Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest ka shpallur programin e edicionit të 15-të, jubilar, i cili do të mbahet nga 5 deri në 13 gusht në qytetin e Prizrenit në Kosovë. Të zgjedhur nga një numër rekord i aplikimeve, festivali do të prezantojë 238 filma nga 57 shtete në 6 programe garuese dhe në disa speciale.
“Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë” , bëjnë të ditur organizatorët.
“DokuFest po feston edicionin e tij të 15-të me një program eklektik të filmave. Ne shpresojmë që ata do të ju mahnisin, emocionojnë dhe befasojnë aq sa edhe neve”, thekson drejtori artistik, Veton Nurkollari.
“Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërës të ri dhe mjeshtërat e kinemasë në këtë edicion jubilar”, shprehet ai.
Në fillimin e muajit mars tw kwtij viti njoftohej se kishin mbërritur mbi 4500 aplikime për DokuFest 2016 dhe se ishte mbyllur thirrja për aplikim e hapur në 24 nëntor 2015.
Verën e kaluar, në DokuFest 2015 në qendër ishte tema e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni. Nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 bënin pjesë në programet garuese.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.