DocuTIFF 2016 do të zhvillojë edicionin e dytë të festivalit kinematografik nga data 1-8 qershor në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, Open Air te ambienti Atrium, Teatri i Metropolit, COD dhe TULLA Culture Center.
Nga më shumë se 2000 aplikime prej 102 vendeve të botës janë përzgjedhur për publikun shqiptar dhe mysafirët e huaj 180 filma, nga të cilët 100 në konkurrim dhe 80 filma në programet dhe projeksionet speciale.
Përveç zbulimeve interesante të autorëve të rinj janë përzgjedhur për publikun edhe filma dokumentarë të vlerësuar e seleksionuar në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Sundance, Cannes, Berlinale, Venezia apo të nominuar e me çmime në Oscar, Golden Globe, etj.
Përveç konkurimit ndërkombëtar në kategoritë e filmit me metrazh të gjatë, të mesëm dhe të shkurtër, një hapësirë e veçantë do t’i lihet edhe filmit në shqip që vjen me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe kudo ku ata ndodhen.
Për të interesuarit, kineastët dhe studentët e filmit do të mbahen edhe tre masterclass nga autorë e studiues të rëndësishëm nga Gjermania dhe Izraeli, Noemi Schory, Andreas Voigt dhe Ira Ira Kormannshaus.
Do të jenë 4 juri që do të vlerësojnë filmat në konkurim. Juria ndërkombëtare e metrazhit të gjatë, juria ndërkombëtare e metrazhit të mesëm e të shkurtër dhe juria ndërkombëtare e filmit në shqip.
Nuk do të mungojë edhe këtë edicion juria e Medias, e cila filmin dokumentar e ka pjesë të natyrshme të profesionit të vet.