Do heq dorë nga vargjet!

Nga Ilirjan Zhupa 

Deti ishte trishtuar për molusqet e ngordhura,
Unë u gëzohesha guackave.
Vajzat u bënë nuse duke më pritur mua,
U thinjën si drita,
Bijat e tyre prapë u bënë nëna.
Unë jep e merr
Me ca të tjera te kënga.

Im atë ka dalë kryejashtë nëpër erë,
Pa kapelen e premtuar që s’ia kam blerë.

Tim nipi ia bleva lodrat.
Renda t’ia shpie, po nuk i donte.
Ish zemëruar, më mbante mëri,
Nuk më shikonte në sy.
Ish shtrirë majë një kodre lodhur nga pritja e gjatë,
Kish hedhur mbi supe një mbulesë të hollë bari,
Që të mos e mardhte acari.
E kërkoja dhe humbiste në dhera,
Kish punë të tjera.
I thashë vetes se flinte dhe heshta…
Më pëlqeu gënjeshtra.

Kalova pragun.
Më dha një adresë dashuria dhe u nisa ta gjej.
Bëra udhë me vargje, bëra udhë me rima.
Ajo fironte. Më priste dhe thërriste përtej,
Hollohej nga dhimbja.

Ndaj, do heq dorë nga vargjet!

Molusqet do i le të flenë brenda guackave,
Pastaj të zgjohen e të flenë sërish,
Do martohem me të parën vajzë që më pret,
Do e bëj nënë, do më bëjë shpirt.
Im atë nuk do dalë më kryejashtë,
Do t’ia blej kapelen të mos ndjejë ftohtë,
Me lëkurë, me push, me shajak, me kashtë,
Gjithë ç’ka e s’ka në botë.

Tim nipi, rrugës sime…
Punëve, lojërave, gazeve, dhimbjeve…

…Do heq dorë nga vargjet, t’u shërbej dashurive!

1988

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *