshin në disa prej tyre dhe kontrollit final para se ti shfaqnin nëpër kinema.
Po ashtu në pjesën e parë të këtij dokumenti sjellim edhe orientimet për kontrollin që do të ushtrohej në krijimet artistike të teatrit të Operas dhe Baletit si dhe strukturat që do ta kryenin këtë kontroll.
Pjesa e dytë e dokumentit që do ta botojmë në vijim numrin e ardhshëm të gazetës sjell direktivat e Komitetit Qendror për kontrollin që duhej ushtruar në Radio Televizionin Shqiptar dhe gamën e gjerë të programacioneve tw tij, të prodhimit të filmave e dokumentarëve, muzikës, etj, sikurse edhe në disa institucione të tjera teatrore, të galerive të arteve pamore dhe shtypit.
Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e parë të dokumentit sekret, për ta vijuar pjesën e dytë të tij numrin e ardhshëm.
Dokumenti, pjesa e parë
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
Sektori i Arsim-Kulturës
Tiranë, më 11.12.1973
Nr. 4395 Prot.
Sekret
Lënda: Orientime për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.
KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT
Bashkëngjitur ju dërgojmë orientimet e përbashkëta të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave, për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.
Për përmbajtjen e këtyre orientimeve të vihen në dijeni organizatat bazë të partisë të interesuara, si dhe kryesitë e organizatave të masave në rreth.
Nga ana e aparatit të Këshillit të Ministrave këto orientime u janë dërguar edhe komiteteve ekzekutive të rrethit dhe Ministrisë së Arsimit e Kulturës.
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
RAMIZ ALIA
(firma, vula)
ORIENTIME PËR FORCIMIN E KONTROLLIT PARAPRAK PËR KRIJIMTARINË LETRARE-ARTISTIKE QË BOTOHET, EKZEKUTOHET, EKSPOZOHET
Lufta kundër shfaqjeve të huaja në letërsi e arte dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre, kërkon marrjen e masave edhe për forcimin e kontrollit paraprak të krijimtarisë në këto fusha.
Deri tani, për mjaft çështje, ose nuk ka pasur kritere të përcaktuara qartë për mënyrën e kontrollit të krijimtarisë, ose rregullat e vendosura nuk janë zbatuar me rigorozitet, prandaj janë bërë dhe lëshime.
Format kolegjiale (si komisionet, këshillat artistike, kolegjiumet), e në mjaft raste edhe instancat e ndryshme shtetërore si seksionet e arsimit e të kulturës pranë komiteteve ekzekutive, nuk i kanë ushtruar si duhet kompetencat e tyre.
Gjithashtu shpesh është dobësuar roli drejtues e kontrollues i organizatave bazë të partisë në institucionet kulturore-artistike dhe disa herë ato janë postuar.
Me qëllim që të zbatohet me rigorozitet direktivat e Partisë në fushën e kulturës e të artit dhe të mos lejohen gabime në përmbajtje të veprave letrare e artistike, është e nevojshme të forcohet udhëheqja ideologjike dhe përgjegjësia e komiteteve të partisë dhe e organizatave bazë në institucionet kulturore-artistike si dhe kontrolli paraprak shtetëror mbi krijimtarinë.
Për veprat letrare-artistike që botohen, ekzekutohen, ekspozohen, para se të dalin në publik, do të zbatohen këto forma kontrolli:
I. – Për botimet:
Plani tematik vjetor i botimeve, pasi shqyrtohet nga kolektivi, kolegjiumi dhe organizata bazë e shtëpive botuese, aprovohet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim me aparatin e Komitetit Qendror dhe të Këshillit të Ministrave. Aprovimin për çdo vepër për botim e jep redaktori përkatës dhe shefi i redaksisë.
Veprat, për të cilat recensentët ose redaksia kanë shqetësime ideore i aprovon drejtori ose zëvendësdrejtori i shtëpisë botuese. Disa vepra, nga më të rëndësishmet, shikohen edhe nga vetë drejtori ose zëvendësdrejtori. Çdo vepër, para se të redaktohet u jepet për recension njerëzve me formim të mirë ideoestetik (shkrimtarë, kritikë, si edhe punonjës të tjerë që kanë përgatitjen e nevojshme).
Recensentët i cakton redaksia. Kur recensentët paraqesin ndonjë shqetësim ideoartistik për veprën (qoftë edhe njëri prej tyre) diskutohet në mbledhje të redaksisë, ku mund të ftohet edhe autori. Kur ka divergjenca dhe nuk arrihet në mirëkuptim, atëherë vepra shqyrtohet në mbledhjen e kolegjiumit të shtëpisë botuese. Për këtë vihet në dijeni edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Edhe në shtypshkronjat ku botohet letërsia artistike ushtrohet në mënyrë sistematike kontrolli punëtor mbi të, duke gjetur format përkatëse, duke krijuar komisione apo grupe punëtorësh, të cilët, herë pas here, diskutojnë mbi vepra të ndryshme dhe bëjnë vërejtjet e tyre mbi to gjer në shfaqjen e mendimit që të botohet apo të mos botohet vepra.
Veprat letrare-artistike nga krijimtaria jonë kombëtare, që do të përkthehen në gjuhë të huaja aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror e të Këshillit të Ministrave.
Ndalohet dhënia e veprave dorëshkrim të huajve, pa marrë pëlqimin e organeve kompetente.
II. – Për të gjitha aksionet kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare etj., Ministria e Arsimit dhe e Kulturës cakton komisione të posaçme. Në këto komisione bëjnë pjesë përfaqësues nga tërë institucionet e interesuara.
Këto komisione ndjekin e kontrollojnë tërë përmbajtjen e aktivitetit dhe japin aprovimin për publikimin e programeve, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave.
III. – Për Kinostudion:
Plani tematik vjetor, pasi shqyrtohet në kolektivin krijues, në këshillin artistik dhe në organizatën bazë të partisë, aprovohet përfundimisht nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Skenarët e filmit artistik, pasi shqyrtohen nga redaksia, diskutohen në këshillin artistik dhe aprovohen nga drejtoria e Kinostudios, në konsultim me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës.
Skenarët e filmave dokumentarë, pasi i përgatit redaktori, i kontrollon shefi i redaksisë. Aprovimin përfundimtar për fillimin e xhirimit e jep nëndrejtori artistik.
Aprovimi i të gjithë filmave artistikë si dhe i dokumentarëve me rëndësi të veçantë (për figura të shquara, me raste jubilesh etj.) bëhet nga këshilli artistik e drejtoria e Kinostudios, por nuk vihen në qarkullim pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Kjo do të bëhet në konsultim dhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave. Aprovimin e filmave dokumentarë e bën redaksia, por ata nuk hidhen në qarkullim pa aprovimin e Drejtorisë së Kinostudios.
Filmat e huaj i shqyrton dhe i aprovon drejtoria, nëpërmjet komisionit të vizionimit të filmave. Komisioni jep porosi konkrete për ndryshimet e nevojshme që do t’i bëhen filmit para se ai të hidhet në qarkullim. Këto ndryshime i realizon grupi i punës që përgatit filmin për xhirim. Shkalla e realizimit të tyre kontrollohet nga kryetari i komisionit të vizionimit të filmave. Filmat artistikë dhe dokumentarë që dërgohen jashtë shtetit, mbi bazën e propozimit të drejtorisë, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
IV. – Teatri i Operës dhe Baletit:
Planin tematik vjetor, pasi e shqyrton kolektivi krijues, këshilli artistik dhe organizata bazë e partisë, e aprovon përfundimisht Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Libretet e operave, operetave e baleteve, pasi të shqyrtohen dhe të aprovohen nga këshilli artistik dhe drejtoria, i aprovon Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Aprovimi i operave, operetave, baleteve dhe i koncerteve të jashtëzakonshme e jubilare bëhen nga këshilli artistik e drejtoria e Teatrit të Operës dhe Baletit, por nuk shfaqen pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës.
Premierat e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore i aprovon këshilli artistik dhe drejtoria e Teatrit. Programet e trupave artistike, profesioniste ose amatore që shkojnë jashtë shtetit, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave. /shqiptarja.com<